Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Kur vajza jote adoleshente është shumë e stresuar

Kur vajza jote adoleshente është shumë e stresuar

VËSHTIRËSIA

Vajza të thotë që është shumë e stresuar. «Që 13 vjeçe?!—mendon ti me vete duke dyshuar.—Është shumë e vogël për ta ditur ç’është stresi.» Por, para se t’ia thuash këto fjalë, shiko disa arsye pse mund të jetë stresuese jeta edhe për një adoleshente të vogël.

PSE NDODH?

Ndryshimet fizike. Rritja e menjëhershme gjatë pubertetit mund t’i shkaktojë shumë ankth një vajze, sidomos nëse është rritur më pak ose më shumë se bashkëmoshataret. «Isha një nga vajzat e para që vesha reçipeta dhe kisha shumë siklet,—thotë Ana, * tani 20 vjeçe.—Në krahasim me shoqet e mia, ndihesha e çuditshme, si të isha anormale!»

Ndryshimet emocionale. Klaudia, që tani është 17 vjeçe, kujton: «Më ikte truri, ditën isha mirë e bukur, kurse më vonë, gjatë natës, qaja me dënesë. S’e kuptoja ç’po më ndodhte. Më dukej vetja jashtë kontrollit.»

Fillimi i ciklit menstrual. «Edhe pse mami më kishte parapërgatitur, kur më erdhi cikli për herë të parë, nuk isha aspak gati,—thotë një vajzë me emrin Klea.—Bëja dush disa herë në ditë sepse ndihesha gjithë kohën e pistë. Plus kësaj, tre vëllezërit e mi më të mëdhenj, pa mëshirë fare, talleshin me mua. Me sa duket, mendonin se ardhja e menstruacioneve ishte për të qeshur.»

Presioni nga bashkëmoshatarët. Megi, tani 18 vjeçe, sjell ndër mend: «Kur isha 12 deri 14 vjeçe, moshatarët më bënin presion të fortë. Fëmijët në shkollën time i trajtonin keq të gjithë ata që dallonin si të ndryshëm.» Anita 14-vjeçare thotë: «Në moshën time, është shumë e rëndësishme të jesh e pranuar nga një grup shokësh dhe është e tmerrshme kur të lënë mënjanë.»

Ç’MUND TË BËSH?

Ndihmoje vajzën të shprehet. Në fillim, mund të ngurrojë të flasë për stresin. Por ki durim dhe bëj siç këshillon Bibla: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur.’​—Jakovi 1:19.

Merre seriozisht stresin e vajzës. Ki parasysh se ajo nuk ka përvojën tënde dhe kështu që nuk ka me çfarë t’i krahasojë streset e saj e aq më pak të jetë e aftë t’i përballojë.​—Parimi biblik: Romakëve 15:1.

Mos e ngarko vajzën me shumë aktivitete jashtëshkollore. Sipas librit Mësojini mirë fëmijët (anglisht), të rinjtë që kanë një program tepër të ngjeshur «shpesh japin shenja stresi, sidomos shenja fizike, si dhembje koke e stomaku».​—Parimi biblik: Filipianëve 1:9, 10.

Sigurohu që vajza të pushojë mjaftueshëm. Gjumi është shpesh gjëja e parë që adoleshentët lënë pas dore. Por, pa gjumë, vajza nuk do të jetë në gjendje të mendojë kthjellët dhe as ta mënjanojë stresin.​—Parimi biblik: Eklisiastiu 4:6.

Ndihmoje vajzën të gjejë metoda të shëndetshme për t’u lehtësuar nga stresi. Disa vajza bëjnë fizkulturë për të pakësuar ankthin. Edhe Bibla thotë se «stërvitja e trupit është e dobishme». (1 Timoteut 4:8) Mbajtja e një ditari i ndihmon disa të tjera të kenë pikëpamjen e duhur për stresin. «Kur isha më e vogël,—kujton Briana 22-vjeçare,—i shkruaja problemet që nuk u jepja dot zgjidhje. Kjo më ndihmonte të kuptoja si ndihesha vërtet për një problem të caktuar dhe pastaj e kisha më të lehtë ta zgjidhja ose të mos i kushtoja rëndësi.»

Lër shembull të mirë. Po ti, si e përballon stresin? A merr përsipër më tepër se ç’mund të mbash dhe pastaj të zë paniku ndërsa i bën gjërat? A punon aq shumë sa sfilitesh deri në pikën e fundit, pa lënë kohë për gjërat më të rëndësishme? «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë»,—thuhet te Filipianëve 4:5. Mos harro, fëmija të sheh dhe mëson nga shembulli yt, si për mirë, edhe për keq.

^ par. 6 Në këtë artikull, emrat janë ndryshuar.