Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një botë që u përket të gjithëve

Një botë që u përket të gjithëve

Një botë që u përket të gjithëve

«Meqë refugjatët janë një problem global, kërkimi i zgjidhjeve duhet të jetë po ashtu global.»​—Gil Lësheri, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

ÇIFTI i ri u largua në errësirën e natës. I shqetësuar për sigurinë e familjes bashkëshorti nuk humbi kohë, edhe pse kishin një fëmijë të vogël. Kishte dëgjuar se diktatori mizor i vendit po planifikonte një sulm gjakatar në qytetin e tyre. Pas një udhëtimi të lodhshëm prej më shumë se njëqind kilometrash, më në fund familja kaloi kufirin dhe shpëtoi.

Kjo familje e thjeshtë, më vonë u bë e njohur në mbarë botën. Emri i fëmijës ishte Jezu dhe prindërit ishin Maria e Jozefi. Këta refugjatë nuk u larguan nga vendi i tyre për të kërkuar pasuri materiale. Përkundrazi, gjendja ishte kërcënuese për jetën. Shënjestra e sulmit ishte vetë fëmija i tyre!

Si shumë refugjatë të tjerë, së fundi, kur gjendja politike u përmirësua, Jozefi dhe familja e tij u kthyen në vendlindje. Por, pa dyshim, ikja në kohën e duhur i ndihmoi që të shpëtonin jetën e fëmijës së vogël. (Mateu 2:13-16) Egjipti, vendi që i mikpriti, njihej se gjithnjë i kishte pranuar refugjatët, si ata politikë, ashtu dhe ata ekonomikë. Shumë shekuj më parë, paraardhësit e Jezuit ishin strehuar në Egjipt, kur vendin e Kanaanit e kishte shkretuar zia e bukës.​—Zanafilla 45:9-11.

Të shpëtuar, por jo të kënaqur

Shembujt biblikë dhe ata të ditëve tona dëshmojnë se ikja në një vend tjetër mund të përcaktojë ndryshimin ndërmjet jetës dhe vdekjes. Sidoqoftë, braktisja e shtëpisë mbetet ende një përvojë tronditëse për çdo familje. Sado e thjeshtë që të jetë kjo shtëpi, mund të nënkuptojë vite të tëra investimi në kohë e në para. Gjithashtu, ajo mund të jetë një trashëgimi familjare që i lidh me kulturën dhe vendin e tyre. Për më tepër, refugjatët mund të marrin me vete pak zotërime materiale, nëse u lejohet të marrin. Për këtë arsye, refugjatët zhyten gjithnjë në varfëri, pavarësisht nga rrethanat e tyre të mëparshme.

Nëse duket se e ardhmja s’premton gjë tjetër veçse jetën në një kamp refugjatësh, ndjenja fillestare e lehtësimit për arritjen e sigurisë mund të shuhet shpejt. Dhe sa më shumë të zgjatë gjendja si refugjat, aq më e padurueshme mund të bëhet kjo gjendje, veçanërisht nëse nuk arrihet përshtatja me popullin vendas. Si çdo njeri, refugjatët dëshirojnë të zënë rrënjë diku. Një kamp refugjatësh vështirë se është një vend ideal për të krijuar familje. A do të vijë përfundimisht koha kur të gjithë do të kenë një vend që ta quajnë shtëpinë e tyre?

A është zgjidhja riatdhesimi?

Gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të, rreth nëntë milionë njerëz të shpërngulur u kthyen më në fund në shtëpitë e tyre. Për disa nga këta njerëz, ky ishte një rast i gëzueshëm dhe me zell iu futën punës për të rindërtuar jetën e tyre. Por, për të tjerë, ishte thjesht një nënshtrim ndaj situatës. U kthyen vetëm sepse gjendja në vendin ku strehoheshin ishte bërë e padurueshme. Problemet që hasnin në mërgim ishin kaq të shumta, saqë vendosën se do të ishte më mirë të ktheheshin në shtëpi, me gjithë pasigurinë që pa dyshim i priste.

Edhe në rrethanat më të mira, riatdhesimi përfshin vështirësi, sepse nënkupton shpërngulje të plotë për herë të dytë. «Çdo zhvendosje shoqërohet me humbje të mjeteve të jetesës, si: toka, puna, shtëpia dhe bagëtitë,​—shpjegon The State of the World’s Refugees 1997-98.​—Dhe çdo zhvendosje shënon fillimin e një procesi të vështirë rivendosjeje.» Një studim mbi refugjatët e riatdhesuar në Afrikën Qendrore, raportoi se «për refugjatët që merrnin asistencë kur ishin në mërgim, rikthimi mund të jetë më i vështirë sesa vetë përvoja e mërgimit».

Megjithatë, edhe më e dhembshme është gjendja e miliona refugjatëve të cilët detyrohen të rikthehen kundër dëshirës në vendin e tyre. Çfarë kushtesh i presin? Një raport i Kombeve të Bashkuara tha: «Të rikthyerve mund t’u duhet të mbijetojnë në një situatë ku vështirë se ka ligj, ku janë të përhapura bandat dhe krimet e dhunshme, ku ushtarët e çmobilizuar plaçkitin popullsinë civile dhe armët e lehta janë në dispozicion të shumicës së popullsisë.» Duket qartë se një mjedis i tillë armiqësor, nuk i kënaq nevojat bazë për siguri të këtyre njerëzve të shpërngulur.

Ndërtimi i një bote ku çdo njeri është i sigurt

Nëse nuk zbulohen shkaqet thelbësore të problemit të refugjatëve, riatdhesimi i detyruar ose kundër dëshirës nuk do t’i zgjidhë kurrë ato probleme. Znj. Sadako Ogata, ish-Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, në vitin 1999 tha: «Ngjarjet e këtij dhjetëvjeçari​—e sidomos ato të vitit të kaluar​—tregojnë shumë qartë se problemi i refugjatëve nuk mund të shqyrtohet pa marrë parasysh sigurinë e tyre.»

Tashmë, miliona njerëz rreth botës po vuajnë nga një mungesë e madhe sigurie. Kofi Anani, sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, shpjegon: «Në disa pjesë të botës, shtetet janë rrënuar për shkak të konflikteve të brendshme dhe konflikteve midis tyre, duke mos u siguruar një mbrojtje të vërtetë shtetasve të tyre. Gjetkë, siguria e njerëzve është rrezikuar nga vetë qeveritë të cilat nuk pranojnë të veprojnë për hir të interesit të përbashkët. Këto qeveri i përndjekin kundërshtarët e tyre dhe dënojnë pjesëtarët e pafajshëm të grupeve minoritare.»

Luftërat, përndjekjet dhe dhuna etnike​—shkaqet thelbësore të pasigurisë që përshkroi Kofi Anani​—zakonisht i kanë rrënjët në urrejtjen, paragjykimet dhe në padrejtësinë. Këto gjëra të këqija nuk do të çrrënjosen me lehtësi. A do të thotë kjo se problemi i refugjatëve do të keqësohet në mënyrë të pashmangshme?

Nëse gjërat do të liheshin në duart e njerëzve, pa dyshim që përfundimi do të ishte i tillë. Por, në Bibël Perëndia premton se «ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës». (Psalmi 46:9) Nëpërmjet profetit të tij Isaia, në mënyrë të ngjashme ai përshkruan një kohë kur njerëzit «do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. . . . Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur, sepse do të jenë pasardhësit e të bekuarve të Zotit dhe trashëgimtarët e tyre bashkë me ta». (Isaia 65:21-23) Kushte të tilla sigurisht do ta zhduknin problemin e refugjatëve. A janë të arritshme këto kushte?

«Meqë lufta fillon në mendjen e njerëzve, pikërisht në mendjen e tyre duhet ndërtuar mbrojtja e paqes»,​—thuhet në preambulën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Krijuesi ynë e di mirë se nevojitet një ndryshim i mënyrës së të menduarit. E njëjta profeci shpjegon arsyen se përse një ditë, çdo njeri në tokë do të banojë në siguri: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.»​—Isaia 11:9.

Dëshmitarët e Jehovait e kanë zbuluar tashmë se njohuria e Jehovait mund t’i mposhtë paragjykimet dhe urrejtjen. Në veprën e tyre ndërkombëtare të predikimit, ata përpiqen që të nxitin vlerat e krishtere, të cilat rrënjosin dashurinë në vend të urrejtjes, madje edhe në vendet e shkretuara nga lufta. Gjithashtu, u ofrojnë refugjatëve çfarëdo ndihme të arsyeshme që mund t’u japin.

Nga ana tjetër, e kuptojnë se zgjidhja përfundimtare e problemit të refugjatëve gjendet te Mbreti i emëruar i Perëndisë, Jezu Krishti. Ai me siguri e kupton se sa lehtë mund ta shkatërrojë jetën e njerëzve urrejtja dhe dhuna. Bibla na siguron se ai do t’i gjykojë të përulurit me drejtësi. (Isaia 11:1-5) Nën sundimin e tij qiellor, vullneti i Perëndisë do të bëhet në tokë, siç është bërë në qiell. (Mateu 6:9, 10) Kur të vijë ajo ditë, askujt nuk do t’i duhet më kurrë të bëhet refugjat. Çdo njeri do të ketë një vend që ta quajë shtëpinë e tij.

[Kutia në faqen 12]

Çfarë nevojitet për të zgjidhur problemin e refugjatëve?

«Kudo në botë, plotësimi i nevojave të njerëzve të shpërngulur​—si të refugjatëve, ashtu edhe të të shpërngulurve brenda vendit​—është shumë më i ndërlikuar sesa thjesht dhënia e një ndihme dhe sigurie afatshkurtër. Përfshin zhdukjen e përndjekjes, të dhunës dhe të konflikteve që shkaktojnë shpërnguljen. Përfshin pranimin e së drejtës që ka çdo njeri, burrë, grua e fëmijë, për të gëzuar paqe, siguri dhe dinjitet, pa iu dashur të largohen nga shtëpitë e tyre.»​—The State of the World’s Refugees 2000.

[Kutia dhe figurat në faqen 13]

Çfarë zgjidhjeje siguron Mbretëria e Perëndisë?

«Kudo në tokë do të ketë drejtësi dhe ndershmëri. Pasi çdo njeri do të bëjë atë që është e drejtë, përgjithmonë do të ketë paqe dhe siguri. Populli i Perëndisë do të jetë i çliruar nga shqetësimet dhe shtëpitë do të jenë në paqe dhe të sigurta.»​—Isaia 32:16-18, Today’s English Version.