Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet adhuruar Zoti në vende të shenjta?

A duhet adhuruar Zoti në vende të shenjta?

ÇDO vit më tepër se gjashtë milionë veta udhëtojnë për në një pyll të izoluar me dru cedri në gadishullin Shima të Japonisë. Shkojnë në Faltoren e Madhe të Ajsit, ku për rreth dy mijë vjet adhurohet Amaterasu Omikami, perëndesha-diell shintoiste. Në fillim besimtarët bëjnë një rit pastrimi duke larë duart dhe gojën. Pastaj, duke qëndruar para haiden (salla e adhurimit në faltore), ndjekin këtë rit: përkulen, përplasin duart dhe i luten perëndeshës. * Shintoizmi i lejon besimtarët e vet të praktikojnë edhe fe të tjera. Prandaj, disa budistë, disa të tjerë që thonë se janë të krishterë dhe të tjerë akoma nuk e kanë problem të kryejnë rite shintoiste në këtë faltore.

Shumë nga fetë kryesore në botë kanë vende të shenjta * dhe miliona e miliona shkojnë në to. Në vende që njihen si të krishtere, ka kisha e faltore të panumërta kushtuar Jezuit, Marisë dhe shenjtorëve. Të tjera si këto janë ngritur edhe në vende biblike, në vende ku thuhet se kohët e fundit kanë ndodhur «mrekulli» dhe në vende ku mbahen relikte fetare. Shumë veta i frekuentojnë sepse besojnë se lutjet e tyre mund të dëgjohen më tepër në vende të shenjta. Për të tjerë, mbërritja në një vend të shenjtë është pika kulminante e një pelegrinazhi të gjatë që e bëjnë për të treguar përkushtimin si besimtarë.

Vizitorë në Faltoren e Madhe të Ajsit, Japoni, dhe në Shpellën e Masabielës, Lurd, Francë

A dëgjohen më shumë lutjet e kërkesat nëse bëhen në një vend të shenjtë? A kënaqet Zoti me përkushtimin e pelegrinëve që shkojnë nëpër vende të shenjta? Ç’është më e rëndësishmja, a është i përshtatshëm adhurimi në vende të shenjta? Përgjigjet e këtyre pyetjeve jo vetëm do të na tregojnë pikëpamjen e duhur për adhurimin në këto vende, por edhe do të na ndihmojnë të kuptojmë çfarë lloj adhurimi i pëlqen vërtet Perëndisë.

ADHURIM «ME FRYMË DHE TË VËRTETË»

Ku e kishte fjalën Jezui kur tha se duhet të adhurojmë «me frymë dhe të vërtetë»?

Nga biseda e Jezuit me një grua samaritane kuptojmë çfarë mendon Perëndia për adhurimin në vende të shenjta ose faltore. Jezui po udhëtonte përmes Samarisë dhe ndaloi për të pushuar te një pus afër qytetit të Siharit. Nisi të bisedonte me gruan që erdhi për të mbushur ujë. Në bisedë e sipër, ajo nxori në pah një nga ndryshimet e mëdha fetare midis judenjve dhe samaritanëve: «Paraardhësit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se vendi ku duhet të adhurojnë njerëzit, është në Jerusalem.»​—Gjoni 4:5-9, 20.

Mali për të cilin foli gruaja, ishte mali i Gerizimit, rreth 50 kilometra në veri të Jerusalemit. Dikur samaritanët kishin pasur atje një tempull ku bënin festat fetare, si Pashkët. Por, në vend që të përqendrohej te kontradiktat midis tyre, Jezui i tha: «Besomë, o grua, se po vjen ora kur ju nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem.» (Gjoni 4:21) Ç’fjalë tronditëse, sidomos të thëna nga një jude! Pse s’do të adhuronin më në tempullin e Perëndisë në Jerusalem?

Jezui vazhdon: «Po vjen ora, madje tani ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin me frymë dhe të vërtetë, sepse Ati po kërkon adhurues të tillë.» (Gjoni 4:23) Për shekuj me radhë, judenjtë e konsideronin tempullin madhështor në Jerusalem si qendrën e tyre të adhurimit. Udhëtonin për atje tri herë në vit për t’i bërë flijime Perëndisë së tyre, Jehovait. (Dalja 23:14-17) Por, Jezui tha se e gjithë kjo do të ndryshonte dhe se «adhuruesit e vërtetë» do të adhuronin «me frymë dhe të vërtetë».

Tempulli jude ishte një strukturë konkrete në një vend të caktuar. Kurse fryma dhe e vërteta janë ndryshe, nuk mund të kufizohen në ndonjë vend. Pra, Jezui po shpjegonte se adhurimi i vërtetë i krishterë nuk do ta kishte qendrën në ndonjë strukturë a vend të mirëfilltë dhe as do të varej nga një vend i tillë, si mali i Gerizimit, tempulli në Jerusalem apo ndonjë vend tjetër i shenjtë.

Gjatë bisedës me gruan samaritane Jezui tha edhe se «ora» për këtë ndryshim në adhurimin e Perëndisë ‘po vinte’. Kur do të vinte? Erdhi kur Jezui, me vdekjen e tij flijuese, i dha fund sistemit judaik të adhurimit që bazohej në Ligjin e Moisiut. (Romakëve 10:4) Megjithatë, Jezui tha edhe se «ora . . . tani ka ardhur». Pse? Sepse, si Mesia, tashmë po mblidhte dishepujt që do t’i bindeshin urdhrit që dha më pas: «Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Po çfarë do të thotë të adhurosh me frymë dhe të vërtetë?

Kur Jezui përmendi adhurimin me frymë, nuk e kishte fjalën për një formë adhurimi tepër entuziast apo të dalldisur. Përkundrazi, e kishte fjalën për adhurimin e drejtuar nga fryma e shenjtë e Perëndisë, që ndër të tjera na jep kuptueshmëri mbi Shkrimet. (1 Korintasve 2:9-12) Kurse e vërteta për të cilën foli Jezui i referohej njohurisë së saktë për mësimet e Biblës. Prandaj, adhurimi që pranon Perëndia nuk varet nga ndonjë vend i veçantë, por varet nga sa përputhet me atë që mëson Bibla dhe sa drejtohet nga fryma e shenjtë.

PIKËPAMJA E BIBLËS PËR VENDET E SHENJTA

Po si duhet ta konsiderojnë të krishterët pelegrinazhin për në vendet e shenjta dhe adhurimin në to? Nisur nga urdhri i Jezuit se adhuruesit e vërtetë duhet ta adhurojnë Perëndinë me frymë dhe të vërtetë, është e qartë se adhurimi në çdo faltore ose vend të shenjtë nuk ka ndonjë vlerë të veçantë në sytë e Atit tonë qiellor. Për më tepër, Bibla na tregon si e sheh Perëndia përnderimin e idhujve. Ajo thotë: «Ikni nga idhujtaria» dhe «ruhuni nga idhujt». (1 Korintasve 10:14; 1 Gjonit 5:21) Prandaj, një i krishterë i vërtetë nuk do ta adhuronte Perëndinë në vende që konsiderohen të shenjta apo që nxitin idhujtarinë. Kështu, duke pasur parasysh vetë natyrën e vendeve të shenjta, të krishterët e vërtetë nuk e adhurojnë kurrsesi Perëndinë në to.

Megjithatë kjo nuk do të thotë se Fjala e Perëndisë na ndalon të kemi një vend të preferuar për t’u lutur, për të studiuar ose për të medituar. Një vend mbledhjeje i rregullt dhe dinjitoz na ndihmon të mësojmë për Perëndinë e të shqyrtojmë Fjalën e tij. Nuk është e gabuar as të ngremë një përmendore, si për shembull një gur varri, për një të vdekur. Kjo mund të jetë thjesht në shenjë përkujtimi ose dashurie për të ndjerin. Por t’i konsiderosh si vende të shenjta dhe të përnderosh shëmbëlltyra e relikte, është kryekëput në kundërshtim me fjalët e Jezuit.

Prandaj nuk ka nevojë të shkosh në ndonjë faltore a vend të shenjtë me shpresën se Perëndia do t’i dëgjojë më mirë lutjet atje. Kështu as do ta kënaqësh Zotin, as do të kesh ndonjë bekim të veçantë nga Ai ngaqë shkove për pelegrinazh në këto vende të shenjta. Bibla na thotë se Perëndia Jehova, ‘Zotëria i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë me dorë’. Mirëpo, kjo nuk na e bën të largët Zotin. Mund t’i lutemi dhe mund të na dëgjojë kudo, sepse «ai nuk është larg nga secili prej nesh».​—Veprat 17:24-27.

^ par. 2 Ritet shintoiste mund të ndryshojnë nga faltorja në faltore.