Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

A është e dalë mode Bibla?

A është e dalë mode Bibla?

‘Për herë të parë në jetën time, ndihesha i lumtur.’

HILTONI ishte i marrosur pas boksit. Në moshën shtatëvjeçare bënte shumë ndeshje, brenda dhe jashtë ringut. Kur ishte në gjimnaz, endej vërdallë me shokët duke kërkuar të rrihnin ndonjë. Ai thotë: «Vidhja, luaja bixhoz, shihja pornografi, ngacmoja gratë dhe përdorja fjalë të ndyra me prindërit. Sjellja ime ishte aq e keqe, sa prindërit më konsideronin të pandreqshëm. Pas gjimnazit u largova nga shtëpia.»

Kur Hiltoni u kthye pas 12 vjetësh, prindërit s’u besonin dot syve që ky ishte i biri. Ishte i qetë, me vetëkontroll dhe plot respekt. Si ndodhi ky transformim mahnitës? Kur ishte larg, nisi të mendonte seriozisht për drejtimin e jetës së tij. Gjithashtu, shqyrtoi Biblën për të parë nëse mund ta ndihmonte që të ndryshonte rrugë. Hiltoni shprehet: «E zbatoja atë që lexoja në Bibël dhe kjo nënkuptonte se duhej të zhdukja personalitetin e vjetër e t’i bindesha urdhrit tek Efesianëve 6:2, 3 për të nderuar prindërit. Për herë të parë në jetë gjeta lumturi të vërtetë dhe u solla gëzim babait e nënës, e jo më dhimbje.»

Përvoja e Hiltonit thekson edhe rëndësinë, edhe fuqinë transformuese të vlerave biblike. (Hebrenjve 4:12) Le të shqyrtojmë disa nga këto vlera që mund të na e pasurojnë tej mase jetën: ndershmëria, vetëkontrolli, besnikëria dhe dashuria.