Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të nderojmë Jehovain duke u sjellë me dinjitet

Të nderojmë Jehovain duke u sjellë me dinjitet

Të nderojmë Jehovain duke u sjellë me dinjitet

«Gjithçka bën [Jehovai], është e lavdishme dhe plot shkëlqim.»—PSAL. 111:3.

1, 2. (a) Si do ta përkufizonit fjalën «dinjitet»? (b) Cilat pyetje do të shqyrtohen në këtë artikull?

KUR e pyetën dhjetëvjeçaren Medisona se ç’do të thoshte shprehja «njeri me dinjitet», menjëherë ajo u përgjigj: «I veshur mirë.» Ajo që mund të mos dinte kjo vajzë e vogël është se Bibla thotë për Perëndinë se është ‘i veshur me lavdi’ ose me dinjitet. (Psal. 104:1) Kur bëhet fjalë për njerëzit, dinjiteti mund të nënkuptojë edhe të jesh i veshur mirë. Për shembull, apostulli Pavël dëshironte që gratë e krishtere ‘të stoliseshin me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta’. (1 Tim. 2:9) Por sjellja që nderon Jehovain, Perëndinë me dinjitet dhe ‘plot shkëlqim’, përfshin edhe më shumë.—Psal. 111:3.

2 Në Bibël, fjala hebraike që përkthehet «dinjitet» mund të përkthehet edhe «shkëlqim», «madhështi», «lavdi» dhe «nderim». Sipas përkufizimit të një fjalori, «dinjiteti» është «cilësia ose të qenët i denjë, i nderuar ose i vlerësuar». E pa dyshim, askush nuk është i denjë të nderohet dhe të vlerësohet më shumë sesa Jehovai. Prandaj, si shërbëtorë të tij të kushtuar, duhet të sillemi dhe të flasim me dinjitet, ose në një mënyrë që e nderon Jehovain. Por, përse njerëzit mund të sillen me dinjitet? Si shihen qartë dinjiteti dhe shkëlqimi i Jehovait? Si duhet të ndikohemi nga dinjiteti i Perëndisë? Çfarë mund të na mësojë Jezu Krishti se si ta shfaqim këtë cilësi? Dhe, si mund të sillemi me dinjitet hyjnor?

Pse mund të sillemi me dinjitet?

3, 4. (a) Çfarë kërkohet nga ne duke pasur parasysh se si na ka trajtuar Jehovai? (b) Kujt i referohet në mënyrë profetike Psalmi 8:5-9? (Shih shënimin.) (c) Cilët ka trajtuar me dinjitet Jehovai në të kaluarën?

3 Ngaqë janë bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, të gjithë njerëzit kanë aftësinë të sillen me dinjitet. Jehovai e nderoi ose e trajtoi me dinjitet njeriun e parë duke e caktuar që të kujdesej për tokën. (Zan. 1:26, 27) Edhe pasi njeriu humbi përsosmërinë, Jehovai e ripohoi përgjegjësinë që i kishte dhënë atij për tokën. Kështu Perëndia ende ‘i kurorëzon’ njerëzit me dinjitet ose lavdi dhe shkëlqim. (Lexo Psalmin 8:5-9.) * Meqë Jehovai na ka trajtuar kështu, nga ne kërkohet të bëjmë po njësoj, domethënë, të lëvdojmë emrin e tij të madhërishëm dhe ta bëjmë këtë me nderim të thellë dhe dinjitet.

4 Jehovai ka trajtuar me dinjitet veçanërisht ata që i kanë bërë shërbim të shenjtë. Perëndia e trajtoi me dinjitet Abelin duke pranuar blatimin e tij, por duke refuzuar atë që paraqiti i vëllai, Kaini. (Zan. 4:4, 5) Moisiu u udhëzua të kalonte ca nga «lavdia» ose dinjiteti i vet tek Josiu, ai që do ta pasonte si udhëheqës i izraelitëve. (Num. 27:20) Në lidhje me birin e Davidit, Solomonin, Bibla thotë: «Jehovai vazhdoi ta bënte Solomonin tejet të madh para syve të gjithë Izraelit dhe t’i jepte një lavdi të tillë mbretërore që nuk e kishte pasur asnjë nga mbretërit që kishin qenë para tij në Izrael.» (1 Kron. 29:25) Perëndia do t’u japë lavdi të jashtëzakonshme të krishterëve të mirosur të ringjallur, që kanë shpallur me besnikëri ‘lavdinë e shkëlqimin e mbretërisë së tij’. (Psal. 145:11-13) Duke lëvduar në këtë mënyrë Jehovain, edhe ‘deleve të tjera’ të Jezuit, numri i të cilëve rritet gjithnjë e më shumë, u është dhënë një rol i bekuar e me dinjitet.—Gjoni 10:16.

Dinjiteti dhe shkëlqimi i Jehovait shihen qartë

5. Si është lavdia ose dinjiteti i Jehovait?

5 Në një këngë që vë në kontrast madhështinë e Perëndisë me vogëlsinë e njeriut, psalmisti David këndoi: «O Jehova, Zotëria ynë, sa i madhërishëm është emri yt në mbarë tokën, lavdia jote tregohet mbi qiejt!» (Psal. 8:1) Që para se të krijonte «qiejt dhe tokën» e deri përtej përmbushjes madhështore të qëllimit të tij për ta bërë tokën parajsë dhe njerëzit të përsosur—në jetë të jetëve—lavdia ose dinjiteti i Perëndisë Jehova janë të pakrahasueshme, pasi ai është Personi më i madhërishëm në univers.—Zan. 1:1; 1 Kor. 15:24-28; Zbul. 21:1-5.

6. Pse psalmisti tha se Jehovai është i veshur me lavdi?

6 Sa duhet të jetë prekur psalmisti që i frikësohej Perëndisë teksa vështronte natën madhështinë e heshtur të qiellit plot yje, të zbukuruar me «xhevahire» vezulluese! I mrekulluar se si Perëndia ‘i kishte shpalosur qiejt si pëlhurë tende’, psalmisti e përshkroi Jehovain si të veshur me lavdi ose dinjitet për shkak të aftësive të Tij krijuese mbresëlënëse. (Lexo Psalmin 104:1, 2.) Lavdia dhe shkëlqimi i Krijuesit të plotfuqishëm e të padukshëm shihen qartë në veprat e tij të dukshme.

7, 8. Çfarë dëshmish të dinjitetit dhe të shkëlqimit të Jehovait shohim në qiej?

7 Për shembull, shqyrtoni galaktikën Udha e Qumështit. Në këtë oqean të paanë yjesh, planetësh dhe sistemesh diellore, planeti Tokë duket me përmasa të papërfillshme, si një kokrrizë rëre në një plazh të pafund. E pra, vetëm kjo galaktikë përmban më tepër se 100 miliardë yje! Nëse do të numëronit një yll në sekondë pa ndërprerje për 24 orë në ditë, do t’ju duheshin më shumë se 3.000 vjet për të arritur shifrën 100 miliardë.

8 Nëse vetëm galaktika Udha e Qumështit përmban 100 miliardë yje, ç’të themi për pjesën tjetër të universit? Astronomët llogaritin se Udha e Qumështit mund të jetë vetëm njëra nga galaktikat e shumta në univers, numri i të cilave arrin ndoshta 50 deri në 125 miliardë. Sa yje ka në tërë universin? Patjetër që numri është i papërfytyrueshëm. E megjithatë, Jehovai i «numëron yjet dhe i thërret të gjitha me emër». (Psal. 147:4) Kur shihni që Jehovai është i veshur me një dinjitet dhe shkëlqim të tillë, a nuk nxiteni të lëvdoni emrin e tij të madh?

9, 10. Si e madhëron buka mençurinë e Krijuesit?

9 Tani le të zbresim nga qiejt madhështorë për të parë diçka të zakonshme, siç është buka. Jehovai nuk është vetëm Ai që «bëri qiellin dhe tokën», por edhe Ai «që u jep . . . bukë të uriturve». (Psal. 146:6, 7) Dinjiteti dhe shkëlqimi i Perëndisë pasqyrohen në veprat e tij madhështore, përfshirë edhe bimët nga të cilat bëhet buka. (Lexo Psalmin 111:1-5.) Jezui i mësoi dishepujt të luten: «Na e jep bukën për këtë ditë.» (Mat. 6:11) Buka ishte ushqimi bazë për shumë popuj të lashtë, përfshirë edhe izraelitët. Edhe pse buka konsiderohet një ushqim i thjeshtë, procesi kimik që i transformon disa përbërës bazë në bukë të shijshme, nuk është aspak i thjeshtë.

10 Kur po shkruhej Bibla, izraelitët përdornin miell gruri ose elbi dhe ujë për të bërë bukën. Shpeshherë përdorej edhe majaja. Këto substanca të thjeshta përzihen dhe formojnë një numër marramendës përbërësish kimikë që veprojnë aktivisht me njëri-tjetrin. Bashkëveprimi i saktë midis këtyre përbërësve nuk është kuptuar plotësisht. Për më tepër, edhe mënyra si tretet buka në trupin e njeriut është një proces jashtëzakonisht i ndërlikuar. S’është për t’u habitur që psalmisti këndoi: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri.» (Psal. 104:24) A nxiteni edhe ju ta lëvdoni Jehovain në këtë mënyrë?

Si ndikoheni nga dinjiteti dhe shkëlqimi i Perëndisë?

11, 12. Ç’ndikim mund të ketë te ne meditimi rreth veprave krijuese të Perëndisë?

11 Nuk ka pse të jemi astronomë që të mrekullohemi nga qielli i natës ose që të jemi kimistë për të shijuar bukën. Por, për të çmuar shkëlqimin e Krijuesit, duhet të gjejmë kohë për të medituar rreth veprave të duarve të tij. Ç’ndikim mund të ketë te ne një meditim i tillë? Ndikimi është i njëjtë me atë që sjell meditimi rreth çdo vepre tjetër të Jehovait.

12 Në lidhje me veprat madhështore që Jehovai kreu për popullin e Tij, Davidi këndoi: «Te shkëlqimi i lavdishëm i madhështisë sate dhe te hollësitë e veprave të tua të mrekullueshme do ta mbaj mendjen.» (Psal. 145:5) Tregojmë se e mbajmë mendjen te këto vepra duke studiuar Biblën dhe duke gjetur kohë për të medituar rreth gjërave që lexojmë në të. Ç’ndikim ka ky meditim? Na rritet çmueshmëria për shkëlqimin dhe dinjitetin e Perëndisë. Patjetër nxitemi që të bashkohemi me Davidin për të nderuar Jehovain duke thënë: «Unë do të shpall madhështinë tënde.» (Psal. 145:6) Meditimi rreth veprave të mrekullueshme të Jehovait duhet të na e forcojë marrëdhënien tonë me Të dhe duhet të na nxitë t’u flasim të tjerëve rreth Tij me entuziazëm dhe vendosmëri. A po e shpallni me zell lajmin e mirë dhe a po i ndihmoni njerëzit që të çmojnë dinjitetin, shkëlqimin dhe madhështinë e Perëndisë Jehova?

Jezui pasqyron në mënyrë të përsosur dinjitetin e Perëndisë

13. (a) Çfarë i ka dhënë Jehovai Birit të tij, sipas Danielit 7:13, 14? (b) Si Mbret, si i trajton Jezui nënshtetasit e tij?

13 Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, shpalli me zell lajmin e mirë dhe nderoi Atin e tij qiellor të madhërishëm. Jehovai e trajtoi me nderim ose dinjitet të veçantë Birin e tij të vetëmlindur duke i dhënë ‘sundim dhe mbretëri’. (Lexo Danielin 7:13, 14.) E megjithatë, Jezui nuk është kryelartë ose indiferent. Përkundrazi, ai është një Sundimtar i dhembshur që i kupton kufizimet e nënshtetasve të tij dhe i trajton me dinjitet. Shqyrtoni një rast që tregon se si i trajtonte Jezui si Mbret i emëruar njerëzit që takonte, sidomos ata që të tjerët i refuzonin dhe nuk i donin.

14. Si konsideroheshin të lebrosurit në Izraelin e lashtë?

14 Në kohët e lashta, njerëzit e sëmurë me lebër shpesh pësonin një vdekje të ngadaltë që të copëtonte zemrën. Sëmundja prekte pjesët e trupit pak nga pak. Shërimi i një të lebrosuri konsiderohej po aq i vështirë sa të ringjallje një të vdekur. (Num. 12:12; 2 Mbret. 5:7, 14) Të lebrosurit shpalleshin të papastër dhe ishin të urryer e të dëbuar nga shoqëria. Kur u afroheshin njerëzve, ata duhej të thërritnin: «I papastër! I papastër!» (Lev. 13:43-46) Një i lebrosur ishte si një i vdekur. Sipas regjistrimeve rabinike, një i lebrosur lejohej t’i afrohej dikujt deri në rreth 2 metra. Thuhej se kur shihej një i lebrosur, madje edhe nga larg, një udhëheqës fetar e godiste me gur që të mos i afrohej.

15. Si veproi Jezui me një të lebrosur?

15 Por vlen të theksohet mënyra se si reagoi Jezui kur i erdhi një i lebrosur dhe iu përgjërua ta shëronte. (Lexo Markun 1:40-42.) Në vend që ta përzinte të lebrosurin, Jezui e trajtoi me dhembshuri dhe respekt këtë njeri që të tjerët e refuzonin. Ajo që pa Jezui ishte një njeri i mjerë që kishte nevojë për lehtësim nga sëmundja. I prekur thellë, Jezui i shndërroi ndjenjat e dhembshurisë në veprim të menjëhershëm. Ai zgjati dorën, e preku të lebrosurin dhe e shëroi.

16. Ç’mësim keni nxjerrë nga mënyra se si i trajtonte Jezui të tjerët?

16 Si mund të imitojmë ne si dishepuj të Jezuit mënyrën se si ai pasqyronte dinjitetin e Atit të tij? Një mënyrë është duke pranuar që të gjithë njerëzit—pavarësisht nga shtresa shoqërore, shëndeti ose mosha—meritojnë nderimin dhe respektin e duhur. (1 Pjet. 2:17) Sidomos ata që janë në pozita mbikëqyrjeje, si për shembull, bashkëshortët, prindërit dhe pleqtë e krishterë, duhet të trajtojnë me dinjitet individët që kanë nën kujdes dhe t’i ndihmojnë të ruajnë respektin për veten. Për të theksuar se kjo është një kërkesë për të gjithë të krishterët, Bibla thotë: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë me dashuri vëllazërore. Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»—Rom. 12:10.

Të sillemi me dinjitet kur adhurojmë Jehovain

17. Çfarë mund të mësojmë nga Shkrimet kur adhurojmë Jehovain?

17 Duhet të tregojmë kujdes të veçantë për t’u sjellë me dinjitet kur adhurojmë Jehovain. Tek Eklisiastiu 5:1 thuhet: «Ruaji këmbët e tua kurdo që të shkosh në shtëpinë e Perëndisë së vërtetë.» Edhe Moisiu, edhe Josiu u urdhëruan të hiqnin sandalet kur ishin në një vend të shenjtë. (Dal. 3:5; Jos. 5:15) Duhej ta bënin këtë në shenjë respekti ose nderimi të thellë. Priftërinjtë izraelitë ishin të detyruar të vishnin mbathje liri ‘që të mbulonin mishin e zhveshur’. (Dal. 28:42, 43) Kjo nuk lejonte të paraqiteshin në mënyrë të pahijshme kur shërbenin në altar. Çdo pjesëtar i familjes së një prifti duhej të mbante normat hyjnore të dinjitetit.

18. Çfarë përfshin dinjiteti për sa i përket adhurimit që i bëjmë Jehovait?

18 Kështu, dinjiteti në adhurim përfshin nderimin dhe respektin. Që të jemi të denjë për nderim dhe respekt, duhet të sillemi me respekt. Sjellja jonë me dinjitet nuk duhet të jetë një shtirje ose thjesht një shfaqje e jashtme. Duhet ta shfaqim përtej asaj që shohin njerëzit; ta shfaqim nga ajo që sheh Perëndia—nga zemra. (1 Sam. 16:7; Prov. 21:2) Dinjiteti duhet të bëhet pjesë e jona dhe duhet të ndikojë në sjelljen, qëndrimin dhe në marrëdhënien tonë me të tjerët. E po kështu duhet të ndikojë në pikëpamjen që kemi për veten. Po, dinjiteti duhet të bëhet i dukshëm në çdo kohë dhe në çdo gjë që themi e bëjmë. Në lidhje me sjelljen, veshjen dhe paraqitjen tonë të jashtme duhet t’u vëmë veshin fjalëve të apostullit Pavël: «Në asnjë mënyrë nuk po japim asnjë shkak për pengesë, që në shërbimin tonë të mos gjendet e metë. Por në çdo mënyrë e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë.» (2 Kor. 6:3, 4) ‘Në çdo gjë të stolisim mësimin e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë’.—Titit 2:10.

Të vazhdojmë të sillemi me dinjitet hyjnor

19, 20. (a) Cila është një mënyrë e shkëlqyer për t’i trajtuar me dinjitet të tjerët? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur për sa i përket dinjitetit?

19 Dinjiteti dallohet qartë te të krishterët e mirosur që janë «ambasadorë në vend të Krishtit». (2 Kor. 5:20) Ashtu është edhe për delet e tjera’, që i mbështetin me besnikëri, dhe shërbejnë si të dërguar të Mbretërisë mesianike. Një ambasador ose një i dërguar flet me guxim dhe dinjitet në emër të qeverisë së tij. Prandaj, edhe ne duhet të flasim me dinjitet dhe guxim në mbrojtje të qeverisë së Perëndisë, pra, të Mbretërisë së tij. (Efes. 6:19, 20) Gjithashtu, a nuk i trajtojmë të tjerët me dinjitet kur u flasim për «lajmin e mirë për diçka më të mirë»?—Isa. 52:7.

20 Duhet të jemi të vendosur t’i japim lavdi Perëndisë duke u sjellë në përputhje me dinjitetin e tij. (1 Pjet. 2:12) Le të tregojmë gjithnjë respekt të thellë për të, për adhurimin e tij dhe për bashkëbesimtarët tanë. Qoftë i kënaqur Jehovai, i cili është i veshur me dinjitet dhe shkëlqim, kur sheh se me sa dinjitet e adhurojmë!

[Shënimi]

^ par. 3 Fjalët që përdori Davidi në Psalmin e 8-të i referohen gjithashtu në mënyrë profetike njeriut të përsosur Jezu Krisht.—Hebr. 2:5-9.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë ndikimi duhet të ketë te ne çmueshmëria për shkëlqimin dhe dinjitetin e Jehovait?

• Çfarë mund të mësojmë për dinjitetin nga mënyra se si veproi Jezui me një të lebrosur?

• Si mund ta nderojmë Jehovain me dinjitet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 12]

Si e trajtoi me dinjitet Jehovai Abelin?

[Figura në faqen 14]

Veprat madhështore të Jehovait shihen qartë edhe te buka

[Figura në faqen 15]

Çfarë mësuat për dinjitetin nga mënyra se si e trajtoi Jezui një të lebrosur?

[Figura në faqen 16]

Dinjiteti në adhurim përfshin të nderojmë Jehovain