Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 AFROJUNI PERËNDISË

«Perëndia do një dhënës të gëzuar»

«Perëndia do një dhënës të gëzuar»

Ç’lloj dhurate do të vlerësoje vërtet? Pa dyshim, shumica prej nesh e marrin me kënaqësi një dhuratë nga dikush që motivohet nga dashuria dhe jo nga detyrimi ose ndjenja e detyrës. Kur japim, motivi ka rëndësi për ne. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ka rëndësi për Perëndinë. Shqyrto fjalët e frymëzuara të apostullit Pavël që dokumentohen te 2 Korintasve 9:7.

Pse i shkroi këto fjalë Pavli? Ai donte t’i nxiste të krishterët korintas që të mbështetnin dhënien e ndihmave për bashkëbesimtarët nevojtarë në Jude. A u përpoq t’i detyronte korintasit të jepnin? Jo, madje ai shkroi: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.» Le t’i hedhim një sy më nga afër kësaj këshille.

«Ashtu si ka vendosur në zemër.» Pavli thotë se një i krishterë i vërtetë jep sepse ashtu ka vendosur «në zemër». Në të njëjtën kohë, një i krishterë nuk ia lë rastësisë, por mendon me kujdes për nevojat e bashkadhuruesve. Sipas një studiuesi, fjala nga gjuha origjinale që është përkthyer «vendosur», përcjell idenë e paracaktimit. Kështu, një i krishterë mendon thellë për nevojat e bashkëbesimtarëve dhe pyet veten se çfarë mund të bëjë për t’i plotësuar.—1 Gjonit 3:17.

«Jo me pahir a me detyrim.» Pavli përmend dy lloje të dhënies që s’kanë fare vend te të krishterët e vërtetë—me ngurrim dhe me detyrim. Shprehja greke që është përkthyer «me pahir», fjalë për fjalë do të thotë «me trishtim (ose pikëllim)». Ai që jep me pahir ose me ngurrim, jep i shtyrë «nga një zemër që i vjen keq kur mendon se s’do t’i ketë më paratë», shpjegon një vepër referimi. Një dhënës i detyruar jep, sepse ndihet nën presion. Cili prej nesh do të donte të merrte një dhuratë nga një dhënës që ngurron ose ndihet i detyruar?

«Perëndia do një dhënës të gëzuar.» Pavli po thotë se, kur një i krishterë vendos të japë, duhet ta bëjë këtë me gëzim. Vërtet, ndihemi të lumtur kur japim me motivin e duhur. (Veprat 20:35) Dhënësi i gëzuar zor se e fsheh gëzimin që ndien. Në fakt, termi «i gëzuar» mund të përshkruajë më së miri edhe ndjenjat e brendshme, edhe shprehjet e jashtme të atij që jep. Një dhënës i gëzuar na prek zemrën. Edhe Perëndisë ia ngroh zemrën. Një përkthim tjetër thotë: «Perëndia i do ata që duan të japin.»—Contemporary English Version.

«Perëndia i do ata që duan të japin»

Fjalët e frymëzuara të apostullit Pavël janë një parim që i udhëheq të krishterët kur japin. Qoftë kur japim kohën, energjitë ose zotërimet materiale, le ta bëjmë këtë me vullnet të lirë dhe ngaqë kënaqemi vërtet kur u japim bujarisht të tjerëve, veçanërisht nevojtarëve. Kur japim në këtë mënyrë, jo vetëm që do të jemi të lumtur, por edhe të shtrenjtë për Perëndinë, sepse ai «do një dhënës të gëzuar».

Sugjerim për leximin e Biblës në shtator

1 dhe 2 Korintasve