Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e tregon Bibla historinë e plotë të Jezuit?

A e tregon Bibla historinë e plotë të Jezuit?

Mos vallë Jezui nuk vdiq në Gólgotha, siç thotë Bibla, por mbijetoi? A ka mundësi që u martua me Maria Magdalenën dhe pati fëmijë me të? Apo ndoshta u dha pas misticizmit dhe jetoi si asket duke refuzuar çdo kënaqësi të jetës në tokë? A është e mundur që ai mësoi doktrina që janë të ndryshme nga ato që lexojmë në Bibël?

SPEKULIME të tilla kanë lulëzuar vitet e fundit, një rishfaqje kjo, që pjesërisht është pasojë e filmave dhe e romaneve të njohura. Përveç këtyre krijimeve imagjinare, ka pasur edhe shumë libra dhe artikuj që e përqendrojnë vëmendjen te shkrimet apokrife të shekullit të dytë e të tretë të e.s., të cilat pretendojnë se zbulojnë fakte rreth Jezuit të papërmendura në Ungjij. A janë të vlefshme këto pretendime? A mund të jemi të sigurt se Bibla tregon historinë e plotë dhe të vërtetë të Jezuit?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, ia vlen të shqyrtojmë tri aspekte kryesore. Së pari, duhet të dimë informacione të rëndësishme për disa nga burrat që shkruan librat e Shkrimeve të Krishtere Greke dhe kohën kur i shkruan. Së dyti, duhet të mësojmë se kush e përcaktoi kanonin ose listën e librave të Biblës dhe në ç’mënyrë. E së treti, kemi nevojë të njohim sfondin e shkrimeve apokrife dhe si ndryshojnë ato nga shkrimet kanonike. *

Kur u shkruan Shkrimet e Krishtere Greke dhe nga kush?

Sipas disa burimeve, Ungjilli i Mateut ishte shkruar tashmë në vitin e tetë pas vdekjes së Krishtit, domethënë rreth vitit 41 të e.s. Shumë studiues mbështetin një datë disi më të vonshme, por në përgjithësi mendohet se të tërë librat e Shkrimeve të Krishtere Greke u shkruan gjatë shekullit të parë të e.s.

Dëshmitarët okularë të jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezuit ishin ende gjallë në atë kohë dhe mund të verifikonin tregimet e Ungjijve. Po ashtu, mund të demaskonin lehtë çdo pasaktësi. Profesor F. Brus vëren: «Një nga pikat më të forta të predikimit të hershëm të apostujve ishte se përmendte me siguri fakte të njohura nga dëgjuesit. Ata nuk thanë vetëm: ‘Ne jemi dëshmitarë të këtyre gjërave’,​—por edhe,—​‘siç e dini edhe ju’. (Veprat 2:22

Cilët ishin shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke? Në ta përfshiheshin disa nga 12 apostujt e Jezuit. Këta dhe shkrimtarë të tjerë të Biblës të tillë, si Jakovi, Juda e ndoshta Marku, ishin të pranishëm në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., kur u formua kongregacioni i krishterë. Të gjithë shkrimtarët, përfshirë Pavlin, ishin të lidhur ngushtë me trupin udhëheqës të kongregacionit të hershëm të krishterë, që përbëhej nga apostujt dhe pleqtë e Jerusalemit.​—Veprat 15:2, 6, 12-14, 22; Galatasve 2:7-10.

Jezui u dha dishepujve caktimin që të vazhdonin veprën e predikimit dhe të mësimdhënies që kishte nisur ai. (Mateu 28:19, 20) Madje tha: «Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon edhe mua.» (Luka 10:16) Më tej, ai u premtoi se fryma e shenjtë ose forca vepruese e Perëndisë do t’u jepte fuqinë që u nevojitej për ta bërë atë vepër. Kështu, kur dolën shkrimet e apostujve ose të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, të cilët ishin burra që dhanë prova të qarta se ishin bekuar me frymën e shenjtë të Perëndisë, të krishterët e hershëm natyrisht i pranuan këta libra si të autoritetshëm.

Disa shkrimtarë biblikë dëshmuan për besueshmërinë dhe frymëzimin hyjnor të shkrimtarëve të tjerë të librave të Biblës. Për shembull, apostulli Pjetër iu referua letrave të Pavlit dhe i konsideroi njësoj të vlefshme me «pjesën tjetër të Shkrimeve». (2 Pjetrit 3:15, 16) Kurse Pavli pranoi se apostujt dhe profetët e tjerë të krishterë ishin të frymëzuar nga Perëndia.​—Efesianëve 3:5.

Kështu, dokumentimet e Ungjijve kanë baza të forta se janë të besueshme dhe autentike. Ato nuk janë thjesht legjenda dhe përralla, por janë histori e dokumentuar me kujdes, bazuar në dëshmitarë okularë, shkruar nga njerëz që ishin të frymëzuar nga fryma e shenjtë e Perëndisë.

Kush e përcaktoi kanonin biblik?

Disa autorë kanë pohuar se kanoni i Shkrimeve të Krishtere Greke u përcaktua shekuj më vonë nga një kishë që ishte bërë një institucion i fuqishëm nën drejtimin e perandorit Kostandin. Sidoqoftë, faktet flasin ndryshe.

Për shembull, vini re se ç’thotë Oskar Skarsaun, profesor i historisë së Kishës: «Vendimi se cilat shkrime duheshin përfshirë në Dhiatën e Re dhe cilat jo, nuk u mor kurrë nga ndonjë këshill kishtar ose nga ndonjë person i vetëm. . . . Kriteri ishte fare i qartë dhe mjaft i logjikshëm: shkrimet e shekullit të parë të e.s. që konsideroheshin të shkruara nga apostujt ose nga bashkëpunëtorët e tyre, konsideroheshin të besueshme. Shkrimet, letrat ose ‘ungjijtë’ e tjerë që u shkruan më vonë, nuk u përfshinë. . . . Në thelb ky proces përfundoi shumë kohë para Kostandinit dhe shumë kohë para se kisha nën pushtetin e tij të bëhej institucion i fuqishëm. Ishte kisha e martirëve të krishterë e jo kisha e pushtetshme që përcaktoi se cila do të ishte Dhiatë e Re.»

Ken Bërding, docent i cili merret me studimin e Shkrimeve të Krishtere Greke, bën këtë koment për mënyrën si lindi kanoni: «Kisha nuk përcaktoi vetë një kanon. Është më e përshtatshme të themi se kisha pranoi librat që të krishterët i kishin konsideruar gjithmonë si Fjala e autoritetshme e Perëndisë.»

Gjithsesi, a ishin thjesht ata të krishterë të përulur të shekullit të parë që përcaktuan kanonin? Bibla thotë se përfshihej diçka tjetër më e rëndësishme dhe e fuqishme.

Sipas Biblës, një nga dhuratat e mrekullueshme të frymës që u dhanë në dekadat e hershme të kongregacionit të krishterë ishte ‘aftësia dalluese për shprehjet e frymëzuara’. (1 Korintasve 12:4, 10) Disa prej atyre të krishterëve iu dha aftësia e mbinatyrshme të dallonin ndryshimin midis thënieve që ishin vërtet të frymëzuara nga Perëndia dhe atyre që nuk ishin. Prandaj, të krishterët sot mund të jenë të sigurt se Shkrimet e përfshira në Bibël pranoheshin si të frymëzuara.

Me sa duket, kanoni u përcaktua në një etapë të hershme nën drejtimin e frymës së shenjtë. Që nga pjesa e fundit e shekullit të dytë të e.s., disa shkrimtarë komentuan në lidhje me librat e Biblës nëse ishin apo jo kanonikë. Por, këta shkrimtarë nuk përcaktuan kanonin. Ata thjesht dëshmuan për atë që Perëndia tashmë kishte pranuar nëpërmjet përfaqësuesve të tij të drejtuar nga fryma e tij.

Edhe dorëshkrimet e lashta japin dëshmi bindëse në mbështetje të kanonit që përgjithësisht pranohet sot. Ka më shumë se 5.000 dorëshkrime të Shkrimeve Greke në gjuhën origjinale, përfshirë edhe disa të shekullit të dytë e të tretë. Pikërisht këto shkrime, e jo shkrimet apokrife, konsideroheshin si të besueshme gjatë shekujve të parë të e.s. e si rrjedhim kopjoheshin dhe shpërndaheshin gjerësisht.

Megjithatë, dëshmitë e brendshme përbëjnë provën më të rëndësishme nëse një libër është ose jo kanonik. Shkrimet kanonike janë në përputhje me ‘modelin e fjalëve të shëndosha’ që gjejmë në pjesën tjetër të Biblës. (2 Timoteut 1:13) Ato i nxitin lexuesit ta duan, ta adhurojnë e t’i shërbejnë Jehovait dhe paralajmërojnë kundër besëtytnive, demonizmit dhe adhurimit të krijesave. Ato janë historikisht të sakta dhe përmbajnë profeci të vërteta. Po ashtu i nxitin lexuesit t’i duan të tjerët. Librat e Shkrimeve të Krishtere Greke i kanë këto veçori dalluese. A mund të thuhet kjo për shkrimet apokrife?

Sa të ndryshme janë shkrimet apokrife?

Shkrimet apokrife ndryshojnë krejtësisht nga shkrimet kanonike. Librat apokrifë datojnë nga mesi i shekullit të dytë, shumë më vonë se shkrimet kanonike. Ato paraqitin një tablo të Jezuit dhe të krishterimit që nuk është në përputhje me Shkrimet e frymëzuara.

Të marrim rastin e Ungjillit apokrif të Thomait. Ai i atribuon një sërë shprehjesh të çuditshme Jezuit, si për shembull, se do ta shndërronte Marinë në mashkull që të mund të hynte në Mbretërinë e qiellit. Ungjilli i Fëmijërisë që shkroi Thomai, e përshkruan të riun Jezu si fëmijë të lig që me dashje shkaktoi vdekjen e një fëmije tjetër. Librat apokrifë Veprat e Pavlit dhe Veprat e Pjetrit, theksojnë heqjen dorë nga marrëdhëniet seksuale e madje i përshkruajnë apostujt sikur i nxitin gratë që të ndahen nga burrat. Ungjilli i Judës e përshkruan Jezuin sikur qeshi me dishepujt ngaqë po i luteshin Perëndisë për ushqimin. Këto ide janë në kundërshtim me atë që gjendet në librat kanonikë.​—Marku 14:22; 1 Korintasve 7:3-5; Galatasve 3:28; Hebrenjve 7:26.

Shumë prej shkrimeve apokrife pasqyrojnë bindjet e gnostikëve, sipas të cilëve Krijuesi, Jehovai, nuk është një Perëndi i mirë, se ringjallja nuk është në kuptimin e mirëfilltë, se e gjithë materia është e ligë dhe se Satanai ishte burimi i martesës e i riprodhimit të qenieve njerëzore.

Disa libra apokrifë u atribuohen në mënyrë të rreme personazheve biblike. Mos vallë ishte një konspiracion i errët që i përjashtoi këta libra nga Bibla? Një ekspert i shkrimeve apokrife, M. Xhejms, tha për to: «Nuk ka nevojë të diskutojmë nëse dikush i ka përjashtuar nga Besëlidhja e Re: këta libra e kanë përjashtuar vetë veten.»

Shkrimtarët e Biblës paralajmëruan për ardhjen e apostazisë

Në shkrimet kanonike gjejmë mjaft paralajmërime për një apostazi të afërt që do të korruptonte kongregacionin e krishterë. Në fakt, kjo apostazi tashmë kishte nisur në shekullin e parë, por apostujt e frenuan përhapjen e saj. (Veprat 20:30; 2 Selanikasve 2:3, 6, 7; 1 Timoteut 4:1-3; 2 Pjetrit 2:1; 1 Gjonit 2:18, 19; 4:1-3) Këto paralajmërime hedhin dritë mbi shkrimet që filluan të shfaqeshin pas vdekjes së apostujve, shkrime që binin në kundërshtim me mësimet e Jezuit.

Vërtet, këto dokumente mund t’u duken të çmuara disa studiuesve e historianëve ngaqë janë të vjetra. Por mendoni këtë: ta zëmë se disa studiues do të mblidhnin një grumbull shkrimesh të dyshimta të botuara sot, ndoshta duke i marrë nga revistat me thashetheme dhe nga botimet e kulteve fetare radikale, e më pas do t’i mbyllnin në një dhomë të nëndheshme. Mos vallë me kalimin e kohës këto shkrime do të bëheshin të vërteta e të besueshme? Pas 1.700 vjetësh, gënjeshtrat dhe gjepurat e shkruara në to, vallë do të bëheshin të vërteta vetëm sepse dokumentet ishin shumë të vjetra?

Sigurisht që jo! Po kështu është edhe me pohimet se Jezui u martua me Maria Magdalenën dhe me pohimet e tjera të çuditshme nga librat apokrifë. Pse t’u besojmë këtyre burimeve jo të besueshme, sidomos nëse kemi në dorë burimet e besueshme? Gjithçka që Perëndia do që të dimë për Birin e tij ndodhet pikërisht në Bibël​—një libër të cilit mund t’i besojmë.

^ par. 4 Fjala «kanon» i referohet tërë librave të Biblës që japin prova bindëse se janë frymëzuar nga Perëndia. Janë 66 libra që pranohen përgjithësisht si kanonikë e janë pjesë përbërëse dhe e domosdoshme e Fjalës së Perëndisë.