Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SHTOJCA

Çfarë janë Sheoli dhe Hadesi?

Çfarë janë Sheoli dhe Hadesi?

NË BIBËL, në gjuhët origjinale, fjala hebraike sheohl dhe barasvlerësja e saj greke haides janë përdorur më shumë se 70 herë. Të dyja fjalët kanë të bëjnë me vdekjen. Në disa përkthime të Biblës, janë përkthyer «varr», «ferr» ose «gropë». Por, në shumicën e gjuhëve nuk ka fjalë që të përcjellin kuptimin e saktë të këtyre fjalëve hebraike dhe greke. Prandaj, Përkthimi Bota e Re përdor fjalët «Sheol» dhe «Hades». Ç’kuptim kanë në të vërtetë këto fjalë? Le të shohim si janë përdorur në vargje të ndryshme të Biblës.

Tek Eklisiastiu 9:10 thuhet: «Nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në Sheol, në vendin ku po shkon.» A do të thotë kjo se Sheoli i referohet ndonjë vendi varrimi specifik ose individual, ku mund të kemi varrosur një njeriun tonë? Jo. Kur flet për ndonjë vend specifik varrimi ose për një varr, Bibla nuk përdor fjalët sheohl dhe haides, por fjalë të tjera hebraike dhe greke. (Zanafilla 23:7-9; Mateu 28:1) Veç kësaj, Bibla nuk përdor fjalën «Sheol» për ndonjë varr ku janë varrosur disa individë së bashku, siç mund të jetë ndonjë varr i familjes ose varri masiv.Zanafilla 49:30, 31.

Atëherë, për ç’lloj vendi përdoret fjala «Sheol»? Fjala e Perëndisë tregon se «Sheoli» ose «Hadesi» i referohet diçkaje shumë më të madhe edhe se një varr masiv i madh. Për shembull, tek Isaia 5:14 thuhet se Sheoli është ‘zgjeruar dhe e ka hapur gojën jashtë mase’. Ndonëse, në kuptimin figurativ, Sheoli ka gëlltitur shumë të vdekur, duket se është gjithnjë i uritur dhe do më shumë. (Proverbat 30:15, 16) Ndryshe nga varrezat e mirëfillta, që mund të mbajnë vetëm një numër të kufizuar të vdekurish, ‘Sheoli s’ka të ngopur’. (Proverbat 27:20) Pra, Sheoli nuk mbushet kurrë. Nuk ka kufij. Prandaj, Sheoli ose Hadesi nuk i referohet një vendi të mirëfilltë që ndodhet diku. Përkundrazi, është varri i përbashkët ku gjenden njerëzit e vdekur, vendi i figurshëm ku gjendet shumica e njerëzimit që është në gjumin e vdekjes.

Mësimi biblik për ringjalljen na ndihmon të kuptojmë edhe më shumë se çfarë do të thonë fjalët «Sheol» dhe «Hades». Fjala e Perëndisë e lidh Sheolin dhe Hadesin me atë lloj vdekjeje nga e cila ka rikthim, me anë të ringjalljes. * (Jobi 14:13; Veprat 2:31; Zbulesa 20:13) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë tregon se, në Sheol ose Hades, nuk janë vetëm ata që i kanë shërbyer Jehovait, por edhe shumë që nuk i kanë shërbyer. (Zanafilla 37:35; Psalmi 55:15) Prandaj, Bibla mëson se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët».Veprat 24:15.

^ par. 4 Ndryshe nga kjo, për të vdekurit që nuk do të ringjallen, thuhet se janë «në Gehenë», jo në Sheol ose Hades. (Mateu 5:30; 10:28; 23:33) Ashtu si Sheoli dhe Hadesi, edhe Gehena nuk është një vend i mirëfilltë.