Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Si e organizonte dikush në lashtësi një udhëtim me anije?

NË KOHËN e Pavlit, në përgjithësi nuk kishte anije vetëm për pasagjerë. Ata që donin të udhëtonin me anije, zakonisht duhej të pyetnin vërdallë nëse kishte ndonjë anije tregtare (mallrash) që shkonte në drejtimin e dëshiruar dhe që pranonte pasagjerë. (Vep. 21:2, 3) Edhe nëse anija nuk shkonte tamam në vendin ku donte udhëtari, ai mund të kërkonte ndonjë anije tjetër në portet gjatë rrugës, që do ta çonte më afër destinacionit.—Vep. 27:1-6.

Udhëtimi në det bëhej kryesisht në disa periudha të vitit, dhe anijet nuk ndiqnin një orar rigoroz. Përveç motit të keq, marinarët bestytë mund ta shtynin lundrimin nëse vërenin një ogur të mbrapshtë, si një korb që krakëllinte mbi direk ose një anije të shkallmuar në breg. Marinarët zakonisht shfrytëzonin erërat e mbara, ndaj kur era frynte në drejtimin e duhur, nisnin lundrimin. Pasi gjente një anije që pranonte ta merrte, udhëtari afrohej te porti me plaçkat e veta dhe priste që tellalli të njoftonte se anija do të nisej pas pak.

«Roma ofronte një shërbim të leverdishëm që u kursente njerëzve shumë vërdallosje të lodhshme përgjatë bregut,—thotë historiani Lajonel Kason.—Porti i saj ndodhej në grykëderdhjen e Tiberit. Aty pranë në qytezën e Ostias kishte një shesh të madh me zyra rreth e qark. Shumë prej tyre u përkitnin transportuesve të porteve të ndryshme: transportuesit e Narbonës [në Francën e sotme] kishin një zyrë, transportuesit e Kartagjenës [në Tunizinë e sotme] kishin një tjetër, . . . e kështu me radhë. Kushdo që kërkonte një anije për të udhëtuar mjaftonte të pyeste në zyrat e qyteteve që ndodheshin në itinerarin e tij.»

Udhëtimi me anije u kursente kohë udhëtarëve, ama kishte edhe rreziqet e veta. Pavlit iu shkallmua disa herë anija gjatë udhëtimeve misionare.—2 Kor. 11:25.