Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Vdekja

Vdekja

Ku janë të vdekurit?

«Ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.»Zanafilla 3:19.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Disa e imagjinojnë jetën pas vdekjes në qiell, në ferr, në purgator ose në limbo. Të tjerë besojnë te rilindja në një formë tjetër jete. Kurse ata që nuk i pranojnë idetë fetare, besojnë se vdekja s’është gjë tjetër veçse fundi i ekzistencës së njeriut.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Eklisiastiu 9:10 thotë se «nuk ka asnjë punë, as plan, as njohuri, as mençuri në [varr], në vendin ku po shkon». Bibla shpjegon edhe çfarë ndodh pas vdekjes, si me njerëzit, ashtu edhe me kafshët. Ajo thotë: «Të gjithë shkojnë në një vend. Të gjithë janë bërë nga pluhuri dhe në pluhur kthehen të gjithë.»Eklisiastiu 3:20.

 Cila është gjendja e të vdekurve?

«Kur fryma i del, ai kthehet prapë në dhé. Po atë ditë marrin fund mendimet e tij.»Psalmi 146:4.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Shumë njerëzve u kanë mësuar se jeta pas vdekjes varet nga ajo që kanë bërë kur ishin gjallë në tokë. Nëse ka qenë njeri i mirë, do të shpërblehet me lumturi të përjetshme; nëse ka qenë i keq, do të torturohet në përjetësi. Thuhet se pas vdekjes njerëzit duhet të pastrohen në purgator nga mëkati para se të lejohen të shkojnë te Perëndia. Ata që nuk pastrohen, thuhet se do të privohen përgjithmonë nga ky gëzim.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Ajo thotë se të vdekurit as gëzohen e as torturohen. Ngaqë janë të pavetëdijshëm, nuk përjetojnë asgjë; nuk u bëjnë të gjallëve as mirë e as keq. Sipas Eklisiastiut 9:5, 6, «të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë. . . . Po ashtu dashuria, urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund dhe nuk kanë më asnjë pjesë në asgjë që ka për t’u bërë nën diell».

A ka shpresë për të vdekurit?

«Po të vdesë njeriu, a kthehet prapë në jetë? Do të prisja gjithë ditët e skllavërisë sime, derisa të më vinte lehtësimi.»Jobi 14:14.

ÇFARË THONË NJERËZIT?

Zakonisht njerëzit besojnë se kur dikush është dënuar të shkojë në ferr, nuk ka më shpresë për të. Mundimi në ferr thuhet se është i përjetshëm. Kurse ata që janë në purgator, thuhet se fitojnë lumturinë në qiell pas një pastrimi me zjarr të mëkateve të tyre.

ÇFARË THOTË BIBLA?

Pas gjumit të vdekjes, të vdekurit do të ringjallen ose do të kthehen në jetë në tokë nga Biri i Perëndisë. Bibla thotë: «Mos u mrekulloni për këtë, sepse po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin.» (Gjoni 5:26, 28, 29) Sjellja e tyre e mëpasshme do të përcaktojë nëse do t’u jepet jeta e përhershme ose jo. *

^ par. 14 Për më shumë informacion për ringjalljen, të lutemi shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, që është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.