Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shtatë thënie të mençura

Shtatë thënie të mençura

Shtatë thënie të mençura

THËNIET e mëposhtme janë marrë nga një libër i lashtë plot shprehje proverbiale të vërtetuara që janë praktike dhe të kohës. Shikoni se si mund t’ju ndihmojnë të administroni paratë.

1. «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.» (Eklisiastiu 5:10) Këto fjalë nuk i tha një njeri ziliqar dhe i vobektë. Ato i shkroi mbreti Solomon i Izraelit, një nga njerëzit më të pasur që ka njohur historia. Ai i shkroi në bazë të asaj që kishte parë e provuar. Deklarata të ngjashme kanë bërë edhe disa të pasur të kohëve tona.

2. «Nëse kemi ç’të hamë e ku të futim kokën, të kënaqemi me kaq. Kurse ata që dëshirojnë fort të jenë të pasur, bien në tundim.» (1 Timoteut 6:8, 9, NET Bible) Këto fjalë i shkroi apostulli Pavël, i cili hoqi dorë nga një karrierë e spikatshme dhe u bë dishepull i Jezu Krishtit. Ndryshe nga disa udhëheqës fetarë të sotëm, Pavli i rezistoi çdo tundimi për të përfituar materialisht nga ata që mësonte ose që e shoqëronin. Madje ai mund të thoshte me ndershmëri: «Nuk lakmova argjendin, arin a teshat e askujt. Ju vetë e dini se me këto duar jam përkujdesur për nevojat e mia dhe të atyre që ishin me mua.»​—Veprat 20:33, 34.

3. «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar atë?» (Luka 14:28) Ky ilustrim i Jezuit mund të zbatohet në një situatë të tillë: kur keni për të blerë diçka, sidomos me kartë krediti, a do të bëni blerje impulsive apo do të tregoni durim dhe do të llogaritni koston? A keni vërtet nevojë për të dhe a jua mban xhepi.

4. «Huamarrësi është skllav i huadhënësit.» (Proverbat 22:7, Diodati i Ri) Kriza financiare botërore e kohëve të fundit, ka nxjerrë në pah marrëzinë e kartave të kreditit dhe të formave të tjera të huamarrjes. Siç thotë Majkëll Vagneri në librin që nxori në vitin 2009 Your Money, Day One, në disa vende «sot ndodh rëndom që një njeri të ketë mesatarisht një borxh prej më tepër se 9.000 dollarësh në katër ose më shumë karta krediti së bashku».

5. «I ligu merr hua, por nuk kthen. Kurse i drejti jep hir dhe bën dhurata.» (Psalmi 37:21) Të shpallësh falimentim, nga disa konsiderohet si mënyra më e lehtë për të mos shlyer borxhet. Nga ana tjetër, ata që e vlerësojnë marrëdhënien me Perëndinë, jo vetëm janë të përgjegjshëm për të shlyer borxhin, nëse kanë mundësi, por tregohen edhe bujarë me atë që kanë.

6. «Isha i ri dhe u plaka, por s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur, dhe as pasardhësit e tij të lypin bukë.» (Psalmi 37:25) Këtë e shkroi një njeri që vuajti nga trajtimi i padrejtë. Për vite me radhë jetoi në arrati, ndonjëherë në shpella dhe ndonjëherë kërkonte strehim në vende të huaja. Në fund, ky i arratisur, që ishte Davidi, u bë mbreti i Izraelit të lashtë. Gjatë jetës, e provoi vetë sa të vërteta janë fjalët e mësipërme.

7. «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Këtë e tha njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë. «Për gëzimin që iu vu përpara», Jezui e kaloi gjithë jetën në tokë duke u shërbyer të tjerëve. Tani ai gëzon pavdekësinë si krijesë frymore në qiell në të djathtë të Jehovait, «Perëndisë së lumtur». (Hebrenjve 12:2; 1 Timoteut 1:11) Nuk ka qëllim më të madh në jetë, sesa të imitojmë shembullin e Jezuit duke bërë çmos për të qenë në rrethana që na lejojnë t’u shërbejmë interesave të të tjerëve. Pa dyshim jeni dakord se është më mirë të jesh një kursimtar i kujdesshëm, që të mund të jepni me bujari, sesa një dorëlëshuar egoist.