Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të luaj me lojëra elektronike?

A duhet të luaj me lojëra elektronike?

KAPITULLI 30

A duhet të luaj me lojëra elektronike?

«LOJËRAT në kompjuter të përpijnë, janë hata fare,—thotë një djalë me emrin Brian.—Kur luan, mund të bësh gjëra që nuk do t’i bëje kurrë në realitet, domethënë, s’do t’i bëje nëse nuk do të doje telashe.» Edhe Bora thotë se i pëlqen të luajë në kompjuter. Por shton se «mund të hanë shumë kohë e të bëhen si drogë».

Sigurisht, lojërat elektronike nuk janë vetëm një zbavitje e llojit high-tech, siç e quajnë shumë njerëz sot teknologjinë e fundit. Ato vënë në provë aftësitë dhe janë një mënyrë e këndshme për të shtyrë kohën. Por jo vetëm kaq. Lojërat elektronike mund të mprehin reflekset. Madje disa prej tyre mund të ndihmojnë për të përmirësuar aftësitë në matematikë e lexim. Veç kësaj, loja elektronike më e fundit mund të bëhet fare mirë tema e bisedave në shkollë. Në rast se e ke provuar atë lojë, ke ç’të bisedosh me shokët.

Sigurisht, nëse zgjedh me kujdes, do të gjesh ndonjë lojë që jo vetëm të kënaq, por edhe nuk ka ndonjë gjë të gabuar. Po përse duhet të kesh shumë kujdes?

Ku qëndron rreziku?

Mjerisht, jo të gjitha lojërat elektronike janë zbavitje e padëmshme. Një pjesë e mirë e lojërave elektronike sot nxitin haptazi ato që Bibla i quan ‘vepra të mishit’, ose praktika të papastra që Perëndia i dënon.​—Galatasve 5:19-21.

Adriani 18-vjeçar thotë se në një lojë shumë të pëlqyer ka «luftë bandash, abuzim me drogën, skena me seks, fjalë të pista, dhunë të egër, gjak dhe skena makabre». Disa lojëra ngrenë lart spiritizmin. Çdo lojë e re që del, i bën të vjetrat të mos duken edhe aq të tmerrshme. Shumë nga këto lojëra të dhunshme mund të luhen me të tjerë drejtpërdrejt në Internet. Kjo ka bërë që lojërat elektronike të marrin përmasa të reja. «Që nga kompjuteri i shtëpisë mund të matësh forcat me njerëz që jetojnë në anën tjetër të botës»,​—thotë Xhejsi, një djalë 19-vjeçar.

Veç këtyre, janë përhapur shumë edhe lojërat elektronike me role. Në këto lojëra, lojtarët krijojnë personazhe në Internet​—qofshin këto njerëz, kafshë ose të dyja​—që jetojnë në një botë virtuale, ku ka mijëra lojtarë të tjerë. Në këtë botë gjen dyqane, makina, shtëpi, klube nate, shtëpi publike, pra, në shumë aspekte është një kopje e botës reale. Lojtarët komunikojnë drejtpërdrejt me mesazhe, e ndërkohë personazhet e tyre, ose siç quhen ndryshe avatarët, vazhdojnë rolet e tyre.

Mafiozë, tutorë prostitutash, prostituta, mashtrues, falsifikues dhe vrasës janë vetëm disa nga personazhet e fëlliqura që jetojnë në këto botë virtuale. Lojtarët mund të bëjnë gjëra që në jetën reale nuk do të guxonin t’i bënin. Shtyp vetëm ca butona dhe personazhet virtuale bëjnë seks, ndërkohë që lojtarët e vërtetë shkëmbejnë mesazhe duke folur për seksin. Disa lojëra u japin mundësi personazheve të përzgjedhur nga lojtarët të kryejnë akte seksuale me personazhe që ngjajnë me fëmijë. Kritikët janë alarmuar me të drejtë që njerëzit sajojnë lojëra me akte të tilla perverse.

Pse ka rëndësi çfarë zgjedh?

Ata që luajnë këto lojëra ku ka skena të gjalla me seks ose dhunë, mund të thonë: «S’i bën dëm njeriu. Nuk është reale. Është veç lojë.» Mos u gënje nga ky arsyetim mashtrues!

Bibla thotë: «Një djalë njihet edhe nga veprimet e tij: nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» (Proverbat 20:11) Nëse përfshihesh në lojëra të dhunshme dhe imorale, a mund të quhesh i kulluar dhe i drejtë? Vazhdimisht studimet tregojnë se ata që zbaviten duke parë dhunë, bëhen më agresivë. Në fakt, disa studiues thonë se, nga vetë natyra e lojërave elektronike ku kërkohet komunikim dhe bashkëveprim, ato ndikojnë më shumë se televizori.

Të luash lojëra të dhunshme ose imorale është si të luash me mbetje radioaktive: dëmi mund të mos duket menjëherë, por është i pashmangshëm. Në ç’kuptim? Ekspozimi ndaj rrezatimit të lartë radioaktiv mund të shkatërrojë cipën e brendshme të stomakut, e kështu bakteriet e zorrëve vërshojnë në gjak dhe sëmuresh. Po njësoj, ekspozimi ndaj skenave të gjalla me seks dhe dhunë të llahtarshme, mund të të dëmtojë ‘ndjesinë morale’, dhe në mendimet e veprimet e tua do të mbizotërojnë dëshirat e mishit.​—Efesianëve 4:19; Galatasve 6:7, 8.

Ç’lojëra duhet të zgjedh?

Nëse prindërit të lejojnë të luash me lojëra elektronike, si ta kuptosh çfarë të zgjedhësh dhe sa kohë duhet të harxhosh me to? Bëji vetes këto pyetje:

Si do të ndikojë zgjedhja ime tek ajo që ndien Jehovai për mua? «Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun. Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren»,—thotë Psalmi 11:5. Për ata që merren me spiritizëm, Fjala e Perëndisë thotë: «Ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain.» (Ligji i përtërirë 18:10-12) Nëse do që të jesh mik me Perëndinë, duhet të ndjekësh këshillën e Psalmit 97:10 që thotë: ‘Urre të keqen.’

Si do të ndikojë loja te mendimet e mia? Pyet veten: «Kjo lojë, do të ma bëjë më të lehtë apo më të vështirë që ‘të iki nga kurvëria’?» (1 Korintasve 6:18) Lojërat me skena ose biseda eksituese nuk të ndihmojnë ta mbash mendjen te gjërat e drejta, të dëlira e të virtytshme.​—Filipianëve 4:8.

Sa kohë do të harxhoj duke luajtur? Edhe loja më e padëmshme mund të të hajë shumë kohë. Prandaj, mbaj shënim sa kohë harxhon duke luajtur. Mos vallë nuk po të lë kohë për gjëra më të rëndësishme? Nëse mban shënim se si të ikën koha, do ta kesh më të lehtë të mbash në vend të parë ato që duhet.​—Efesianëve 5:16.

Natyrisht, Bibla nuk kërkon që ta kalosh gjithë jetën duke studiuar e punuar. Përkundrazi, na kujton të gjithëve se ka «një kohë për të qeshur . . . dhe një kohë për të kërcyer». (Eklisiastiu 3:4) Sidoqoftë, duhet të kuptojmë se shprehja «për të kërcyer» nuk do të thotë vetëm të luash, por edhe të merresh me aktivitet fizik. Ndaj, pse të mos e kalosh një pjesë të kohës së lirë me lojëra që të vënë në lëvizje, në vend që të ngulesh para ekranit të kompjuterit?

Zgjidh me mençuri

Pa dyshim, lojërat elektronike mund të jenë argëtuese, sidomos nëse ia ke marrë dorën. Pikërisht këtu fshihet arsyeja kryesore pse duhet të zgjedhësh me mençuri. Pyet veten se në cilat lëndë je më mirë në shkollë? A nuk je shpesh në ato që të pëlqejnë më shumë? Në fakt, zakonisht ndodh që sa më shumë të të pëlqejë një lëndë, aq më shumë të ngulitet. Tani, pyet përsëri veten se cila është loja që të pëlqen më shumë dhe si ndikon te ti nga ana morale?

Në vend që të luash një lojë vetëm sepse e luajnë edhe shokët, tregohu aq i fortë sa të bësh një zgjedhje të peshuar mirë. Mbi të gjitha, zbato këshillën e Biblës: «Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.»​—Efesianëve 5:10.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Të pëlqen muzika, dhe kjo është normale. Por, a je skllav i saj?

SHKRIMI KYÇ

«Ju që doni Jehovain, urreni të keqen.»​—Psalmi 97:10.

KËSHILLË

Përmblidh me dy fjalë lojërat që ke qejf, duke shpjeguar qëllimin e lojës dhe metodat që përdoren për ta arritur. Krahasoje atë që ke shkruar me parimet biblike të përmendura në këtë kapitull dhe vendos nëse loja është e përshtatshme, apo jo.

A E DIJE . . . ?

Klinika e parë në botë që merret vetëm me rehabilitimin e maniakëve pas lojërave në Internet është hapur në vitin 2006, në Amsterdam të Holandës.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse një shok më fton të luaj një lojë të dhunshme ose imorale në kompjuter, do të them: ․․․․․

Do ta kufizoj kohën që kaloj me lojëra elektronike në ․․․․․ në javë, dhe mund ta arrij këtë nëse ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Si mund të ndikojnë lojërat elektronike në mendjen dhe ndjenjat e tua?

Pse është e rëndësishme të mbash parasysh normat morale të Jehovait kur zgjedh një lojë?

Si do ta ndihmoje vëllanë a motrën tënde më të vogël që është i fiksuar pas një loje që ti e di se është e dëmshme?

[Diçitura në faqen 249]

«Shumë lojëra të bëjnë të pandjeshëm ndaj dhunës, fjalëve të pista, imoralitetit dhe gjërave si këto, dhe mund të të bëjnë më të pambrojtur në aspekte të tjera të jetës. Duhet shumë kujdes se çfarë loje zgjedh.»​—Ami

[Figura në faqen 250]

Të luash lojëra të dhunshme ose imorale është si të luash me mbetje radioaktive: dëmi mund të mos duket menjëherë, por është i pashmangshëm