Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

PJESA 9

Adhuroni Jehovain si familje

Adhuroni Jehovain si familje

‘Adhuroni atë që bëri qiellin dhe tokën.’—Zbulesa 14:7

Siç ke mësuar në këtë broshurë, ka shumë parime në Bibël që do të jenë ndihmë për ty dhe familjen tënde. Jehovai do që të jesh i lumtur. Ai premton se, po të vësh adhurimin e tij në vend të parë, ‘të gjitha këto gjëra të tjera do të të shtohen’. (Mateu 6:33) Ai do shumë që të jesh miku i tij. Shfrytëzo çdo mundësi për ta forcuar këtë miqësi. Ky është privilegji më i madh që mund të ketë një njeri.—Mateu 22:37, 38.

1 FORCO MARRËDHËNIEN ME JEHOVAIN

ÇFARË THOTË BIBLA: «Unë do të jem për ju një atë dhe ju do të jeni për mua bij e bija,—thotë Jehovai.» (2 Korintasve 6:18) Perëndia do që të jesh mik i ngushtë me të. Një mënyrë për ta arritur këtë është lutja. Jehovai të fton ‘të lutesh pa pushim’. (1 Selanikasve 5:17) Ai mezi pret t’i dëgjojë mendimet dhe shqetësimet e tua më të thella. (Filipianëve 4:6) Kur lutesh me familjen, ata do të kuptojnë sa real është Perëndia për ty.

Duhet jo vetëm të flasësh me Perëndinë, por edhe ta dëgjosh. Këtë mund ta bësh duke studiuar Fjalën e tij dhe botimet biblike. (Psalmi 1:1, 2) Medito për atë që mëson. (Psalmi 77:11, 12) Të dëgjosh Perëndinë do të thotë edhe të ndjekësh rregullisht mbledhjet e krishtere.—Psalmi 122:1-4.

Një mënyrë tjetër e rëndësishme për të forcuar marrëdhënien me Jehovain, është duke folur me të tjerët për të. Sa më shumë të flasësh me ta, aq më afër tij do të ndihesh.—Mateu 28:19, 20

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Programo që çdo ditë të lexosh Biblën dhe të lutesh

  • Si familje, vërini veprimtaritë frymore para argëtimit dhe çlodhjes

2 BËJ NJË ADHURIM FAMILJAR TË KËNDSHËM

ÇFARË THOTË BIBLA: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Është e nevojshme të bësh një program të rregullt për adhurimin familjar dhe t’i përmbahesh atij. (Zanafilla 18:19) Por jo vetëm kaq. Perëndia duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme. Forcoje marrëdhënien që ka familja me Perëndinë, duke folur për të «kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh». (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Vër synim të jesh si Josiu, që tha: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.»—Josiu 24:15.

JA Ç’MUND TË BËSH:

  • Mbaj një program të rregullt për të stërvitur familjen duke marrë parasysh nevojat e çdo pjesëtari të familjes