Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Relikt me shkrim kuneiform që përmban emrin Tatanu në një nga skajet

Një copëz tjetër dëshmie

Një copëz tjetër dëshmie

A ekzistojnë dëshmi arkeologjike që mbështetin tregimet e Biblës? Më 2014 një artikull në revistën Biblical Archaeology Review mori në shqyrtim këtë pyetje: «Sa prej njerëzve të përmendur në Shkrimet Hebraike janë vërtetuar nga arkeologjia?» Përgjigjja: «Të paktën 50.» Një prej burrave që «s’ia doli të futej» në listën e atij artikulli, ishte Tatenai. Po kush ishte Tatenai? Le të shqyrtojmë rolin e tij, që përmendet shkurtimisht në Bibël.

Dikur Jerusalemi ishte pjesë e Perandorisë shumë të madhe Perse. Qyteti shtrihej në zonën që persët e quajtën Matanë Lumit, domethënë në perëndim të Eufratit. Pasi pushtuan Babiloninë, persët i çliruan robërit judenj dhe i autorizuan të rindërtonin tempullin e Jehovait në Jerusalem. (Ezdra 1:1-4) Megjithatë, armiqtë e judenjve iu kundërvunë këtij projekti dhe e përdorën si pretekst që t’i akuzonin për rebelim kundër Persisë. (Ezdra 4:4-16) Gjatë mbretërimit të Darit I (522-486 p.e.s.), një zyrtar pers i quajtur Tatenai hetoi për këtë çështje. Bibla i referohet atij si «guvernatori matanë Lumit».​—Ezdra 5:3-7.

Disa prej pllakave kuneiforme të cilat përmbajnë emrin e Tatenait, kanë mbërritur deri më sot si pjesë e asaj që mund të ketë qenë arkivi i tij familjar. Pllaka që lidh një pjesëtar të kësaj familjeje me këtë personazh biblik është një mandat pagese që daton në vitin e 20-të të mbretërimit të Darit I, më 502 p.e.s. Aty thuhet se në këtë marrëveshje ishte i pranishëm si dëshmitar një shërbëtor i «Tatanut, guvernatori i Matanë Lumit», pra Tatenai që përmendet në librin biblik të Ezdrës.

Cili ishte roli i këtij burri? Më 535 p.e.s. Kiri i Madh i riorganizoi territoret e tij në provinca, një prej të cilave quhej Babilonia dhe Matanë Lumit. Më vonë kjo provincë u nda në dy pjesë dhe njëra prej tyre u quajt Matanë Lumit. Ajo përfshinte Koele-Sirinë, Fenikinë, Samarinë dhe Judën e ka të ngjarë të qeverisej nga Damasku. Tatenai ishte guvernator i kësaj zone në vitet 520-502 p.e.s.

Pasi shkoi në Jerusalem për të hetuar mbi akuzat për rebelim, Tatenai i raportoi Darit se judenjtë pohonin se ishin autorizuar nga Kiri që të rindërtonin tempullin e Jehovait. Ky pohim u vërtetua nga hetimet që u bënë në arkivin mbretëror. (Ezdra 5:6, 7, 11-13; 6:1-3) Prandaj, Tatenai mori urdhër të mos ndërhynte dhe kështu bëri.​—Ezdra 6:6, 7, 13.

‘Tatenai, guvernatori i matanë Lumit’, nuk bëri ndonjë gjë me vlerë historike. Megjithatë vër re se Shkrimet e përmendin dhe i referohen pikërisht me titullin e saktë. Kjo është një copëz tjetër dëshmie se arkeologjia vazhdon të mbështetë saktësinë historike të Biblës.