Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të keni një martesë të suksesshme?

Si të keni një martesë të suksesshme?

Pikëpamja e Biblës

Si të keni një martesë të suksesshme?

«Ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër. A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm. . . . Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.»​—Fjalët e Jezu Krishtit të dokumentuara te Mateu 19:4-6.

NË KËTË botë ku normat ndryshojnë vazhdimisht, martesa nuk vlerësohet më si më parë. Shumë çifte ndahen ose divorcohen në momentin që nuk ka më tërheqje fizike mes tyre ose kur lindin probleme, madje ndonjëherë edhe kur këto probleme janë të vogla. E mjerisht, janë fëmijët që shpesh mbeten të traumatizuar.

Ata që kanë njohuri nga Bibla, nuk habiten nga kjo situatë. Në lidhje me «ditët e fundit», koha në të cilën po jetojmë, Bibla parathoshte se në përgjithësi njerëzit nuk do të kishin cilësitë që i lidhin familjarët me njëri-tjetrin, si për shembull besnikërinë, dashurinë e sinqertë dhe përzemërsinë e natyrshme. (2 Timoteut 3:1-5) A ju shqetëson ky degradim vlerash dhe ndikimi që ka kjo gjë në jetën familjare? A e konsideroni martesën një lidhje të vyer?

Nëse po, mund të marrësh zemër nga Bibla, sepse këshillat e saj të provuara e të vërtetuara vazhdojnë të ndihmojnë shumë çifte. Shqyrtoni, për shembull, vetëm pesë parime që mund ta përmirësojnë jashtë mase një martesë. *

Pesë faktorë kyç për një martesë të suksesshme

(1) Konsiderojeni martesën një lidhje të shenjtë. Siç e tregonin edhe fjalët e Jezuit të cituara majtas, ai dhe Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, e shohin martesën si një lidhje të shenjtë. Kjo del në pah edhe nga këshilla e fortë që u dha Perëndia disa burrave në kohët e lashta, të cilët u divorcuan nga gratë e tyre për t’u martuar me gra më të reja. «Ti e ke shkelur premtimin që i ke bërë gruas me të cilën u martove kur ishe i ri,​—tha Perëndia.—​Ajo ishte shoqja jote dhe ti e ke shkelur premtimin që i bëre, megjithëse i premtove para Perëndisë se do t’i qëndroje besnik.» Pastaj Jehovai tha këto fjalë të forta: «E urrej një veprim të tillë kaq mizor ndaj gruas sate.» (Malakia 2:14-16, Today’s English Version) Është e qartë, se Jehovai nuk e sheh si të parëndësishme martesën; ai i kushton vëmendje mënyrës si e trajtojnë bashkëshortët njëri-tjetrin.

(2) Ji një bashkëshort i përgjegjshëm. Kur në familje dalin çështje të rëndësishme, dikush duhet ta marrë vendimin përfundimtar. Bibla ia cakton burrit këtë rol. «Burri është kreu i gruas së tij»,—thuhet tek Efesianëve 5:23. Por kryesia nuk përligj tiraninë. Burri nuk duhet të harrojë se është «një mish i vetëm» me gruan e tij dhe se duhet ta nderojë e të konsultohet me të për çështjet familjare. (1 Pjetrit 3:7) Bibla këshillon se «burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre».​—Efesianëve 5:28.

(3) Ji një mbështetje për burrin tënd. Bibla tregon se gruaja është «një plotësim» për burrin. (Zanafilla 2:18) Si e tillë, ajo kontribuon në lidhjen martesore me cilësi të rëndësishme. Duke qenë plotësuese e tij, nuk bën konkurrencë me burrin, por e mbështet me dashuri duke nxitur kështu paqen në familje. «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre»,—​thuhet tek Efesianëve 5:22. Po nëse nuk është dakord me të shoqin për ndonjë gjë? Në këtë rast, duhet të ndihet e lirshme për ta shprehur opinionin e saj me dinjitet e respekt, ashtu siç do të donte që edhe ai ti fliste asaj.

(4) Jini realistë dhe përgatituni mendërisht se do të hasni vështirësi. Një martesë mund të sprovohet nga fjalë të pamenduara e të pakëndshme, nga problemet ekonomike, sëmundje të rënda ose nga stresi gjatë rritjes së fëmijëve. Prandaj, Bibla e thotë hapur se ata që martohen «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Korintasve 7:28) Por shtrëngimet ose problemet nuk kanë pse ta dobësojnë martesën. Në fakt kur dy persona e duan njëri-tjetrin dhe zotërojnë mençuri hyjnore, atëherë kanë gjithçka u duhet për të zgjidhur problemet që mund t’i përçajnë. A keni mençurinë e nevojshme për të zgjidhur problemet që mund të lindin në familje? «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri,​—thotë Bibla,—​le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i qortuar.»​—Jakovi 1:5.

(5) Jini besnikë ndaj njëri-tjetrit. Të pakta janë gjërat që e minojnë martesën aq sa kurvëria ose marrëdhëniet seksuale jashtë martese, baza e vetme për divorc që pranon Perëndia. (Mateu 19:9) Bibla thotë: «Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor të jetë pa ndyrësi, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.» (Hebrenjve 13:4) Ç’mund të bëjnë çiftet që të mos tundohen të kërkojnë kënaqësi seksuale jashtë martese? Në Bibël thuhet: «Burri le të plotësojë detyrimin që ka ndaj gruas së vet, por edhe gruaja të bëjë po ashtu ndaj burrit.»​—1 Korintasve 7:3, 4.

Disa mund t’i konsiderojnë këto pesë këshilla si jorealiste ose jo të kohës. Por rezultatet tregojnë të kundërtën. Cilat janë këto rezultate? Janë po ato që ka njeriu i cili kërkon drejtimin e Perëndisë në çdo fushë të jetës: «Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën.» (Psalmi 1:2, 3) Shprehja «çdo gjë» përfshin edhe suksesin në martesë.

[Shënimi]

^ par. 6 Për më shumë informacion për martesën, shih revistën tonë shoqëruese, Kullën e Rojës, 1 shkurt 2011.

A DONI TË DINI?

● Cila është pikëpamja e Perëndisë për divorcin?​—Malakia 2:14-16.

● Si duhet ta trajtojë burri gruan?​—Efesianëve 5:23, 28.

● Mençuria e kujt e bën të suksesshme një martesë?​—Psalmi 1:2, 3.