Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më në fund paqe në tokë!

Më në fund paqe në tokë!

DISA mendojnë se vetëm nëpërmjet dhunës do të fitojnë lirinë politike dhe pastërtinë fetare, se vetëm me anë të forcës shkatërruese mund të hiqen sundimtarët e padëshiruar. Gjithashtu, disa qeveri e përdorin terrorin për të ruajtur rendin e për t’i mbajtur të nënshtruar shtetasit. Por nëse terrorizmi është vërtet një mjet i efektshëm për të sunduar dhe për reforma shoqërore, ai duhej të sillte paqe, begati dhe stabilitet. Pas njëfarë kohe, dhuna dhe frika duhej të zhdukeshin. A keni parë që të sjellë rezultate të tilla?

E vërteta është se terrorizmi minon respektin për jetën dhe çon në gjakderdhje e në mizori. Për shkak të dhembjes, shpesh viktimat hakmerren. Kjo çon në një shtypje më të egër, dhe kjo e fundit në hakmarrje të mëtejshme.

Dhuna nuk i zgjidh problemet tona

Njerëzit janë përpjekur për mijëra vjet t’i zgjidhin vetë problemet politike, fetare dhe shoqërore. Por të gjitha orvatjet e tyre kanë dështuar. Është e vërtetë ajo që thotë Bibla: «Unë e di mirë, o Jehova, se nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Jezui tha: «Mençuria del e drejtë me anë të veprave të veta.» (Mateu 11:19) Po t’i zbatojmë në një kuptim më të gjerë, këto parime biblike nënkuptojnë që terrorizmi është një shpresë e kotë. Frytet e terrorizmit nuk kanë qenë liria dhe lumturia, por përkundrazi, vdekja, mjerimi dhe rrënimi. Këto fryte të hidhura mbushën shekullin e 20-të dhe po fillojnë të vërshojnë edhe në shekullin e 21-të. Shumë veta do të thoshin se terrorizmi jo vetëm që nuk është zgjidhja, por përkundrazi, është një nga problemet që kemi.

«Çdo ditë shpresoj që askush nga familja ose miqtë e mi të mos vdesë. . . . Mbase kemi nevojë për ndonjë mrekulli.» Këto fjalë shkroi një vajzë, atdheu i së cilës u bë shkrumb e hi nga dhuna terroriste. Fjalët e saj nxjerrin në pah përfundimin që kanë nxjerrë shumë veta: zgjidhja e problemeve të njeriut është përtej fuqive njerëzore. Vetëm Krijuesi i njerëzimit mund të zgjidhë problemet që ka bota sot, përfshirë edhe terrorizmin. Por, përse duhet të kemi besim te Perëndia?

Pse Perëndia është i denjë për besim?

Një arsye është se, si Krijues, Jehovai na dha jetën dhe dëshiron që ne ta gëzojmë atë, të kemi paqe dhe kënaqësi. Profeti i Perëndisë, Isaia u frymëzua të shkruante: «Ti, o Jehova, je Ati ynë. Ne jemi argjila, dhe ti je Poçari ynë. Që të gjithë jemi vepër e duarve të tua.» (Isaia 64:8) Jehovai është Ati i njerëzimit dhe njerëzit e të gjitha kombeve janë të çmuar për të. Ai nuk ka faj për urrejtjen dhe padrejtësitë që çojnë në terrorizëm. Një herë mbreti i mençur Solomon tha: «Perëndia i vërtetë i bëri njerëzit të drejtë, por ata kanë kërkuar marifete të shumta.» (Eklisiastiu 7:29) Në rrënjë të terrorizmit është ligësia e njeriut dhe ndikimi demonik, dhe jo paaftësia e Perëndisë.​—Efesianëve 6:11, 12.

Një arsye tjetër përse mund të kemi besim te Jehovai është se meqë krijoi njerëzit, ai e kupton më mirë se kushdo shkakun e problemeve të njerëzimit dhe di si t’i zgjidhë ato. Bibla e thotë këtë të vërtetë te Proverbat 3:19: «Jehovai e themeloi tokën me mençuri. Me aftësi dalluese ai i nguliti fort qiejt.» Me besim të plotë te Perëndia, një njeri në kohët e lashta shkroi: «Nga do të më vijë ndihma? Ndihma më vjen nga Jehovai, Bërësi i qiellit dhe i tokës.»​—Psalmi 121:1, 2.

Ka edhe një arsye të tretë se përse duhet të kemi besim te Perëndia: ai e ka fuqinë për t’i dhënë fund dhunës e gjakderdhjes. Në kohën e Noesë, «toka . . . u mbush me dhunë». (Zanafilla 6:11) Gjykimi i Perëndisë ishte i shpejtë dhe i plotë: «[Perëndia] nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, . . . kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm.»​—2 Pjetrit 2:5.

Bibla na jep një mësim, që duhet ta ngulitim në mendje, nga Përmbytja e ditëve të Noesë: «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me përkushtim hyjnor, dhe t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen.» (2 Pjetrit 2:9) Perëndia mund të bëjë dallimin midis atyre që me sinqeritet duan një jetë më të mirë dhe atyre që ua nxijnë jetën të tjerëve. Këta të fundit i ka lënë mënjanë për ‘shkatërrimin e njerëzve të paperëndishëm’. Por për ata që dëshirojnë paqen, ai po përgatit një tokë të re ku do të banojë drejtësia.​—2 Pjetrit 3:7, 13.

Përgjithmonë paqe në tokë!

Shpesh shkrimtarët e Biblës përdornin fjalën «tokë» kur i referoheshin njerëzimit. Për shembull, te Zanafilla 11:1 thuhet se «gjithë toka», pra njerëzit që jetonin në atë kohë, flitnin të njëjtën gjuhë. Apostulli Pjetër kishte ndër mend këtë kuptim kur shkroi për «një tokë të re». Perëndia Jehova do ta ripërtërijë shoqërinë njerëzore në mënyrë të atillë që drejtësia të zëvendësojë dhunën dhe urrejtjen e të jetë «banore» e përhershme në tokë. Në profecinë e Mikesë 4:3, Bibla na thotë: «Ai do të gjykojë mes shumë popujve dhe do t’i ndreqë gjërat për kombe të fuqishme e të largëta. Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»

Si do të jetojnë njerëzit kur të plotësohet kjo profeci? Mikea 4:4 thotë: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.» Në tokën parajsore, askush nuk do të jetojë me frikën e ndonjë sulmi terrorist. A mund t’i besoni këtij premtimi? Po, «sepse Jehovai i ushtrive ka folur me gojën e tij».​—Mikea 4:4.

Kështu pra, teksa kërcënimet terroriste shtohen dhe kombet dridhen nga frika e dhunës, zgjidhja për ata që duan paqen është të kenë besim te Jehovai. Nuk ka problem që ai të mos e zgjidhë. Ai do të zhdukë padrejtësitë, vuajtjet, madje edhe vdekjen. Bibla thotë: «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.» (Isaia 25:8) Në trojet e shtrenjta të shumë popujve, ku tani si pasojë e terrorizmit mbizotërojnë dhembjet dhe frika, së shpejti do të vërshojnë frytet e paqes. Kjo paqe e premtuar nga Perëndia «që nuk mund të gënjejë», është pikërisht ajo për të cilën ka aq shumë nevojë njerëzimi.​—Titi 1:2; Hebrenjve 6:17, 18.