Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mateu, kapitujt 5-7

Mateu, kapitujt 5-7

5 Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal dhe, pasi u ul, dishepujt i shkuan pranë. 2 Atëherë ai nisi të fliste a dhe t’i mësonte:

3 «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë, b sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë me natyrë të butë, c sepse do të trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësinë, sepse do të ngopen!

7 Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!

8 Lum ata që kanë zemër të pastër, sepse do të shohin Perëndinë!

9 Lum paqebërësit, d sepse do të quhen bij të Perëndisë!

10 Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve!

11 Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim! 12 Gëzoni dhe ngazëlloni, se i madh është shpërblimi juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.

13 Ju jeni kripa e tokës. Mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur përtokë që të shkelet me këmbë.

14 Ju jeni drita e botës. Një qytet nuk mund të fshihet nëse ndodhet në mal. 15 Një llambë nuk ndizet për t’u vënë nën shinik, e por për t’u vënë në mbajtësen e vet që të ndriçojë për gjithë ata që janë në shtëpi. 16 Po njësoj le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.

17 Mos mendoni se erdha të zhvlerësoj f Ligjin ose Profetët. Nuk erdha për të zhvlerësuar, por për të përmbushur. 18 Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli e toka, sesa të zhdukej pa u përmbushur qoftë edhe shkronja më e vogël ose një pjesëz shkronje nga Ligji. 19 Prandaj, kushdo që shkel një nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe i mëson edhe të tjerët të bëjnë kështu, do të quhet i padenjë g për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton ato dhe ua mëson të tjerëve, do të quhet i denjë h për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. 20 Vërtet po ju them se, nëse drejtësia juaj nuk qëndron më lart se ajo e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve.

21 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos vrit, dhe kushdo që kryen një vrasje, do të japë llogari para gjyqit.’ 22 Megjithatë unë po ju them se kushdo që ushqen zemërim kundër vëllait të vet, i do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që e fyen rëndë vëllanë e vet me fjalë të turpshme do të japë llogari para Gjykatës së Lartë dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i marrë e i poshtër!’, rrezikon të dënohet në Gehenën j e zjarrtë.

23 Nëse ti, pra, po sjell flijimin k tënd në altar dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24 lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.

25 Rregulloji shpejt punët me kundërshtarin tënd sa je ende rrugës me të për në gjyq, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi te nëpunësi i gjyqit, e kështu të futesh në burg. 26 Me të vërtetë po të them se nuk ke për të dalë që andej pa paguar edhe monedhën e fundit. l

27 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’ a 28 Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemër. 29 Nëse syri i djathtë po të bëhet pengesë, b hiqe dhe flake tej, sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë c i gjithë trupi. 30 Gjithashtu, nëse dora e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej, sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë d i gjithë trupi.

31 Veç kësaj është thënë: ‘Kushdo që e divorcon gruan, le t’i japë asaj një certifikatë divorci.’ 32 Megjithatë unë po ju them se ai që e divorcon gruan, përveç rastit kur ajo kryen imoralitet seksual, e e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar, f kryen kurorëshkelje.

33 Përsëri, ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos u beto më kot, por mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.’ g 34 Megjithatë unë po ju them: mos u beto fare as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, sepse është stoli i këmbëve të tij dhe as për Jerusalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse s’e bën dot të bardhë a të zezë qoftë edhe një fije floku. 37 Mjafton të thuash «po» e të jetë «po», dhe «jo» e të jetë «jo», sepse çdo gjë që thuhet përtej këtyre, vjen nga i Ligu.

38 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’ 39 Megjithatë unë po ju them: mos ia kthe flakë për flakë njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40 Dhe, nëse dikush do që të të hedhë në gjyq e të marrë veshjen tënde, h jepi edhe mantelin. i 41 Gjithashtu, nëse dikush me autoritet të detyron të ecësh j me të një kilometër, k shko me të dy kilometra. 42 Jepi atij që të kërkon ndihmë dhe mos i kthe krahët atij që të kërkon borxh. l

43 Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd a dhe urreje armikun.’ 44 Megjithatë unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, 45 që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46 E nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? A nuk bëjnë njësoj edhe taksambledhësit? 47 Nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga kombet e tjera? 48 Prandaj jini të përsosur, b ashtu si është i përsosur Ati juaj qiellor.

6 Kini kujdes që të mos bëni vepra të drejta vetëm për të rënë në sy të njerëzve, përndryshe nuk do të merrni asnjë shpërblim nga Ati juaj që është në qiej. 2 Prandaj, kur t’u japësh dhurata të varfërve, c mos i bjer trumbetës si bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugë, që të marrin lavdi nga njerëzit. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 3 Por, kur t’u japësh dhurata të varfërve, dora e majtë të mos e dijë ç’po bën e djathta, 4 që dhuratën ta japësh në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

5 Gjithashtu, kur të luteni, mos jini si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në kryqëzimet e rrugëve kryesore, që njerëzit t’i shohin. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 6 Por, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. 7 Kur të lutesh, mos përsërit gjithnjë të njëjtat gjëra, si bëjnë njerëzit nga kombet e tjera, të cilët kujtojnë se do të dëgjohen ngaqë përdorin shumë fjalë. 8 Mos jini si ata, sepse Ati juaj e di për çfarë keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.

9 Ju lutuni në këtë mënyrë:

«‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë d emri yt. 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë! 11 Na e jep bukën për këtë ditë 12 dhe na i fal mëkatet, e sikurse edhe ne i kemi falur ata që kanë mëkatuar kundër nesh. f 13 E mos lejo të biem g në tundim, por na çliro h nga i Ligu.’

14 Se po t’ua falni njerëzve shkeljet, i edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju; 15 por, po të mos ua falni njerëzve shkeljet, as Ati juaj qiellor nuk do t’i falë shkeljet tuaja.

16 Kur të agjëroni, mos e ngrysni më fytyrën si hipokritët, sepse ata shfytyrohen j që njerëzit t’i shohin se po agjërojnë. Vërtet po ju them: ata e kanë marrë tashmë të plotë shpërblimin e tyre. 17 Por, kur të agjërosh, lyeje kokën me vaj dhe laje fytyrën, 18 që të mos të shohin njerëzit se po agjëron, por vetëm Ati yt që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që po sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

19 Mos grumbulloni më thesare në tokë, ku brejnë mola dhe ndryshku, dhe ku hajdutët hyjnë e vjedhin. 20 Më mirë grumbulloni thesare në qiell, ku nuk bren as mola, as ndryshku, dhe ku hajdutët nuk hyjnë e nuk vjedhin. 21 sepse ku të jetë thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote.

22 Llamba e trupit është syri. Prandaj, nëse syri yt është i përqendruar, k gjithë trupi do të jetë i ndriçuar. l 23 por, nëse syri yt është lakmitar, a gjithë trupi do të jetë i errët. Në të vërtetë, nëse drita jote kthehet në errësirë, ah, sa e madhe do të jetë kjo errësirë!

24 Askush s’mund të jetë skllav i dy zotërinjve: ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të qëndrojë besnik ndaj njërit e do të përçmojë tjetrin. Ju s’mund të jeni skllevër edhe të Perëndisë, edhe të Pasurisë.

25 Për këtë arsye po ju them: mos jini më në ankth për jetën b tuaj, se ç’do të hani ose ç’do të pini, as për trupin tuaj, se ç’do të vishni. A nuk ka më shumë vlerë jeta c se ushqimi, dhe trupi më shumë se veshja? 26 Vështroni me kujdes zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në depo, e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë se ata? 27 Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë qoftë edhe një çast d jetës së vet? 28 Gjithashtu, pse jeni në ankth për veshjen? Shihni si rriten zambakët e fushës dhe mësoni prej tyre. Ata as robtohen, as tjerrin, 29 e megjithatë unë po ju them se as Solomoni, me gjithë madhështinë e tij, nuk ishte i veshur si një prej tyre. 30 Tani, nëse Perëndia i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në zjarr, e a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, ju që keni kaq pak besim?! 31 Prandaj mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’, 32 sepse të gjitha këto i kërkon me etje bota, f por Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.

33 Vazhdoni, pra, të kërkoni në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen. 34 Prandaj mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjaftojnë hallet e veta.

7 Mos gjykoni më, që të mos gjykoheni, 2 sepse do t’ju gjykojnë me po atë gjykim që gjykoni, dhe do t’ju matin me po atë masë që matni. 3 Pse, atëherë, shikon lëmishten në syrin e vëllait dhe nuk vëren traun në syrin tënd? 4 Si mund t’i thuash vëllait: ‘Prit pak të të heq lëmishten nga syri’, kur për vete ke një tra në sy? 5 Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh qartë si të heqësh lëmishten nga syri i vëllait.

6 Mos u jepni qenve atë që është e shenjtë, as margaritarët tuaj mos ua hidhni derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen e t’ju shqyejnë.

7 Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni me ngulm dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet; 8 sepse kush kërkon, merr, kush kërkon me ngulm, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet. 9 Në të vërtetë, kush nga ju, kur i biri t’i kërkojë bukë, do t’i japë një gur?! 10 Apo nëse i kërkon një peshk, mos do t’i japë një gjarpër?! 11 Prandaj, nëse ju, edhe pse mëkatarë, g dini t’u jepni fëmijëve tuaj dhurata të mira, aq më shumë Ati juaj që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

12 Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta, sepse kjo është domethënia e Ligjit dhe e Profetëve.

13 Hyni nga porta e ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe h është rruga që të çon në shkatërrim, dhe shumë hyjnë nga ajo.

14 Por e ngushtë është porta dhe e vogël i rruga që të çon në jetë, dhe pak e gjejnë atë.

15 Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër të pangopur. 16 Do t’i njihni ata nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga gjembaçët?! 17 Po njësoj, çdo pemë e mirë prodhon fryt të mirë, kurse çdo pemë e kalbur prodhon fryt të keq. 18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryt të keq, dhe as një pemë e kalbur nuk mund të prodhojë fryt të mirë. 19 Çdo pemë që nuk prodhon fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr. 20 Prandaj do t’i njihni ata njerëz nga frytet e tyre.

21 Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në Mbretërinë e qiejve, por do të hyjë vetëm ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. 22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?’ 23 E megjithatë unë do t’u them: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni vepra të paligjshme!’ j

24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i zbaton, është si një njeri i mençur, k i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në shkëmb. 25 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe u përplasën me forcë pas shtëpisë, por ajo s’u shemb, sepse e kishte themelin në shkëmb. 26 Por, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe nuk i zbaton, është si një njeri mendjelehtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në rërë. 27 Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe e goditën shtëpinë, dhe ajo u shemb dhe u shkatërrua e tëra.»

28 Kur Jezui i mbaroi këto fjalë, turma mbeti e mahnitur nga mënyra si mësonte, 29 sepse ai mësonte si njeri me autoritet dhe jo si skribët e tyre.

a Fjalë për fjalë «ai hapi gojën».

b Ose «ata që lypin për frymën e Perëndisë». Fjalë për fjalë «të varfrit në frymë».

c Ose «zemërbutë».

d Ose «ata që janë paqësorë».

e Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.

f Fjalë për fjalë «të shkatërroj».

g Fjalë për fjalë «më i vogli».

h Fjalë për fjalë «i madh».

i Domethënë, kundër një bashkëbesimtari.

j Vendi ku digjeshin plehrat jashtë Jerusalemit. Emri grek për Luginën e Hinomit, që ndodhej në jug e në jugperëndim të Jerusalemit të lashtë. Nuk ka dëshmi se njerëzit apo kafshët hidheshin në Gehenë që të digjeshin të gjallë ose të torturoheshin. Prandaj, ajo nuk mund të simbolizonte një vend të padukshëm ku shpirtrat e njerëzve torturohen përjetësisht në një zjarr të mirëfilltë. Përkundrazi, Jezui dhe dishepujt e tij e përdorën Gehenën si simbol të shkatërrimit ose të asgjësimit të përhershëm.

k Domethënë, një dhuratë për Perëndinë.

l Fjalë për fjalë «kuadranin e fundit». Shih Shtojcën B14.

a Ose «tradhti bashkëshortore».

b Ose «të bën të mëkatosh».

c Shih Fjalorthin.

d Shih Fjalorthin.

e Vjen nga termi grek porneía, që në Shkrime u referohet disa lloj marrëdhëniesh seksuale që Perëndia i ndalon. Përfshin kurorëshkeljen, prostitucionin, marrëdhëniet seksuale midis dy të pamartuarve, marrëdhëniet homoseksuale dhe marrëdhëniet seksuale me kafshë.

f Domethënë, me një grua që nuk është divorcuar për shkak të imoralitetit seksual.

g Shih Shtojcën A5.

h Ose «veshjen e brendshme».

i Ose «veshjen e sipërme».

j Fjalë për fjalë «të kryesh shërbim të detyruar».

k Fjalë për fjalë «milje». Shih Shtojcën B14.

l Domethënë, hua pa përqindje interesi.

a Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.

b Ose «të plotë».

c Ose «lëmoshë».

d Ose «u konsideroftë i shenjtë».

e Fjalë për fjalë «borxhet».

f Fjalë për fjalë «borxhlinjtë tanë».

g Fjalë për fjalë «mos na ço».

h Ose «shpëto».

i Ose «fajet».

j Ose «lënë pas dore pamjen e tyre».

k Ose «i kthjellët». Fjalë për fjalë «i thjeshtë».

l Ose «plot dritë».

a Domethënë, që kërkon shumë gjëra. Fjalë për fjalë «i keq; i lig».

b Ose «për shpirtin».

c Ose «shpirti».

d Fjalë për fjalë «një kut». Shih Shtojcën B14.

e Ose «në furrë».

f Fjalë për fjalë «kombet». Shih Fjalorthin.

g Fjalë për fjalë «të ligj».

h Ose «e lehtë».

i Ose «e vështirë».

j Kjo fjalë shpesh nënkupton shpërfillje ndaj ligjeve të Perëndisë

k Ose «i matur».