Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lakuriqi i natës më i vogël në botë

Lakuriqi i natës më i vogël në botë

Lakuriqi i natës më i vogël në botë

● Në vitin 1973, biologu tajlandez Kiti Tonklonja dhe ekipi i tij mblodhën më shumë se 50 lakuriqë nate të paidentifikuar në shpellat afër ujëvarës së Sej-Jokut në Tajlandë. Ai i dërgoi ekzemplarë dr. Xh. E. Hillit, i cili punonte në Muzeun Britanik të Historisë Natyrore në Londër. Mjerisht, Kiti vdiq para se të merrte vesh që kishte zbuluar një lloj të ri lakuriqi, të cilin Hilli e quajti Craseonycteris thonglongyai për nder të Kitit. Emri i njohur është lakuriqi-hundëderr i Kitit.

Ky është lakuriqi më i vogël që njihet dhe një nga gjitarët më të vegjël. Ai është rreth 30 milimetra i gjatë dhe, kur hap krahët, largësia nga skaji i njërit krah te tjetri arrin rreth 13 centimetra. Ç’është e vërteta, është kaq i vogël saqë quhet lakuriqi-greth në disa vende. Veçori të tjera që spikatin janë hunda si e derrit (që e tregon edhe emri), mungesa e bishtit dhe veshët e mëdhenj që e kanë të fryrë llapëzën trekëndore ose kërcin si kapak për kanalin e dëgjimit.

Habitat i vogël

Ky lakuriq gjendet vetëm në Parkun Kombëtar të Sej-Jokut në Tajlandë dhe në disa zona fqinje në Mjanmar. Si shumë lloje të tjera, kur gjuan insektet, ai e përcakton vendndodhjen e objekteve me anë të jehonës së ultratingujve. Ngaqë ka krahë të gjatë në krahasim me madhësinë e trupit, ky gjitar është i pajisur mirë për të qëndruar pezull, kështu mund ta kapë prenë në gjethet e pemëve. Për të fjetur, kjo kafshë preferon pjesët e sipërme të ngrohta të shpellave gëlqerore me tavanë të lartë dhe me shumë kthina. Në këto vende janë më të sigurt dhe humbasin pak nxehtësi nga trupi, faktor mjaft i rëndësishëm për gjallesat e vockla me gjak të ngrohtë. Ç’instinkte dhe aftësi të mrekullueshme u ka dhënë Krijuesi këtyre krijesave të vogla mahnitëse!—Zbulesa 4:11.

Ngaqë lakuriqi-hundëderr i Kitit është jashtëzakonisht i rrallë dhe ka territor të vogël, mbijetesa e tij rrezikohet, po të mos përmirësohet habitati. Janë bërë përpjekje për një mbrojtje më të mirë, por shpyllëzimi, prerja e drurëve, ndërtimi i rrugëve dhe turizmi mbeten ende një kërcënim. Vetëm koha do ta tregojë nëse ky gjitar i vockël është aq i fortë sa t’i rezistojë sulmit të ashpër që po i bën njeriu habitatit të tij të brishtë.

[Kutia dhe figura në faqen 21]

MË I MADHI DHE MË I VOGLI

Ekzistojnë gati 1.000 lloje lakuriqësh dhe janë të vetmit gjitarë që fluturojnë. Lakuriqët më të mëdhenj (1), që quhen dhelpra fluturuese, mund të kenë një hapje krahësh më shumë se 1,5 metra dhe të peshojnë mbi një kilogram. Në krahasim me to, te lakuriqi-hundëderr i Kitit (2) hapja e krahëve është rreth 13 centimetra dhe ai peshon vetëm 2 gramë.

[Burimi i figurës në faqen 21]

Fotografitë: © Merlin D. Tuttle, Bat Conservation International, www.batcon.org