Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ajri i pastër dhe drita e diellit—«Antibiotikë» natyrorë?

Ajri i pastër dhe drita e diellit—«Antibiotikë» natyrorë?

KUR shkencëtarët zbuluan antibiotikët nga mesi i shekullit të 20-të, mjekët shpresonin që këto ilaçe të reja të zhduknin disa sëmundje. Në fillim dukej se ilaçet e reja po e bënin punën e tyre. Megjithatë, përdorimi i gjerë që nga ajo kohë ka sjellë zhvillimin e baktereve rezistente ndaj antibiotikëve.

Që të gjejnë armë të reja kundër infeksioneve, disa shkencëtarë po i rishikojnë metodat e së kaluarës për të mbajtur nën kontroll sëmundjet. Një nga këto metoda përfshin të mirat shëndetësore të dritës së diellit dhe të ajrit të pastër.

Mësim nga e kaluara

Anglia kishte disa përkrahës të hershëm të vlerës shëruese të diellit e të ajrit të pastër. Fizikani Xhon Letsom (1744-1815) sugjeroi që fëmijët që vuanin nga tuberkulozi (TB) të merrnin ajër deti e dritën e diellit. Më 1840 kirurgu Xhorxh Badington vuri re se ata që punonin jashtë, si bujqit, lëruesit e barinjtë, në përgjithësi nuk kishin TB, ndërsa ata që e kalonin shumicën e kohës mbyllur dukej se prekeshin më lehtë.

Florens Najtingejli (1820-1910) u bë e njohur për idetë e reja në infermieri teksa kujdesej për ushtarët britanikë të plagosur gjatë Luftës së Krimesë. Ajo pyeti: «Nëse keni hyrë ndonjëherë në dhomën e gjumit të dikujt . . . natën, ose para se të hapen dritaret në mëngjes, a nuk e keni dalluar se ajri ishte goxha i ndenjur e me erë të rëndë?» Najtingejli sugjeroi që ajri i dhomës së pacientit të mbahej aq i freskët sa edhe jashtë, por pa e ngrirë së ftohti pacientin. Pastaj shtoi: «Sigurisht që e kam parë vetë nga përvoja me të sëmurët se përveç nevojës parësore për ajër të pastër, kanë nevojë edhe për dritë . . . Dhe nuk e kam fjalën për çdo lloj drite, por për dritën e diellit.» Shumë veta në atë kohë mendonin se po t’i lije në diell çarçafët dhe rrobat, do të kishe shëndet të mirë.

Që nga vitet 1800 shkenca ka përparuar, por studime të kohëve tona kanë arritur përfundime të ngjashme. Për shembull, një studim i vitit 2011 në Kinë zbuloi se në konviktet përplot me njerëz dhe të paajrosura mirë, «gjeje më shumë të sëmurë me infeksione në rrugët e frymëmarrjes».

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pranon se ajrosja natyrore, pra ajri i pastër që hyn në një godinë, është e rëndësishme për pakësimin e infeksioneve. Vërtet, udhëzimet e OBSH-së të botuara në vitin 2009 na nxitin ta përdorim ajrosjen si masë të efektshme për të ulur rrezikun e infeksionit në spitale. *

Mbase mendon: «E gjithë kjo ka kuptim, por a ka prova shkencore? Si e parandalojnë infeksionin drita e diellit dhe ajri i pastër?»

Dezinfektues natyrorë

Studime të kryera në një ambient të Ministrisë së Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, na japin ca përgjigje. Shkencëtarët u përpoqën të përcaktonin për sa kohë do të përbënte rrezik ajri nëse mbi Londër do të shpërthente një armë biologjike plot baktere të dëmshme. Që të përcaktonin rezistencën e patogjenëve të ajrit, studiuesit vunë mikroorganizma E. coli në fije të rrjetës së merimangës dhe i lanë në ambient të hapur. Eksperimenti u bë natën, meqë dihej se drita e diellit i vret këto baktere. Cili ishte rezultati?

Rreth dy orë më vonë, thuajse të gjitha bakteret u vranë. Por, kur bakteret i mbajtën mbyllur në një kuti, në të njëjtin vend dhe me të njëjtën temperaturë e lagështi, shumica prej tyre ishin ende gjallë pas dy orësh. Pse? Duket qartë se në ajrin e pastër ka diçka që i vret bakteret. I ashtuquajturi faktor i ajrit të pastër nuk është identifikuar qartë. Mirëpo, studiuesit ia japin meritën një përbërësi në ajër që «vepron si dezinfektues natyror kundër patogjenëve ose mikrobeve në atmosferë».

Edhe drita e diellit ka veti natyrore dezinfektuese. Sipas Journal of Hospital Infection «shumica e mikrobeve që shkaktojnë infeksione me anë të ajrit nuk e durojnë dot dritën e diellit».

Si të nxjerrësh dobi nga e gjithë kjo? S’do të ishte keq të dilje në natyrë, të kaloje ca kohë në diell e të merrje ajër të pastër. Do të të bënte mirë.

^ par. 8 Disa faktorë mund ta bëjnë të padëshirueshme hapjen e dritareve. Këta janë cilësia e ajrit jashtë, zhurmat, rregullat e mbrojtjes kundër zjarrit dhe masat e sigurisë.