Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Eksodit

Pika kryesore nga libri i Eksodit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Eksodit

ËSHTË historia e vërtetë e çlirimit të atyre që u bënë «skllevër nën tirani». (Dalja [Eksodi] 1:13, BR) Është gjithashtu përshkrimi emocionues i lindjes së një kombi. Ndër veçoritë e kësaj historie, përfshihen mrekulli mahnitëse, një legjislacion i shkëlqyer dhe ndërtimi i tabernakullit. Në thelb kjo është përmbajtja e librit biblik të Eksodit.

Libri i Eksodit u shkrua nga profeti hebre Moisiu. Ai përshkruan përvojat e izraelitëve gjatë një periudhe 145-vjeçare: që nga vdekja e Jozefit në vitin 1657 p.e.s., e deri në përfundimin e tabernakullit në vitin 1512 p.e.s. Megjithatë, ky përshkrim nuk është thjesht me interes historik. Ai është pjesë e fjalës ose e mesazhit të Perëndisë drejtuar njerëzimit. Meqë është i tillë, ai ‘është i gjallë dhe ushtron fuqi’. (Hebrenjve 4:12) Prandaj libri i Eksodit ka vërtet rëndësi për ne.

«PERËNDIA DËGJOI RËNKIMIN E TYRE»

(Eksodi 1:1–4:31)

Pasardhësit e Jakobit që banojnë në Egjipt shtohen kaq shpejt, saqë sipas një urdhri mbretëror i bëjnë skllevër. Madje faraoni nxjerr një dekret për të vrarë të gjithë foshnjat izraelite meshkuj. Nga një fund i tillë shpëton një foshnjë tremuajshe, Moisiu, të cilin e birëson vajza e faraonit. Ndonëse rritet në shtëpinë mbretërore, në moshën 40-vjeçare, Moisiu merr anën e popullit të tij dhe vret një egjiptian. (Veprat 7:23, 24) Duke qenë i detyruar të iki ai shkon në Midian. Atje martohet dhe jeton si bari. Pranë një kaçubeje që në një mënyrë të mrekullueshme është në flakë, Jehovai i ngarkon Moisiut detyrën që të kthehet në Egjipt dhe t’i çlirojë izraelitët nga skllavëria. Vëllai i tij, Aaroni, caktohet si zëdhënësi i tij.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3:1—Ç’lloj prifti ishte Jetroi? Në kohët patriarkale kreu i familjes shërbente si prift për familjen e tij. Jetroi ishte me sa duket kreu patriarkal i një fisi të midianitëve. Meqë midianitët ishin pasardhës të Abrahamit nga ana e Keturës, ata ndoshta kishin njohuri për adhurimin e Jehovait.​—Zanafilla 25:1, 2.

4:11, BR​—Në cilin kuptim Jehovai ‘e bën të pagojin, të shurdhrin dhe të verbrin’? Edhe pse Jehovai në ndonjë rast e bëri të verbër ose të shurdhër ndonjë njeri, Ai nuk është përgjegjës për çdo gjymtim të tillë. (Zanafilla 19:11; Luka 1:20-22, 62-64) Këto gjymtime janë pasojë e mëkatit të trashëguar. (Jobi 14:4; Romakëve 5:12) Por meqë Perëndia e ka lejuar këtë situatë, ai mund të thotë për veten e tij sikur ‘e ka bërë’ të pagojin, të shurdhrin dhe të verbrin.

4:16, BR​—Në ç’mënyrë Moisiu duhej ‘të shërbente si Perëndi’ për Aaronin? Moisiu ishte një përfaqësues i Perëndisë. Prandaj Moisiu u bë «si Perëndi» për Aaronin, i cili foli si përfaqësues i Moisiut.

Mësime për ne:

1:7, 14. Jehovai e përkrahu popullin e tij kur ishte i shtypur në Egjipt. Po kështu, i mbështet Dëshmitarët e tij sot, madje edhe në rast përndjekjeje të ashpër.

1:17-21. Jehovai na kujton «për mirë».​—Nehemia 13:31, BR.

3:7-10. Jehovai i përgjigjet menjëherë klithmës së popullit të tij.

3:14, BR. Jehovai i realizon pa dështuar qëllimet e tij. Prandaj mund të jemi të sigurt se do t’i bëjë realitet shpresat tona të bazuara në Bibël. *

4:10, 13. Moisiu tregoi kaq shumë pasiguri në aftësinë e tij për të folur, saqë edhe kur Perëndia e siguroi se do ta mbështeste, ai iu lut Atij që të dërgonte dikë tjetër për të folur me faraonin. Megjithatë, Jehovai përdori Moisiun dhe i dha atij mençurinë dhe forcën që i nevojitej për të kryer caktimin e tij. Në vend që të përqendrohemi te paaftësitë tona, le të mbështetemi te Jehovai dhe le ta kryejmë me besnikëri detyrën për të predikuar dhe për të mësuar të tjerët.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

MREKULLI MAHNITËSE SJELLIN ÇLIRIM

(Eksodi 5:1–15-:21)

Moisiu dhe Aaroni shkojnë përpara faraonit dhe i kërkojnë që t’i lejojë izraelitët të kremtojnë një festë në shkretëtirë për Jehovain. Sundimtari egjiptian kundërshton me mospërfillje. Jehovai përdor Moisiun për të sjellë njëra pas tjetrës plagë të mëdha. Vetëm pas plagës së dhjetë faraoni i lë izraelitët të shkojnë. Megjithatë shumë shpejt, ai dhe forcat e tij ushtarake i ndjekin izraelitët si të tërbuar. Por Jehovai hap një korridor shpëtimi përmes Detit të Kuq dhe e çliron popullin e tij. Egjiptianët që po i ndjekin mbyten ndërsa deti mbyllet mbi ta.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

6:3—Në ç’mënyrë emri i Perëndisë nuk i ishte bërë i njohur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit? Këta patriarkë e përdorën emrin hyjnor dhe morën premtime nga Jehovai. Por ata nuk e njohën ose nuk e panë Jehovain të vepronte si ai që shkaktoi të përmbushen këto premtime.​—Zanafilla 12:1, 2; 15:7, 13-16; 26:24; 28:10-15.

7:1—Si u bë Moisiu «Perëndi për faraonin»? Moisiut i ishte dhënë fuqi dhe autoritet hyjnor mbi faraonin. Prandaj nuk kishte arsye për të pasur frikë nga ai mbret.

7:22—Ku gjetën priftërinjtë egjiptianë ujë që nuk ishte kthyer në gjak? Ata mund të kenë përdorur ujë që ishte marrë nga lumi Nil përpara kësaj plage. Ujë të pandotur mund të merrej me sa duket edhe duke gërmuar puse në tokën e lagësht rreth e qark lumit Nil.​—Eksodi 7:24.

8:26, 27—Pse Moisiu tha që flijimet e Izraelit do të ishin «të neveritshme» për egjiptianët? Në Egjipt adhuroheshin shumë lloje kafshësh. Prandaj përmendja e flijimeve e bëri më të justifikueshme dhe më bindëse këmbënguljen e Moisiut që Izraeli të lejohej të largohej për t’i bërë flijime Jehovait.

12:29—Cilët u llogaritën si të parëlindur? Të parëlindurit qenë vetëm meshkuj. (Numrat 3:40-51) Faraoni, i cili ishte vetë një i parëlindur, nuk u vra. Ai kishte vetë një familje. Si pasojë e plagës së dhjetë nuk vdiqën krerët e familjes, por bijtë e parëlindur të familjes.

12:40, BR​—Për sa kohë banuan izraelitët në vendin e Egjiptit? 430 vitet e përmendura këtu, përfshijnë kohën që bijtë e Izraelit e kaluan «në vendin e Egjiptit dhe në vendin e Kanaanit». * 75-vjeçari Abraham e kaloi lumin Eufrat në vitin 1943 p.e.s. kur ishte udhës për në Kanaan. (Zanafilla 12:4) Që nga ajo kohë e deri kur 130-vjeçari Jakob hyri në Egjipt kishin kaluar 215 vjet. (Zanafilla 21:5; 25:26; 47:9) Kjo do të thotë se pas kësaj izraelitët kaluan në Egjipt një periudhë të njëjtë prej 215 vjetësh.

15:8, BR​—A ishin në të vërtetë të ngrira ujërat ‘e ngurtësuara’ të Detit të Kuq? Folja hebraike e përkthyer «u ngurtësuan» do të thotë tkurret ose trashet. Te Jobi 10:10, kjo shprehje përdoret në lidhje me qumështin e mpiksur. Pra ujërat e ngurtësuara nuk japin medoemos idenë e ujërave të ngrira, domethënë të akullit. Në rast se ‘era e fortë nga lindja’ që përmendet tek Eksodi 14:21 do të kishte qenë kaq e ftohtë sa ujërat do të ngrinin, pa dyshim aty do të ishte përmendur në njëfarë mënyre të ftohtët e jashtëzakonshëm. Meqë asgjë e dukshme nuk i mbante ujërat, ato dukeshin si të ngurtësuara.

Mësime për ne:

7:14–12:30. Dhjetë plagët nuk ishin thjesht të rastësishme. Ato u parathanë dhe ndodhën pikërisht siç ishin përshkruar. Me sa forcë tregojnë dhjetë plagët se Krijuesi ka nën kontroll ujin, dritën e diellit, insektet, kafshët dhe njerëzit! Plagët tregojnë gjithashtu se Perëndia mund të sjellë në mënyrë të përzgjedhur katastrofa mbi armiqtë e tij, ndërkohë që i mbron adhuruesit e tij.

11:2; 12:36. Jehovai e bekon popullin e tij. Me sa duket ai bëri që izraelitët të shpërbleheshin për mundin e tyre në Egjipt. Ata kishin hyrë në atë vend si popull i lirë dhe jo si robër lufte për t’u skllavëruar.

14:30. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i çlirojë adhuruesit e tij në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen.​—Mateu 24:20-22; Zbulesa 7:9, 14.

JEHOVAI ORGANIZON NJË KOMB TEOKRATIK

(Eksodi 15:22–40:38)

Në muajin e tretë pas çlirimit nga Egjipti izraelitët fushojnë rrëzë malit Sinai. Atje marrin Dhjetë Urdhërimet dhe ligje të tjera, hyjnë në një besëlidhje me Jehovain dhe bëhen një komb teokratik. Moisiu kalon 40 ditë në mal dhe merr udhëzime në lidhje me adhurimin e vërtetë dhe me ndërtimin e tabernakullit, një tempull i transportueshëm. Ndërkohë izraelitët bëjnë një viç të artë dhe e adhurojnë. Kur zbret nga mali, Moisiu e sheh këtë dhe zemërohet kaq shumë, saqë i bën copë-copë dy pllakat prej guri që i kishte dhënë Perëndia. Pasi u jepet ndëshkimi i duhur keqbërësve, ai ngjitet përsëri në mal dhe merr dy pllaka të tjera. Sapo Moisiu kthehet, fillon ndërtimi i tabernakullit. Në fund të vitit të parë të çlirimit të Izraelit kjo tendë e mrekullueshme bashkë me pajimet e saj përfundojnë dhe vendosen. Pastaj Jehovai e mbush tendën me lavdinë e tij.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

20:5, BR​—Në ç’mënyrë Jehovai sjell mbi brezat e ardhshëm «ndëshkimin për gabimin e etërve» të tyre? Pasi arrin një moshë madhore, çdo individ gjykohet në bazë të sjelljes dhe qëndrimit të tij. Por kur kombi i Izraelit iu drejtua idhujtarisë, vuajti pasojat e këtij qëndrimi në brezat që erdhën më pas. Madje edhe izraelitët besnikë i ndien pasojat, sepse shkelja e ligjeve fetare nga ana e kombit e bëri të vështirë për ta të qëndronin në udhën e integritetit.

23:19; 34:26—Cili ishte kuptimi i urdhrit për të mos zier një kec në qumështin e nënës së tij? Zierja e të voglit të një kafshe (kecit ose një kafshe tjetër) në qumështin e nënës së tij thuhet se ishte një rit pagan për të sjellë shiun. Për më tepër, meqë qumështi i kafshës ishte për të ushqyer të voglin e saj, të zieje pjellën e saj në të do të ishte një akt mizor. Ky ligj ndihmoi për t’i treguar popullit të Perëndisë se duhej të ishin të dhembshur.

23:20-23—Kush ishte engjëlli që përmendet këtu dhe në ç’kuptim emri i Jehovait ishte «në të»? Ka të ngjarë që ky engjëll të ishte Jezui në formën e tij paranjerëzore. Ai u përdor për të udhëhequr izraelitët rrugës për në Tokën e Premtuar. (1 Korintasve 10:1-4) Emri i Jehovait është «në të» në kuptimin që Jezui është personi kryesor që përkrah dhe shenjtëron emrin e Atit të tij.

32:1-8, 25-35—Pse Aaroni nuk u ndëshkua që bëri viçin e artë? Aaroni nuk e mbështeti me gjithë zemër idhujtarinë. Më vonë ai u bashkua me levitët e tjerë duke marrë anën e Perëndisë dhe duke iu kundërvënë atyre që kundërshtuan Moisiun. Pasi fajtorët u vranë, Moisiu i kujtoi popullit se kishin mëkatuar rëndë. Kjo tregon se, përveç Aaronit, edhe të tjerë fituan mëshirën e Jehovait.

33:11, 20—Në ç’mënyrë i foli Perëndia Moisiut «ballë për ballë»? Kjo shprehje tregon një bisedë mes miqsh të ngushtë. Moisiu foli me përfaqësuesin e Perëndisë dhe nëpërmjet tij mori gojarisht udhëzime nga Jehovai. Por Moisiu nuk e pa Jehovain, sepse ‘asnjë njeri nuk mund ta shikojë Perëndinë dhe të jetojë’. Në fakt Jehovai nuk foli personalisht me Moisiun. Galatasve 3:19 thotë se Ligji «u transmetua me anë të engjëjve, nga dora e një ndërmjetësi».

Mësime për ne:

15:25; 16:12. Jehovai kujdeset për popullin e tij.

18:21. Edhe burrat që zgjidhen në pozita me përgjegjësi në kongregacionin e krishterë duhet të jenë individë të zotë, me frikë Perëndie, të denjë për besim dhe altruistë.

20:1–23:33. Jehovai është Ligjdhënësi më i lartë. Kur u bindeshin ligjeve të Perëndisë, këto ligje i ndihmonin izraelitët që ta adhuronin atë në mënyrë të rregullt dhe me gëzim. Jehovai ka një organizatë teokratike sot. Bashkëpunimi me këtë organizatë na sjell lumturi dhe siguri.

Ka vërtet rëndësi për ne

Çfarë zbulon libri i Eksodit për Jehovain? Ai e përshkruan Perëndinë si ai që siguron me dashuri gjërat e nevojshme, Çlirimtari i pakrahasueshëm dhe Plotësuesi i qëllimeve të tij. Ai është Perëndia i organizimit teokratik.

Ndërsa bëni leximin javor të Biblës për t’u përgatitur për Shkollën e Shërbimit Teokratik, pa dyshim do të prekeni thellë nga ajo që do të mësoni nga libri i Eksodit. Kur të shqyrtoni gjërat që thuhen në pjesën «Përgjigjet e pyetjeve biblike», do të fitoni kuptueshmëri më të thellë për disa fragmente biblike. Komentet që ndodhen poshtë nëntitullit «Mësime për ne» do t’ju tregojnë se si mund të nxirrni dobi nga leximi i Biblës për javën përkatëse.

[Shënimet]

^ par. 27 Pentateuku samaritan, Septuaginta dhe Jozefi tregojnë se 430 vitet llogariten që nga koha kur Abrahami hyri në tokën e Kanaanit e deri në kohën kur izraelitët dolën nga Egjipti.

[Figura në faqet 24, 25]

Jehovai i ngarkoi njeriut zemërbutë, Moisiut, detyrën që t’i çlironte izraelitët nga skllavëria

[Figura në faqen 25]

Dhjetë plagët treguan se Krijuesi ka nën kontroll ujin, dritën e diellit, insektet, kafshët dhe njerëzit

[Figura në faqet 26, 27]

Nëpërmjet Moisiut Jehovai i organizoi izraelitët si një komb teokratik