Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

REPUBLIKA DOMENIKANE

Në një hap me rritjen

Në një hap me rritjen

‘Njerëz të çdo lloji duhet të shpëtojnë’

Vullneti i Jehovait është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Në harmoni me këtë pikëpamje hyjnore, Dëshmitarët e Jehovait në Republikën Domenikane janë përpjekur sinqerisht të takojnë njerëz në çdo skaj të territorit, edhe ata që janë në burgje.

Në 1997-n një çift pionierësh specialë po bënin vizitën e përjavshme në burgun Nakajo në San-Kristobal kur takuan Glorian, një grua kolumbiane 23-vjeçare, e burgosur për trafikim droge. Dikur kishte bërë biseda me një motër të burgosur pa të drejtë. Që t’u përgjigjeshin pyetjeve të Glorias për Biblën, Dëshmitarët i çuan librin Të arsyetojmë nga Shkrimet dhe botime të tjera. Entuziazmi dhe zelli i saj për të mësuar ndikuan te të burgosur të tjerë, ndaj grupi që vizitonin çdo javë vazhdoi të rritej.

E vërteta e ndryshoi kokë e këmbë Glorian, aq sa më 1999 u bë lajmëtare e papagëzuar. Çdo muaj predikonte mbi 70 orë në burg, në territorin e saj, dhe drejtonte gjashtë studime biblike që përparonin. Më pas, në vitin 2000 bëri kërkesë për falje nga presidenti, dhe iu miratua për sjellje të mirë. E liruan dhe e kthyen në Kolumbi. Me të mbërritur në vendin e saj, më 2001, u pagëzua edhe pse familjarët e kundërshtuan egërsisht për këtë vendim.

Gloria Kardona e mësoi të vërtetën në burg. Tani është pioniere me të shoqin

Pasi u pagëzua, Gloria filloi të shërbente si pioniere. U martua me një vëlla që shërben si plak, dhe të dy janë pionierë të rregullt. Sot shërbejnë në një zonë të Kolumbisë ku ka më shumë nevojë. Gloria ka ndihmuar disa nga studentët e saj deri në kushtim e pagëzim. Ajo thotë se ndihet borxhlie ndaj Jehovait dhe mënyra më e mirë që t’ia lajë borxhin është t’i ndihmojë të tjerët të njohin të vërtetën, ashtu siç e ndihmuan atë vetë.

Siç tregon përvoja e Glorias, shufrat e hekurit nuk i pengojnë dot të burgosurit të mësojnë të vërtetat jetëshpëtuese. Kohët e fundit përfaqësues nga dega u takuan me autoritete të Zyrës së Përgjithshme të Burgjeve për leje që të hynin në më shumë burgje e të drejtonin studime biblike. Si pasojë, 43 vëllezërve dhe 6 motrave iu dha leje të ndihmonin me arsimimin biblik në 13 burgje.

«Zgjati litarët e tendës sate»

Në fund të shekullit të 20-të në Republikën Domenikane kishte 21.684 lajmëtarë në 342 kongregacione dhe drejtoheshin 34.380 studime biblike. Përkujtimin e ndoqën 72.679 veta. Falë rritjes, populli i Jehovait u është përgjigjur pa ngurruar fjalëve të Isaisë: «Zgjeroje vendin e tendës sate dhe pëlhurat e tabernakullit tënd të madh le të shtrihen pa kursim. Zgjati litarët e tendës sate.»Isa. 54:2.

Një vështirësi ishte ndërtimi i një Salle Asamblesh që të nxinte lajmëtarët që po shtoheshin. Më 1996 pranë degës në Santo-Domingo përfundoi Salla e Asambleve, e cila plotësoi më së miri nevojat e kryeqytetit dhe të zonave përreth. Gjithsesi, edhe Salla e Asambleve në Vija-Gonsales që e përdorte pjesa tjetër e vendit, patjetër që duhej restauruar ose zëvendësuar.

Më 2001 Trupi Udhëheqës miratoi ndërtimin e një Salle Asamblesh me 2.500 vende në pronën tonë në Vija-Gonsales. Përveç kësaj, vëllezërit u emocionuan kur dëgjuan se atje do të bëhej Shkolla e Stërvitjes për Shërbim (tani Shkolla për Ungjillëzuesit e Mbretërisë). Do të ndërtohej ngjitur me Sallën e Asambleve dhe do të kishte dhoma banimi, një klasë, një bibliotekë, një kuzhinë e një dhomë ndenjjeje. Në 2004-n Teodor Xharazi nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e kushtimit për ndërtesat e reja. Që atëherë janë diplomuar 15 klasa.