Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për mua ka qenë gjë e mirë t’i afrohem Perëndisë

Për mua ka qenë gjë e mirë t’i afrohem Perëndisë

PASI mbusha 9 vjeçe, nuk po rritesha më. Kjo ndodhi 34 vjet më parë në Bregun e Fildishtë, dhe sot jam vetëm 1 metër e gjatë. Kur u kuptua qartë gjendja ime, prindërit më inkurajuan të punoja fort që të mos më rrinte mendja te pamja. Kështu, vura një tezgë frutash para shtëpisë dhe e mbaja të pastër e të rregullt. Kjo tërhiqte goxha klientë.

S’do mend që puna e palodhur nuk ndreqi çdo gjë. Akoma isha shumë e shkurtër dhe më duhej të mundohesha edhe për gjërat e thjeshta, si për shembull, të arrija banakun në dyqane. Dukej se gjithçka ishte bërë për njerëz dy herë më të gjatë se unë. Më vinte keq për veten, por kjo ndryshoi kur isha 14 vjeçe.

Një ditë, erdhën të blinin fruta dy Dëshmitare të Jehovait, dhe më pas nisa të studioja Biblën me to. S’kaloi shumë dhe e kuptova se të njihja Jehovain dhe qëllimin e tij kishte më tepër rëndësi se gjendja ime fizike. Kjo më bëri mirë. Psalmi 73:28 u bë shkrimi im i preferuar. Pjesa e parë e këtij vargu thotë: «Për mua, është gjë e mirë që t’i afrohem Perëndisë.»

Befas familja jonë u transferua në Burkina-Faso, dhe jeta ime ndryshoi kryekëput. Në lagjen tonë në Bregun e Fildishtë, njerëzit ishin mësuar të më shihnin pranë tezgës së frutave. Kurse në atë ambient të ri, isha e panjohur dhe, për shumë veta, e çuditshme. Njerëzit nuk m’i shqitnin sytë. Për pasojë, rrija mbyllur me javë të tëra. Pastaj m’u kujtua sa gjë e mirë kishte qenë për mua t’i afrohesha Jehovait. I shkrova zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait, dhe erdhi të më vizitonte tamam personi i duhur—Nani, një misionare që kishte motoçikletë.

Rrugët plot rërë të lagjes sonë ishin gjithmonë të rrëshqitshme dhe në stinën e shirave tërë baltë. Kur vinte të më bënte studimin, Nani binte kushedi sa herë nga motori, por nuk hoqi dorë kurrë. Pastaj u ofrua të vinte të më merrte për në mbledhje. E dija se kjo do të thoshte të merrja guximin të dilja nga shtëpia dhe të duroja shikimet që më ngulnin njerëzit. Veç kësaj, motori që tashmë mezi drejtohej, do të bëhej më i rëndë kur të hipja unë prapa. Sidoqoftë, pranova, duke mbajtur parasysh pjesën e dytë të shkrimit tim të preferuar: «Zotërinë Sovran Jehova e kam bërë strehën time.»

Nganjëherë, Nani dhe unë rrëzoheshim nga motori e përfundonim në baltë, por ia vlenin gjithë sakrificat për të ndjekur mbledhjet. Sa ndryshonin buzëqeshjet e ngrohta që më dhuronin në Sallën e Mbretërisë nga shikimet me sy të zgurdulluar që më hidhnin njerëzit jashtë! Nëntë muaj më vonë u pagëzova.

Pjesa e tretë e shkrimit tim të preferuar thotë: «Që të shpall tërë veprat e tij.» E dija se sfida më e madhe për mua do të ishte shërbimi. Më kujtohet si sot hera e parë që dola në predikimin shtëpi më shtëpi. Kalamaj e të rritur m’i ngulnin sytë, më viheshin pas dhe përqeshnin mënyrën si ecja. Kjo më lëndonte goxha, por i kujtoja gjithmonë vetes se ata kishin nevojë për Parajsën po aq sa unë; kështu që nuk u dorëzova.

Për të lehtësuar gjërat, bleva një triçikël që pedalohej me duar. Shoqja e shërbimit më shtynte në rrugë të përpjetë dhe pastaj hipte me vrap në triçikël kur ai merrte shpejtësi në të tatëpjetë. Shërbimi, që në fillim ishte një sfidë, më mbushte me aq shumë gëzim, sa në vitin 1998 u bëra pionere e rregullt.

Drejtoja mjaft studime biblike, dhe katër prej tyre u pagëzuan. Veç kësaj, edhe njëra nga motrat e mia e përqafoi të vërtetën. Tek dëgjoja si përparonin të tjerët, shpesh më ngrihej zemra peshë tamam kur kisha nevojë. Një ditë kur po vuaja nga një krizë e malaries, mora një letër nga Bregu i Fildishtë. Kisha nisur një studim biblik te dera me një student universiteti në Burkina-Faso dhe pastaj ia kisha lënë një vëllai. Më vonë, studenti u transferua në Bregun e Fildishtë. Sa u gëzova kur mora vesh se ishte bërë lajmëtar i papagëzuar!

Po si i siguroj të ardhurat për të mbajtur veten? Një organizatë që ndihmon ata me kufizime ofroi të më mësonte të qepja. Kur një mësuese vuri re se isha punëtore e ndërgjegjshme dhe e papërtuar, tha: «Ty duhet të të mësojmë të bësh sapun.» Dhe kështu bënë. Tani prodhoj sapun rrobash dhe duarsh në shtëpi. Njerëzve u pëlqen sapuni që bëj dhe ua rekomandojnë të tjerëve. Atë e shpërndaj vetë, duke përdorur një motoçikletë me tri rrota.

Mjerisht, më 2004, dhimbja që më shkakton shtylla kurrizore arriti deri në atë shkallë, sa nuk kisha rrugë tjetër veç të ndërpritja shërbimin si pioniere. Sidoqoftë vazhdoj të jap maksimumin në shërbim.

Njerëzit thonë se njihem për buzëqeshjen ngjitëse. Kam plot arsye të jem e lumtur, sepse për mua ka qenë gjë e mirë t’i afrohem Perëndisë.—Treguar nga Sara Maiga.