Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 30

KËNGA 36 E ruaj zemrën me kujdes

Mësime të rëndësishme nga mbretërit e Izraelit

Mësime të rëndësishme nga mbretërit e Izraelit

«Do ta shihni përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.»MAL. 3:18.

FOKUSI I ARTIKULLIT

Të mësojmë mbi ç’bazë e përcaktonte Jehovai nëse një mbret i Izraelit ishte besnik, që të kuptojmë se çfarë pret nga adhuruesit e tij sot.

1-2. Çfarë tregon Bibla për disa nga mbretërit e Izraelit?

 BIBLA flet për më shumë se 40 burra që qeverisën si mbretër të Izraelit. a Gjithashtu tregon hapur hollësi goxha interesante nga jeta e tyre. Për shembull, disa mbretër të mirë bënë edhe gjëra të këqija. Për mbretin e mirë David, Jehovai tha: «Shërbëtori im David . . . më ndoqi me gjithë zemër, duke bërë vetëm atë që ishte e drejtë në sytë e mi.» (1 Mbret. 14:8) Gjithsesi, Davidi kishte kryer imoralitet seksual me një grua të martuar dhe kishte thurur plane që burri i saj të vritej në betejë.—2 Sam. 11:4, 14, 15.

2 Nga ana tjetër, mjaft mbretër jobesnikë bënë disa gjëra të mira. Të marrim rastin e Rehoboamit. «Ai bëri atë që ishte e keqe» në sytë e Jehovait. (2 Kron. 12:14) Prapëseprapë, Rehoboami iu bind urdhrit të Perëndisë që të mos luftonte kundër dhjetë fiseve, por t’i lejonte të shkëputeshin nga mbretëria e tij. Gjithashtu fortifikoi shumë qytete për të mbrojtur popullin e Perëndisë.—1 Mbret. 12:21-24; 2 Kron. 11:5-12.

3. Cila pyetje e rëndësishme lind, dhe çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Mirëpo lind një pyetje e rëndësishme. Nëse mbretërit e Izraelit bënë edhe të mira edhe të këqija, mbi ç’bazë e përcaktonte Jehovai nëse një mbret ishte besnik? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të na ndihmojë të kuptojmë çfarë pret Jehovai nga ne. Do të shqyrtojmë tre faktorë që merrte parasysh Jehovai kur vlerësonte një mbret: qëndrimin e zemrës, pendimin dhe besnikërinë ndaj adhurimit të vërtetë.

I SHËRBYEN ME GJITHË ZEMËR JEHOVAIT

4. Cili ishte një ndryshim mes mbretërve besnikë dhe mbretërve jobesnikë?

4 Mbretërit që e kënaqën Jehovain, e adhuruan atë me gjithë zemër. b Mbreti i mirë Jehozafat «e kërkoi Jehovain me gjithë zemër». (2 Kron. 22:9) Gjithashtu për Josinë, Bibla thotë: «Para tij nuk ka pasur asnjë mbret si ai që të jetë kthyer te Jehovai e t’i ketë shërbyer atij me gjithë zemër.» (2 Mbret. 23:25) Po ç’të themi për Solomonin, i cili bëri atë që ishte e keqe në pleqëri? «Ai nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait.» (1 Mbret. 11:4) Edhe për Abijamin, një mbret tjetër jobesnik, Shkrimet thonë: «Nuk iu kushtua me gjithë zemër Jehovait.»—1 Mbret. 15:3.

5. Shpjegoni çfarë do të thotë t’i shërbesh me gjithë zemër Jehovait.

5 Atëherë, çfarë do të thotë t’i shërbesh me gjithë zemër Jehovait? Një njeri me zemër plotësisht të kushtuar ndaj Perëndisë, nuk e adhuron atë nga ndjenja e detyrës ose mekanikisht. Përkundrazi i shërben i motivuar nga dashuria dhe përkushtimi. E veç kësaj, e ruan këtë dashuri e përkushtim tërë jetën.

6. Ç’duhet të bëjmë që të vazhdojmë ta adhurojmë me gjithë zemër Jehovain? (Proverbat 4:23; Mateu 5:29, 30)

6 Si mund t’i imitojmë mbretërit besnikë që e donin me gjithë zemër Jehovain? Duke shmangur ndikimet e këqija që mund të na e minojnë besnikërinë ndaj tij. Për shembull, zbavitjet e dëmshme, shoqëritë e këqija ose një mënyrë të menduari materialiste mund të na e përçajnë zemrën. Nëse pikasim diçka që po fillon të na e dobësojë dashurinë për Jehovain, duhet të veprojmë menjëherë.—Lexo Proverbat 4:23; Mateun 5:29, 30.

7. Pse është e rëndësishme të shmangim çdo ndikim të keq?

7 Nuk duhet të lejojmë që zemra jonë të përçahet, e si pasojë t’i shërbejmë Perëndisë me gjysmë zemre. Po të mos tregojmë kujdes, mund të mashtrojmë veten me mendimin që nëse përfshihemi sa më shumë në aktivitetet teokratike, s’ka nevojë të mbrohemi nga ndikimet e këqija. Ta ilustrojmë: imagjino sikur je jashtë në një ditë kur bën acar i hidhur e fryn erë. Sapo kthehesh në shtëpi, ndez ngrohësin. Mirëpo, sa vlerë do të kishte kjo sikur të lije derën hapur? Shpejt ajri i ftohtë do të mbushte gjithë shtëpinë. Mësimi? Nuk mjafton të marrim ushqim besimforcues që na e bën më të ngrohtë miqësinë me Jehovain. Duhet edhe t’ua mbyllim derën ndikimeve të dëmshme, që ‘ajri’ i ftohtë i botës, pra qëndrimi shpërfillës ndaj Perëndisë, të mos na hyjë në zemër e të na e përçajë.—Efes. 2:2.

U PENDUAN PËR MËKATET

8-9. Si reaguan mbreti David dhe mbreti Hezekia ndaj korrigjimit? (Shihni figurën.)

8 Siç u përmend më sipër, mbreti David mëkatoi rëndë. Por, kur profeti Natan e qortoi, ai u pendua me përulësi. (2 Sam. 12:13) Davidi nuk u hoq sikur i vinte keq sa për t’i hedhur hi syve Natanit ose për të shmangur ndëshkimin. Përkundrazi fjalët që shkroi te Psalmi 51, tregojnë se ishte penduar me gjithë zemër.—Psal. 51:3, 4, 17, mbishkrimi.

9 Edhe mbreti Hezekia mëkatoi kundër Jehovait. Bibla thotë: «Zemra e tij u bë fodulle. Prandaj indinjata e Perëndisë ra mbi të, mbi Judën dhe Jerusalemin.» (2 Kron. 32:25) Pse u bë krenar Hezekia? Mbase ndihej superior ngaqë ishte i pasur, ngaqë kishte korrur fitore kundër asirianëve ose ngaqë ishte shëruar me një mrekulli. Ndoshta krenaria e shtyu t’u tregonte me mburrje babilonasve pasurinë e tij, e si pasojë profeti Isaia e qortoi. (2 Mbret. 20:12-18) Por, ashtu si Davidi, Hezekia u pendua me përulësi. (2 Kron. 32:26) Si rezultat, Jehovai e konsideroi Hezekinë një mbret besnik, i cili «bëri atë që ishte e drejtë».—2 Mbret. 18:3.

Mbreti David dhe mbreti Hezekia u penduan me përulësi pasi profetët i qortuan për mëkatet e tyre (Shih paragrafët 8-9)


10. Si reagoi mbreti Amaziah ndaj korrigjimit?

10 Krejt ndryshe, Amaziahu, një nga mbretërit e Judës, bëri atë që ishte e drejtë, «por jo me gjithë zemër». (2 Kron. 25:2) Ku gaboi? Pasi Jehovai e ndihmoi të mposhtte edomitët, Amaziahu adhuroi perënditë e tyre. c E kur profeti i Jehovait i foli për këtë, me kokëfortësi mbreti nuk ia vuri veshin dhe e dëboi.—2 Kron. 25:14-16.

11. Sipas 2 Korintasve 7:9, 11, çfarë duhet të bëjmë që Jehovai të na falë? (Shihni edhe figurat.)

11 Çfarë mësojmë nga këta shembuj? Duhet të pendohemi për mëkatet dhe të bëjmë çmos që të mos i përsëritim. Po sikur pleqtë e kongregacionit të na japin një këshillë, ndoshta për diçka që nuk na duket aq e rëndësishme? Nuk duhet të ndihemi sikur Jehovai ose pleqtë nuk na duan dhe po na kundërvihen. Edhe mbretërit e mirë të Izraelit patën nevojë për këshilla dhe korrigjim. (Hebr. 12:6) Kur na korrigjojnë, duhet (1) të reagojmë me përulësi, (2) të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe (3) të vazhdojmë t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait. Po të pendohemi për mëkatet, Jehovai ka për të na falur.—Lexo 2 Korintasve 7:9, 11.

Kur na korrigjojnë, duhet (1) të reagojmë me përulësi, (2) të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe (3) të vazhdojmë t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait (Shih paragrafin 11) f


E ADHURUAN JEHOVAIN ME BESNIKËRI

12. Çfarë i dallonte në veçanti mbretërit besnikë?

12 Mbretërit që Jehovai i shihte si besnikë, e adhuronin në mënyrën që donte Ai. Gjithashtu i nxitnin nënshtetasit e tyre të bënin të njëjtën gjë. Natyrisht, siç e kemi parë, edhe ata bënë gabime. Ama ishin të përkushtuar vetëm ndaj Jehovait, e madje luftuan me të gjitha forcat që ta pastronin vendin nga idhujtaria. d

13. Pse Jehovai e konsideroi jobesnik mbretin Akab?

13 Ç’të themi për ata mbretër që Jehovai i konsideroi jobesnikë? Sigurisht, ata nuk bënë vetëm gjëra të këqija. Për shembull, mbreti i lig Akab tregoi njëfarë përulësie dhe i erdhi keq që pati gisht në vrasjen e Nabotit. (1 Mbret. 21:27-29) Gjithashtu ndërtoi qytete dhe korri fitore për Izraelin. (1 Mbret. 20:21, 29; 22:39) Por, nën ndikimin e së shoqes, Akabi bëri diçka shumë të rëndë: nxiti adhurimin e rremë. Dhe nuk u pendua kurrë për këtë.—1 Mbret. 21:25, 26.

14. (a) Pse Jehovai e konsideroi jobesnik mbretin Rehoboam? (b) Nga se karakterizohej qeverisja e mbretërve jobesnikë?

14 Të marrim rastin e një mbreti tjetër jobesnik—Rehoboamit. Siç e përmendëm më parë, ai bëri goxha gjëra të mira gjatë mbretërimit të tij. Ama, kur mbretëria e tij u bë e patundur, ai e braktisi Ligjin e Jehovait dhe filloi të adhuronte perëndi të rreme. (2 Kron. 12:1) Pas kësaj, Rehoboami u lëkund mes adhurimit të vërtetë dhe adhurimit të rremë. (1 Mbret. 14:21-24) Rehoboami dhe Akabi nuk ishin mbretërit e vetëm që devijuan nga adhurimi i vërtetë. Në fakt, shumica e mbretërve jobesnikë adhuruan perëndi të rreme dhe i nxitën edhe të tjerët të bënin po njësoj. Është e qartë se për Jehovain, besnikëria ndaj adhurimit të vërtetë ishte faktor kyç për të përcaktuar nëse një mbret ishte i mirë ose i keq.

15. Pse për Jehovain ka shumë rëndësi besnikëria ndaj adhurimit të vërtetë?

15 Pse ishte kaq e rëndësishme për Jehovain çështja e adhurimit? Një nga arsyet ishte se mbretërit kishin përgjegjësinë ta drejtonin popullin e Perëndisë në adhurimin e vërtetë. Veç kësaj, adhurimi i rremë çon pa diskutim edhe në mëkate të tjera serioze e në padrejtësi. (Hoz. 4:1, 2) Për më tepër, mbretërit dhe populli i Izraelit ishin të kushtuar ndaj Jehovait. Ja pse Bibla e krahason përfshirjen e tyre në adhurimin e rremë me kurorëshkeljen. (Jer. 3:8, 9) Kush kryen kurorëshkelje të mirëfilltë, i thyen zemrën shokut a shoqes së jetës. Po njësoj, një shërbëtor i kushtuar i Jehovait që adhuron perëndi të rreme, mëkaton kundër Jehovait e ia bën zemrën plagë. eLigj. 4:23, 24.

16. Në sytë e Jehovait, cili është ndryshimi kryesor mes të drejtit dhe të ligut?

16 Çfarë mund të mësojmë? Pa diskutim, duhet të jemi të vendosur të qëndrojmë larg adhurimit të rremë. Nga ana tjetër, duhet ta adhurojmë Jehovain me besnikëri dhe ta mbështetim gjithnjë me zell adhurimin e vërtetë. Profeti Malakia shpjegoi mjaft qartë se çfarë e dallon një njeri të mirë nga një njeri i keq. Ai shkroi: «Do ta shihni përsëri dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben.» (Mal. 3:18) Ndaj s’duhet të lejojmë asgjë—madje as të metat dhe gabimet tona—që të na shkurajojë deri në atë pikë sa të mos i shërbejmë më Perëndisë. Në fakt, të mos i shërbesh më Jehovait është një mëkat serioz.

17. Si mund të ndikojë zgjedhja e bashkëshortit te përkushtimi ndaj Jehovait?

17 Nëse je beqar dhe po mendon të martohesh, fjalët e Malakisë mund të të ndihmojnë të bësh zgjedhjen e duhur. Mendo pak për këtë: dikush mund të ketë disa cilësi të mira, ama nëse nuk po i shërben Perëndisë së vërtetë, a është i drejtë në sytë e Jehovait? (2 Kor. 6:14) Nëse martohesh me të, a do të të ndihmojë të lidhesh më ngushtë me Jehovain? Mos harro se gratë pagane të mbretit Solomon mund të kenë pasur disa cilësi të mira. Mirëpo ato nuk e adhuronin Jehovain dhe gradualisht ia kthyen zemrën Solomonit që të ndiqte perëndi të rreme.—1 Mbret. 11:1, 4.

18. Çfarë duhet t’u mësojnë prindërit fëmijëve?

18 Ju prindër mund të përdorni shembujt e mbretërve të Biblës që të ngulitni në zemrat e fëmijëve dëshirën për të adhuruar me zell Jehovain. Ndihmojini të kuptojnë që miratimi i Jehovait për një mbret varej shumë nga fakti nëse ai përkrahte adhurimin e vërtetë. Mësojini fëmijët me fjalët e me shembullin tuaj se gjërat që na afrojnë me Jehovain—si studimi i Biblës, pjesëmarrja në mbledhje dhe në shërbim—janë më të rëndësishmet në jetë. (Mat. 6:33) Në të kundërt, mund të nxjerrin përfundimin se të jesh Dëshmitar i Jehovait do të thotë thjesht të ndjekësh fenë e familjes. E kjo mund t’i shtyjë ta vënë adhurimin e Jehovait në vend të dytë ose ta braktisin fare.

19. Çfarë shprese ka për këdo që nuk i shërben më Jehovait? (Shihni edhe kutinë « Ti mund të kthehesh te Jehovai!»)

19 Nëse dikush nuk i shërben më Jehovait, a do të thotë se nuk ka më shpresë të jetë mik i tij? Jo, sepse ai mund të pendohet e të kthehet te Jehovai. Për këtë mbase do t’i duhet të gëlltitë krenarinë e të pranojë ndihmën e pleqve të kongregacionit. (Jak. 5:14) Ama ia vlen çdo përpjekje për të rifituar miratimin e Jehovait!

20. Si do të na shohë Jehovai po të imitojmë mbretërit besnikë?

20 Çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga mbretërit e Izraelit? Mund të jemi si mbretërit besnikë nëse vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me gjithë zemër. Gjithashtu të mësojmë nga gabimet tona, të pendohemi dhe të bëjmë ndryshimet e nevojshme. Dhe të mos harrojmë asnjëherë sa rëndësi ka që t’i shërbejmë me besnikëri të vetmit Perëndi të vërtetë. Nëse qëndron i lidhur ngushtë me Jehovain, edhe ti do të jesh i drejtë në sytë e tij.

KËNGA 45 Mendimet e thella të zemrës

a Në këtë artikull, kur flasim për «mbretërit e Izraelit» e kemi fjalën për të gjithë mbretërit që qeverisën mbi popullin e Jehovait, pra mbi mbretërinë dyfisëshe të Judës, mbi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit ose mbi të dymbëdhjetë fiset.

b SHPJEGIMI I FJALËS: Shpesh Bibla e përdor fjalën «zemër» për të përshkruar krejt botën e brendshme të njeriut, që përfshin dëshirat, mendimet, prirjet, qëndrimet, aftësitë, motivet dhe synimet.

c Me sa duket mbretërit pagan e kishin zakon të adhuronin perënditë e kombit që kishin mposhtur në betejë.

d Mbreti Asa kreu mëkate serioze. (2 Kron. 16:7, 10) E megjithatë Bibla thotë se ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait. Edhe pse në fillim Asa e hodhi poshtë korrigjimin, ka mundësi që më vonë u pendua. Për Jehovain, cilësitë e tij të mira ishin më të rëndësishme se gabimet. Vlen të përmendet se Asa adhuroi vetëm Jehovain dhe u përpoq fort ta pastronte mbretërinë e tij nga idhujtaria.—1 Mbret. 15:11-13; 2 Kron. 14:2-5.

e Në sytë e Jehovait çështja e adhurimit ishte mjaft e rëndësishme, pasi dy urdhërimet e para të Ligjit të Moisiut ndalonin adhurimin e çdo gjëje ose të çdokujt tjetër përveç Jehovait.—Eks. 20:1-6.

f PËRSHKRIMI I FIGURAVE: Një plak i ri në moshë i thotë një vëllai se është i merakosur për zakonet e tij të të pirit. Vëllai e pranon me përulësi këshillën, bën ndryshimet e nevojshme dhe vazhdon t’i shërbejë Jehovait me besnikëri.