Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE

Një pikëpamje e ekuilibruar për paratë

Një pikëpamje e ekuilibruar për paratë

NJË shprehje thotë: «Paraja xhiron botën.» Kjo është disi e vërtetë. Në fund të fundit, duhen para për të blerë ushqim e veshje, për të paguar qiranë a për të blerë shtëpi. Një gazetar për zhvillimet financiare shkruan: «Roli i parasë në shoqëri është tejet i rëndësishëm. Po të hiqeshin paratë nga qarkullimi, brenda një muaji do të ishim në gjendje paniku e lufte.»

Natyrisht, paraja ka kufizimet e saj. Poeti norvegjez, Arne Garborgu, tha se paraja «blen ushqimin, por jo oreksin; ilaçet, por jo shëndetin; krevatin e rehatshëm, por jo gjumin; njohurinë, por jo mençurinë; vezullimin, por jo bukurinë; madhështinë, por jo ngrohtësinë; qejfin, por jo gëzimin; të njohurit, por jo miqtë; shërbëtorët, por jo besnikërinë».

Kur dikush mban një këndvështrim të drejtpeshuar për paratë, pra kur punon për të jetuar e nuk jeton për të punuar, mund të gjejë më shumë kënaqësi në jetë. Bibla na paralajmëron se «dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme dhe duke rendur pas kësaj dashurie, disa . . . janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje».1 Timoteut 6:10.

Siç thotë shkrimi, ajo që është e dëmshme nuk është paraja në vetvete, por dashuria për para. Faktikisht, përqendrimi i tepërt te paratë mund të krijojë një hendek mes miqve dhe mes familjarëve. Le të shohim disa shembuj.

Danieli: * «Gjithnjë e kisha konsideruar Tomasin si mik të këndshëm e të ndershëm. Nuk kisha pasur kurrë probleme me të, derisa bleu makinën time. Me sa dija, makina ishte në rregull. Kështu që ai pranoi ta blinte në gjendjen që ishte dhe nënshkroi kontratën. Tre muaj më vonë makina u prish. Tomasit iu duk sikur unë ia kisha hedhur dhe gjithë zemërim këmbënguli që t’ia ktheja paratë. S’po e besoja dot! U mundova të arsyetoja me të, por u bë nevrik e agresiv. Kur paraja u fut në mes, ai nuk ishte më Tomasi i dashur që kisha njohur.»

Esini: «Nesrimi është motra ime e vetme. Gjithnjë kemi shkuar mirë bashkë, ndaj as e kisha çuar nëpër mend se marrëdhënia jonë do të prishej për shkak të parave. Por ndodhi pikërisht kështu. Kur prindërit vdiqën, na lanë njëfarë trashëgimie dhe e shprehën qartë se paratë do të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes nesh. Motra doli kundër dëshirës së prindërve dhe kërkoi më tepër se ç’i takonte. Ajo shfryu gjithë inat e më kërcënoi, ngaqë zgjodha të respektoja udhëzimet e prindërve. Më mban shumë mëri deri sot e kësaj dite.»

PARATË DHE PARAGJYKIMI

Pikëpamja e shtrembëruar për paratë mund t’i bëjë njerëzit paragjykues. Për shembull, një pasanik ndoshta mendon se të varfrit janë dembelë, ndaj s’arrijnë ta përmirësojnë situatën ekonomike. Ose dikush me më pak të ardhura mund të nxitohet e të arrijë në përfundimin se ata që kanë më shumë janë materialistë a lakmitarë. Liana, një adoleshente e rritur në një familje relativisht të pasur, ishte viktimë e këtij lloj paragjykimi. Ajo tregon:

Këshillat biblike për paratë janë po aq praktike sot, sa në kohën kur u shkruan

«Njihesha si vajza e babait që i ka paret me thasë. Shpesh më thoshin gjëra të tilla, si: ‘Nëse do diçka, mjafton t’ia kërkosh babushit’, ose ‘Na fal po s’jemi të gjithë aq të pasur sa të blejmë makina luksoze si ju’. Një ditë u kërkova shokëve të mos më thoshin më fjalë të tilla, sepse më lëndonin. U shpjegova se doja të njihesha si dikush që bën gjëra të mira për të tjerët, jo si dikush që ka para.»

ÇFARË THOTË BIBLA

Bibla nuk e dënon paranë, as i kritikon ata që kanë para, edhe kur janë shumë të pasur. Çështja nuk është te sasia e parave që ka dikush, por te qëndrimi ndaj asaj që ka ose dëshiron të ketë. Këshillat biblike për paratë janë të ekuilibruara dhe po aq praktike sot, sa në kohën kur u shkruan. Ja disa shembuj.

BIBLA THOTË: «Mos u robto për të fituar pasuri.»Proverbat 23:4.

Ata që rendin pas pasurisë janë më të prirur «të kenë një shëndet mendor jo të mirë; gjithashtu ata vetë thonë se kanë më tepër probleme shëndetësore, si: dhembje fyti, shpine, koke dhe është vënë re se janë më të prirur të pinë alkool me tepri e drogë. Duket se përpjekja për t’u pasuruar i bën njerëzit të mjerë».—Libri The Narcissism Epidemic.

BIBLA THOTË: «Mënyra juaj e të jetuarit le të jetë pa dashuri për para, ndërsa jeni të kënaqur me gjërat që keni.»Hebrenjve 13:5.

Një njeri i kënaqur me gjërat që ka nuk është i imunizuar nga ankthi për të ardhurat, por s’lejon që ky ankth ta mbytë. Për shembull, nuk e dramatizon situatën nëse pëson humbje financiare. Përkundrazi, përpiqet të mbajë qëndrimin e apostullit Pavël, që shkroi: «Di të rroj kur jam ngushtë dhe di të rroj në bollëk. Në çdo gjë dhe në çdo rrethanë kam mësuar të jem i ngopur, të jem i uritur, të kem me bollëk dhe të jem në nevojë.»Filipianëve 4:12.

BIBLA THOTË: «Kush beson në pasuritë e tij, do të bjerë.»Proverbat 11:28.

Studiuesit thonë se një nga shkaqet më të shpeshta të mosmarrëveshjeve martesore që çojnë në divorc, janë problemet financiare. Ato renditen edhe ndër faktorët që çojnë në vetëvrasje. Për disa paraja është më e rëndësishme se betimi martesor, madje edhe se vetë jeta e tyre. Ndryshe nga kjo, ata që kanë një pikëpamje të ekuilibruar nuk i varin shpresat te paraja. Në vend të kësaj, pranojnë sa të mençura janë këto fjalë të Jezuit: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»Luka 12:15.

PO TI, SI I SHEH PARATË?

Falë një vetëshqyrtimi mund të kuptosh nevojën për të pasur një këndvështrim të ekuilibruar për paratë. Për shembull, bëji vetes këto pyetje.

  • A më tërheqin taktikat që premtojnë pasurim të shpejtë?

  • A e kam të vështirë të jem bujar me paratë?

  • A kam prirjen të shoqërohem me ata që flasin vetëm për paratë dhe për gjërat që kanë?

  • A fitoj para me anë të gënjeshtrave ose të mashtrimeve?

  • A më bën paraja të ndihem i rëndësishëm?

  • A e kam mendjen gjithë kohën te paratë?

  • A po ndikon për keq te shëndeti dhe te familja ime qëndrimi që kam ndaj parave?

    Tregohu bujar duke u dhënë të tjerëve

Nëse iu përgjigje po ndonjërës prej pyetjeve, përpiqu të hedhësh poshtë mendimet dhe tundimet materialiste. Mos rri me ata që u japin shumë rëndësi parave ose gjërave materiale. Përkundrazi, kërko shoqërinë e atyre që u japin më shumë rëndësi normave morale, sesa zotërimeve.

Mos lejo kurrën e kurrës që në zemrën tënde të hedhë rrënjë dashuria për para. Por mbaj qëndrimin e duhur për të ardhurat duke u dhënë gjithmonë më shumë përparësi miqve, familjarëve dhe shëndetit emocional e fizik. Kështu do të tregosh se ke pikëpamje të ekuilibruar për paratë.

^ par. 7 Në këtë artikull emrat janë ndryshuar.