Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pse Jezui nuk i mbajti dot lotët para se ta ringjallte Lazarin, siç përshkruhet te Gjoni 11:35?

Kur na vdes një njeri i dashur, është e natyrshme të derdhim lot, ngaqë do të na marrë malli. Siç tregohet nga konteksti në tregimin e Gjonit, Jezui nuk derdhi lot për vdekjen e Lazarit edhe pse e kishte për zemër. Ai qau nga dhembshuria që ndiente për familjarët dhe miqtë e pikëlluar të të ndjerit.Gjoni 11:36.

Kur Jezui dëgjoi se Lazari ishte sëmurë, nuk shkoi menjëherë që ta shëronte. Tregimi thotë: «Megjithatë, kur [Jezui] dëgjoi se ai [Lazari] ishte i sëmurë, ndenji dy ditë atje ku ishte.» (Gjoni 11:6) Pse u vonua? Ai kishte një qëllim, ndaj tha: «Qëllimi i kësaj sëmundjeje nuk është vdekja, por t’i sjellë lavdi Perëndisë, që nëpërmjet saj t’i jepet lavdi Birit të Perëndisë.» (Gjoni 11:4) Vdekja nuk do të ishte «qëllimi», ose përfundimi, i sëmundjes së Lazarit. Përmes vdekjes së Lazarit, Jezui donte ‘t’i sillte lavdi Perëndisë’. Si? Duke e ngritur nga varri mikun e tij të dashur, me anë të një mrekullie të papërshkrueshme.

Duke folur me dishepujt në këtë moment, ai e krahasoi vdekjen me gjumin. Ja përse u tha: «Po shkoj atje që ta zgjoj [Lazarin] nga gjumi.» (Gjoni 11:11) Për Jezuin, të ngrinte Lazarin nga vdekja ishte njësoj si një prind që zgjon fëmijën pasi ka marrë një sy gjumë. Prandaj, nuk kishte pse të ndiente dhembje për vdekjen e Lazarit.

Atëherë, çfarë e shtyu Jezuin të derdhte lot? Përsëri përgjigjen e gjejmë në kontekst. Kur takoi Marinë, motrën e Lazarit, dhe pa se ajo e të tjerët po vajtonin, «rënkoi në frymë dhe u trazua». U lëndua aq shumë nga dhembja e tyre, saqë «rënkoi në frymë». Ja përse «Jezui nuk i mbajti dot lotët». U trishtua thellë kur pa miqtë e tij të shtrenjtë tejet të pikëlluar.Gjoni 11:33, 35.

Kjo ngjarje tregon se Jezui ka fuqinë dhe aftësinë që t’i kthejë prapë në jetë të dashurit tanë, plot shëndet, në botën e re që po vjen. Gjithashtu, na ndihmon të dallojmë se Jezui ka ndjenja të përbashkëta me ata që kanë humbur të dashurit e tyre nga vdekja adamike. Një mësim tjetër që mund të nxjerrim nga ky tregim është se edhe ne duhet të tregojmë dhembshuri për ata që janë të pikëlluar për humbjen e njerëzve të tyre të dashur.

Jezui e dinte se do ta ringjallte Lazarin, e megjithatë nuk i mbajti dot lotët, i shtyrë nga dashuria dhe dhembshuria e thellë për miqtë e tij. Po kështu, empatia do të na shtyjë edhe ne ‘të qajmë me ata që qajnë’. (Rom. 12:15) Të pikëllohesh në raste të tilla nuk do të thotë se nuk beson te shpresa e ringjalljes. Sa mirë që Jezui na la një shembull si të shfaqim ndjenja të përbashkëta me ata që mbajnë zi kur derdhi lot nga zemra, edhe pse pas pak do ta ngrinte nga të vdekurit Lazarin.