Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | ENGJËJT​—A EKZISTOJNË? PSE KA RËNDËSI KJO?

A ka engjëj të këqij?

A ka engjëj të këqij?

Po, ka engjëj të këqij. Cila është origjina e tyre? Mos harro se Perëndia i krijoi engjëjt me dhuratën e vullnetit të lirë. Pak pas krijimit të njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, një engjëll i përsosur abuzoi me lirinë për të zgjedhur dhe nxiti rebelimin në tokë. Ia doli t’i kthente Adamin dhe Evën kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:1-7; Zbulesa 12:9) Bibla nuk e specifikon emrin ose rangun që kishte në qiell kjo krijesë para rebelimit. Por, pas rebelimit, Bibla e quan me të drejtë Satana, që do të thotë «Kundërshtar», dhe Djall, që do të thotë «Shpifës».​—Mateu 4:8-11.

Mjerisht, ky rebelim i lig nuk mori fund këtu. Në ditët e Noesë, një numër i papërcaktuar engjëjsh «e braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në familjen qiellore të Perëndisë. Zbritën në tokë me trupa fizikë dhe u dhanë pas jetës së shthurur e imorale, duke devijuar nga qëllimi i ekzistencës së tyre.​—Juda 6; Zanafilla 6:1-4; 1 Pjetrit 3:19, 20.

Ç’u bë me ata engjëj të këqij? Kur Perëndia e spastroi tokën me një përmbytje globale, u çmaterializuan dhe u kthyen në qiell. Gjithsesi, Zoti nuk i lejoi ata engjëj të pafytyrë të ktheheshin në «vendin e tyre fillestar». Përkundrazi i izoloi në Tartar, një gjendje e poshtëruar ‘errësire të dendur’ për sa u përket qëllimeve të Jehovait. (Juda 6; 2 Pjetrit 2:4) Këta demonë kanë zgjedhur të jenë nën pushtetin e Satana Djallit, «sundimtarit të demonëve», i cili «vazhdon të shndërrohet në engjëll drite».​—Mateu 12:24; 2 Korintasve 11:14.

Bibla mëson se Mbretëria mesianike e Perëndisë, një qeveri qiellore, u themelua në vitin 1914. * Pas kësaj ngjarjeje historike, Satanai dhe demonët u flakën nga qielli dhe u kufizuan në afërsi të tokës. Ligësia tejet e përhapur dhe imoraliteti i rëndë që kanë pllakosur tokën, janë provë e ndikimit të tyre hakmarrës dhe shkatërrimtar.​—Zbulesa 12:9-12.

Megjithatë, përhapja e shthurjes dhe e dhunës tronditëse vërteton se fundi i sundimit të tyre terrorizues është afër. Këto krijesa tiranike të padukshme shumë shpejt nuk do të lejohen të veprojnë. Pasi Mbretëria e Perëndisë ta ketë qeverisur tokën parajsore për 1.000 vjet, këto krijesa të liga do të kenë për pak kohë edhe një mundësi të fundit për të vënë në provë njerëzimin. Më pas, ato do të shkatërrohen një herë e mirë!​—Mateu 25:41; Zbulesa 20:1-3, 7-10.

^ par. 6 Për më shumë informacion për Mbretërinë e Perëndisë, shih kapitullin 8 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Disponohet edhe në www.dan124.com.