Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vër përparësitë e duhura

Vër përparësitë e duhura

Hani së bashku të paktën një vakt çdo ditë

«Isha lodhur nga mendimi se duhej të ruaja ekuilibrin mes punës, rritjes së fëmijëve, programit të adhurimit, punëve të shtëpisë dhe çlodhjes.»​—JOKO, JAPONI.

Vështirësia.

Miranda, që përmendëm edhe më parë, thotë: «Vështirësia më e madhe është të jesh në punë dhe të kesh përgjegjësinë për të siguruar gjithçka​—nga ana fizike, psikologjike, emocionale dhe shpirtërore—​pa ndihmën e shokut të jetës.»

Sugjerime.

Përcakto çfarë është vërtet e rëndësishme për ty e fëmijët dhe jepu përparësi atyre gjërave.

Përmbaju plotësisht përparësive dhe mëso të menaxhosh kohën e të ardhurat në përputhje me to. Le ta ilustrojmë. Shëndeti i fëmijëve është i rëndësishëm, prandaj paratë e fituara me mund përdori për të blerë ushqim me vlera ushqyese. Më mirë kështu, sesa t’i harxhosh për ilaçe. Para se të bësh pazar, bëj një listë. Kësisoj, nuk do t’i prishësh për gjëra të panevojshme, vetëm se t’i sheh syri. «Më pëlqen të gatuaj»,—thotë Robertoja, baba i katër fëmijëve, që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai shton: «Kam mësuar të përqendrohem te nevojat, jo te dëshirat, madje jo te nevojat në përgjithësi, por tek ato që janë vërtet nevoja të ditës.»

Paratë e fituara me mund përdori për të blerë ushqim me vlera ushqyese. Më mirë kështu, sesa t’i harxhosh për ilaçe

Hiqi gjërat që s’i përdor asnjëherë, si libra, veshje, rrangullina. Një nënë e vetme shkroi: «Rraqet janë stres më vete. Sa më shumë rraqe të kesh, aq më shumë duhet të pastrosh, të riparosh e të mirëmbash. Nëse do të thjeshtosh jetën, mbaj sa më pak rraqe.»

Mësoji fëmijët t’i vënë gjërat nëpër vende çdo natë. Mos lejo që shtëpia të të dalë nga duart. Kjo lloj disipline në shtëpi i mëson fëmijët të bëhen të përgjegjshëm për dhomën, e madje për shtëpinë. Sigurisht, shembulli yt i mirë do t’u shtojë peshë fjalëve.

Sado e ngarkuar të jesh, duhet të kalosh kohë me fëmijët, jo thjesht periudha të shkurtra gjoja cilësore, por të qëndrosh me ta sa më gjatë të mundesh. Fëmijët kanë nevojë për kohën dhe vëmendjen tënde.​—Ligji i përtërirë 6:7.

Hani së bashku të paktën një vakt çdo ditë dhe përpiqu ta kthesh në një rast të këndshëm. Koleta, e përmendur më parë, thotë: «Vendosëm që darka, kur të gjithë ishim në shtëpi, të ishte koha për të inkurajuar njëri-tjetrin emocionalisht dhe për të forcuar besimin. Ky vakt ka qenë dhe akoma është një rast i veçantë në familjen tonë.»