Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Të rinjtë pyesin

Ç’mund të pres nga martesa?—Pjesa 2

Ç’mund të pres nga martesa?—Pjesa 2

NË NUMRIN E KALUAR, u ndalëm te disa të mira dhe vështirësi që mund të presësh nga martesa.

NË KËTË NUMËR, do të shohim pse duhet të presësh të papriturën.

Vër një ✔ anash pikave që mendon se vlejnë, pastaj caktoju një numër atyre që shënove sipas rëndësisë që kanë për ty.

Pres që bashkëshorti im i ardhshëm . . .

  • të ketë pamje tërheqëse
  • të më bëjë të ndihem mirë me veten
  • të ketë të njëjtat synime si unë
  • t’i pëlqejnë ato lloj zbavitjesh që më pëlqejnë mua

 Nëse po kërkon shokun a shoqen e jetës, s’ka asgjë të keqe të presësh gjërat në faqen e mëparshme. Edhe mund të ndodhë të gjesh dikë që i plotëson të gjitha pikat. Megjithatë, që të jemi realistë, me kalimin e kohës njerëzit ndryshojnë, e po ashtu edhe rrethanat.

Përfundimi: Që të kesh një martesë të suksesshme, duhet të presësh të papriturën.

Ana e mirë. Disa aspekte të papritura të martesës mund të jenë një surprizë e këndshme.

«Tani që jemi të martuar, vërej se Maria * ka një ndjenjë humori të cilën nuk e kisha kapur e vlerësuar plotësisht ndërsa po njiheshim. Ngaqë nuk e marrim veten tepër seriozisht, problemet që hasim s’na duken edhe aq të rëndësishme.»​—Marku.

Ana e keqe. Disa aspekte të papritura të martesës mund të jenë të pakëndshme. Të marrim një shembull.

Zëre se ti dhe bashkëshorti i ardhshëm keni si synim të shërbeni ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Po sikur, pas martese, bashkëshortit t’i shfaqet një problem shëndetësor serioz, e kështu synimi të bëhet i paarritshëm? Në realitet, kjo nuk është e pamundur, pasi Bibla thotë se «kujtdo i ndodhin gjëra të këqija». (Eklisiastiu 9:11, Holy Bible​—Easy-to-Read Version) Pa dyshim do të jesh i shqetësuar për gjendjen e bashkëshortit, e njëkohësisht i zhgënjyer që nuk e arritët dot synimin. Gjithsesi, po të lindë kjo rrethanë e papritur, thjesht duhet të pranosh realitetin dhe të përshtatesh. Në fund të fundit, je martuar me një njeri, jo me një synim.

Përfundimi: Siç thotë Bibla, ata që martohen, do të kenë njëfarë ‘shtrëngimi’. (1 Korintasve 7:28) Ndonjëherë ky shtrëngim shkaktohet nga rrethanat e papritura.

Si të përgatitesh për të papriturën? Nëse martohesh, do kesh nevojë për dy gjëra:

 1. NJË PIKËPAMJE REALISTE

Sado mirë të përshtateni ti dhe bashkëshorti i ardhshëm, duhet të presësh që

  • nuk do të jeni gjithnjë dakord për çdo gjë.
  • nuk do të keni gjithnjë të njëjtat përparësi.
  • nuk do t’ju pëlqejnë gjithnjë të njëjtat aktivitete.
  • nuk do ta ndieni gjithmonë euforinë e dashurisë.

Situata si këto që renditen më sipër janë të zakonshme. Por, ato nuk do t’jua prishin martesën, veç në i lejofshi vetë. Mos harro, Bibla thotë se dashuria «i qëndron çdo gjëje» dhe «nuk shuhet kurrë».​—1 Korintasve 13:4, 7, 8.

Fakt: Në fund, ajo që e ndërton ose e prish martesën nuk janë problemet që hasni por mënyra si i përballoni.​—Kolosianëve 3:13.

2. ANGAZHIM

Nëse ti dhe bashkëshorti jeni të vendosur të qëndroni bashkë​—çfarëdo që të ndodhë—​do të jeni më të aftë të përballoni stuhitë e papritura.​—Mateu 19:6.

Disa thonë se angazhimi e bën martesën një barrë. Por, në të vërtetë bën të kundërtën. Falë angazhimit, lidhja juaj bëhet e qëndrueshme. Kur lind një situatë e papritur, ti dhe bashkëshorti do të kërkoni zgjidhje, jo daljen më të afërt.

Që të mbahet gjallë angazhimi, duhet të mendosh për martesën në mënyrë realiste, jo me idealizëm. Për ta pasur të qartë ndryshimin, bëj ushtrimin në vijim.

1. Imagjino sikur ke një biletë avioni falas për të udhëtuar ku të duash në botë. Cilin destinacion do të zgjidhje, dhe pse?

Destinacioni:

Arsyeja:

  • peizazhi
  • kultura
  • klima
  • zbavitjet
  • tjetër

2. Imagjino sikur bileta e avionit është vetëm vajtje dhe se destinacioni që zgjedh do të jetë vendbanimi yt i përhershëm.

Tani cilin destinacion do të zgjidhje​—nëse do të zgjidhje ndonjë?

  • Destinacioni:
  • ose Do të qëndroja këtu ku jam.

Ka mundësi që në ushtrimin e mësipërm, destinacioni që zgjodhe herën e parë të ndryshojë nga i dyti. Edhe po të jenë njësoj, ka shumë të ngjarë që t’u desh të mendoje ndryshe për zgjedhjen e dytë. Nuk e përfytyrove veten si një pushues të rehatuar në plazh ose që shëtit maleve, por si një banor i atij vendi që përballet si me të mirat edhe me vështirësitë e jetës së përditshme.

Kështu duhet të mendosh edhe për martesën. Tekefundit, me kalimin e kohës, rrethanat mund të ndryshojnë. Patjetër që edhe ti e bashkëshorti do të ndryshoni. Suksesi do të varet shumë nga sa të aftë jeni të prisni të papriturën dhe ta përballoni kur të ndodhë.

Për të menduar: Si i përballon tani që je i/​e pamartuar situatat e papritura të jetës?

^ par. 15 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

PSE TË MOS PYESËSH PRINDËRIT?

Çfarë bekimesh dhe vështirësish të papritura patët kur ishit të sapomartuar? Si mund të përgatitem unë për situatat e papritura nëse martohem?