Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse plakemi dhe vdesim?

Pse plakemi dhe vdesim?

ZOTI nuk kishte si qëllim që njerëzit të vdisnin. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, u krijuan me mendje dhe me trup të përsosur. Mund të ishin gjallë sot e kësaj dite! Këtë e tregojnë qartë fjalët që Jehovai i tha Adamit për një nga pemët në kopshtin e Edenit.

Perëndia i tha Adamit: «Ditën që do të hash prej [pemës], ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:17) Ky urdhër s’do të kishte pikë kuptimi nëse Adami do të ishte krijuar që të plakej e të vdiste. Adami e dinte se po të mos hante nga ajo pemë, nuk do të vdiste.

PERËNDIA NUK KISHTE SI QËLLIM QË NJERËZIT TË VDISNIN

Adami dhe Eva nuk kishin nevojë të hanin nga ajo pemë—kopshti ishte plot me pemë frutore. (Zanafilla 2:9) Po të mos hanin nga fryti i asaj peme, çifti i parë do të tregonin se po i bindeshin Atij që u dha jetën. Gjithashtu do të tregonin se pranonin që Perëndia kishte të drejtën t’i udhëhiqte.

PSE VDIQËN ADAMI DHE EVA

Për të kuptuar pse vdiqën Adami dhe Eva, duhet të shqyrtojmë një bisedë që ndikon te të gjithë ne. Me anë të një gjarpri, Satana Djalli tha një gënjeshtër keqdashëse. Bibla thotë: «Gjarpri ishte më i kujdesshmi i të gjitha bishave të fushës që kishte bërë Perëndia Jehova. Kështu ai nisi t’i thoshte gruas: ‘Vërtet ka thënë Perëndia që të mos hani nga çdo pemë e kopshtit?’»—Zanafilla 3:1.

Eva iu përgjigj: «Nga fryti i pemëve të kopshtit mund të hamë. Por për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Perëndia ka thënë: ‘Mos e hani, madje as mos e prekni, që të mos vdisni.’» Atëherë gjarpri ia ktheu: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» Pra, Satanai tha se Jehovai ishte një gënjeshtar që po u mbante diçka të mirë prindërve tanë të parë.—Zanafilla 3:2-5.

Eva u besoi atyre fjalëve dhe ia nguli sytë pemës. Fryti dukej aq i bukur, aq i dëshirueshëm! Pastaj zgjati dorën, mori ca dhe nisi të hante. Bibla vazhdon: «Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.»—Zanafilla 3:6.

Perëndia i tha Adamit: «Ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.»​—ZANAFILLA 2:17

Sa duhet t’i ketë pikuar në zemër Perëndisë tek shihte fëmijët e tij të shtrenjtë që nuk iu bindën me dashje! Çfarë bëri Jehovai? I tha Adamit: «Do të . . . kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:17-19) Prandaj «Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet, dhe pastaj vdiq». (Zanafilla 5:5) Adami nuk shkoi as në qiell dhe as në ndonjë botë të padukshme. Para se Jehovai ta krijonte nga pluhuri i tokës, ai nuk ekzistonte. Kështu që, kur vdiq, u bë po aq i pajetë sa edhe pluhuri prej të cilit u krijua. Ekzistenca e tij mori fund. Sa tragjike!

PSE NUK JEMI TË PËRSOSUR?

Meqë nuk iu bindën me dashje Perëndisë, Adami dhe Eva humbën përsosmërinë dhe mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Ata pësuan një ndryshim fizik; u bënë të papërsosur dhe mëkatarë. Por mëkati i mosbindjes nuk ndikoi vetëm tek ata. Këtë gjendje mëkatare ua lanë si trashëgimi pasardhësve. Romakëve 5:12 thotë: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»

Bibla e përshkruan mëkatin dhe vdekjen si diçka ‘që mbështjell gjithë popujt dhe si vel që është endur mbi gjithë kombet’. (Isaia 25:7) Vdekja e ka mbështjellë njerëzimin si një mjegull helmuese, prej së cilës nuk ka shpëtim. Vërtet, «në Adamin të gjithë po vdesin». (1 Korintasve 15:22) Ja pse lind një pyetje si ajo që bëri apostulli Pavël: «Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» A ekziston dikush?​—Romakëve 7:24.