Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Ai tha se mensën e drejtonte dashuria

Ai tha se mensën e drejtonte dashuria

NDËR momentet më të bukura në aktivitetin tonë teokratik janë rastet kur mblidhemi së bashku për të ngrënë në tryezën e Jehovait. Kur populli i Perëndisë mblidhet për gosti frymore, shpesh gëzimi shtohet teksa ndajnë me njëri-tjetrin edhe ushqimin fizik.

Në shtator 1919, Studentët e Biblës mbajtën një kongres tetëditor në Sidër-Point, Ohajo, SHBA. Ishin prenotuar hotele që të sigurohej strehim dhe ushqim për delegatët, por erdhën mijëra më tepër nga ç’pritej. Të trembur nga numri i shumtë i delegatëve, të gjithë kamerierët dhe kamerieret ia mbathën përkohësisht nga puna. I gjendur në pikë të hallit, menaxheri i mensës pyeti nëse ndonjë nga delegatët e rinj mund të jepte një dorë. Shumë u treguan të gatshëm. Njëra prej tyre ishte Sejdi Grin, e cila kujtonte: «Megjithëse ishte hera e parë që punoja si kameriere, të gjithë ia kalonim për bukuri.»

Sierra-Leone, 1982

Vitet pasuese, falë masave të marra për mensat në kongrese, mjaft vullnetarë të lumtur kishin mundësi t’u shërbenin vëllezërve dhe motrave. Ngaqë bashkëpunuan me vëllezër e motra, shumë të rinj vunë synime frymore. Gladisa Bolton shërbeu në mensë në një kongres të vitit 1937. Ajo tregoi: «U njoha me njerëz nga vende të tjera dhe mësova si u kishin bërë ballë problemeve. Ajo përvojë më ndihmoi të synoja shërbimin si pioniere.»

Delegatja Bjula Kovi tha: «Përkushtimi i vullnetarëve bëri që çdo gjë të shkonte vaj.» Ama kjo punë kishte sfidat e veta. Në vitin 1969, Anxhelo Manera ishte caktuar mbikëqyrësi i mensës, por këtë e mori vesh në momentin kur arriti në stadiumin «Doxher» në Los Anxhelos, Kaliforni. Ai rrëfente: «U shtanga si kurrë më parë!» Si pjesë e përgatitjes për kongresin duhej të hapej një kanal 0,4 kilometra i gjatë për linjën e gazit në kuzhinë.

Frankfurt, Gjermani, 1951

Në vitin 1982, në Sierra-Leone, vullnetarëve të palodhur iu desh të pastronin fushën dhe të ndërtonin mensën vetëm me materialet që gjetën aty pranë. Në vitin 1951, në Frankfurt të Gjermanisë, vëllezër të shkathët morën me qira një lokomotivë që të siguronte avull për 40 kazanë. Vullnetarët servirnin 30.000 racione në orë. Delegatët merrnin me vete thika dhe pirunë që të lehtësonin punën e 576 vullnetarëve që lanin enët. Kurse në Jangun, Mianmar, kuzhinierët mirëdashës përdornin me karar spec djegës teksa gatuanin për delegatët ndërkombëtarë.

«ATA HANË NË KËMBË»

Ani Pogensi mori shumë zemër teksa rrinte në këmbë nën diellin përvëlues dhe në radhën e gjatë për në mensën e një kongresi të vitit 1950. Ajo tha: «Isha gjithë sy e veshë teksa dëgjoja një bisedë inkurajuese mes dy motrave që kishin ardhur me anije nga Evropa.» Secila tregonte se si e kishte ndihmuar Jehovai që të ishte atje. Ani rrëfente: «Ato dy motra ishin njerëzit më të lumtur në botë. As që pyesnin për radhën dhe vapën.»

Seul, Kore, 1963

Në shumë prej kongreseve të mëdha ngriheshin tenda gjigante brenda së cilave rreshtoheshin tavolina. Këto ishin aq të larta sa vëllezërit të hanin në këmbë me qëllim që të mbaronin shpejt e t’u linin radhën të tjerëve. E si mund të hanin ndryshe mijëra veta brenda kohës së caktuar për drekën? Dikush që nuk ishte Dëshmitar tha: «Kjo fe është e çuditshme. Ata hanë në këmbë.»

Autoritetet civile dhe ushtarake u mrekulluan kur panë sa të shkathët dhe të organizuar ishin vëllezërit. Pasi inspektuan mensën tonë në stadiumin «Jenki» në Nju-Jork, përfaqësuesit e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara nxitën majorin Folkner të Departamentit Ushtarak të Britanisë të bënte një inspektim të ngjashëm. Prandaj, ai bashkë me gruan vajtën në kongresin «Mbretëri triumfuese» të vitit 1955 në Tuikenham, Angli. Ai tha se mensën e drejtonte dashuria.

Për dekada me radhë, vullnetarë të gatshëm siguronin me dashuri ushqim të shëndetshëm dhe të lirë për të mirën e delegatëve të kongresit. Por kjo punë kolosale shpesh kërkonte që një numër i madh vullnetarësh të punonin me orë të zgjatura e madje të humbnin pjesërisht ose plotësisht programin. Në shumë vende, programi për të siguruar ushqim në kongrese u thjeshtua nga fundi i viteve 1970. Pastaj, duke nisur nga viti 1995, delegatëve iu kërkua ta merrnin ushqimin me vete. Falë kësaj, ata që dikur përgatitnin e servirnin ushqimin mund të shijonin programin frymor dhe shoqërinë me motrat e vëllezërit. *

Sa të çmuar janë për Jehovain ata që punuan pa përtuar për t’u shërbyer bashkëbesimtarëve! Disa mbase i merr malli për ato ditë të gëzueshme kur punonin në mensë. Por një gjë është e sigurt: dashuria është ende përbërësi kryesor në kongreset tona.Gjoni 13:34, 35.

^ par. 12 S’diskutohet, në reparte të tjera të kongresit ende ka nevojë që shumë vullnetarë të japin një dorë.