Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lexuesit pyesin . . .

A duhet të besosh te Triniteti që të jesh i krishterë?

A duhet të besosh te Triniteti që të jesh i krishterë?

Një libër shkollor i arsimit të mesëm, Fetë botërore në Danimarkë (danisht), botuar në vitin 2007, i përshkruante Dëshmitarët e Jehovait si minoritet të krishterësh që ndjekin ngushtësisht Biblën. Në të vërtetë, Dëshmitarët e Jehovait janë feja e tretë e krishterë në Danimarkë për nga madhësia.

Mirëpo, një peshkop i Kishës Kombëtare Daneze e kritikoi ashpër autoren e librit që i kishte përfshirë në tekst Dëshmitarët. Pse? «Nuk kam takuar ndonjë teolog që i quan të krishterë [Dëshmitarët e Jehovait],—tha peshkopi.—Ata mohojnë Trinitetin, që është thelbi i fesë së krishterë.»

Autorja e librit, sociologia fetare Anika Fitamari, theksoi se, kur i pyesim njerëzit pse e quajnë veten të krishterë, zor se përgjigjen kështu ngaqë besojnë se Perëndia është Trinitet. Për më tepër, te pjesa e titulluar «A je i krishterë?», libri thotë: «Doktrina e Trinitetit është një nga problemet më të vështira të teologjisë së krishterë.» Më tej thuhet: «Gjithmonë ka qenë e vështirë t’u shpjegosh të krishterëve të pashkolluar në teologji pse Perëndia i të krishterëve prapëseprapë është një perëndi dhe jo tre perëndi.»

«Doktrina e Trinitetit është një nga problemet më të vështira të teologjisë së krishterë»

Ajo që mëson Bibla për Perëndinë dhe Jezuin është e qartë dhe e thjeshtë. Nuk është e vështirë të kuptohet. As termi «Trinitet» dhe as ky koncept nuk gjendet në Fjalën e Perëndisë. Bibla thotë qartë se Jezu Krishti është Biri i parëlindur i Perëndisë. (Kolosianëve 1:15) Gjithashtu, Jezuin e quan «ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve». (1 Timoteut 2:5) Për Atin, Bibla thotë: «Vetëm ti, që e ke emrin Jehova, je Më i Larti në tërë dheun.»​—Psalmi 83:18.

Dëshmitarët e Jehovait janë të bindur se është jetësore të besosh te Jezui. (Gjoni 3:16) Për këtë arsye, ata e marrin me seriozitet urdhrin e Jezuit: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Sigurisht, kush bën çmos t’u bindet urdhrave të Jezuit quhet i krishterë.