Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | A INTERESOHET ZOTI PËR TY?

Zoti dëshiron të të afrohet

Zoti dëshiron të të afrohet

«Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi, nuk e tërheq.» —GJONI 6:44.

PSE DYSHOJNË DISA? Shumë veta që besojnë te Zoti, ndihen larg tij. «Thjesht e shihja si një Zot që ka krijuar gjithçka, por nuk e njihja. As edhe një herë nuk jam ndier pranë tij»,—pranon Kristina, një irlandeze që shkonte në kishë çdo javë.

ÇFARË MËSON FJALA E PERËNDISË? Edhe kur humbasim orientimin në jetë, Jehovai nuk na braktis. Jezui e ilustroi në këtë mënyrë kujdesin që ka Perëndia për ne: «Nëse një njeri ka njëqind dele dhe njëra humb rrugën, a nuk do t’i lërë ai nëntëdhjetë e nëntë në male, që të shkojë të kërkojë atë që ka humbur rrugën?» Cili është mësimi? «Po ashtu edhe Ati im që është në qiell, nuk dëshiron që asnjë nga këta të vegjlit të marrë fund.»—Mateu 18:12-14.

Secili nga «këta të vegjlit», është i çmuar për Perëndinë. Si ‘e kërkon Perëndia atë që ka humbur rrugën’? Sipas shkrimit që kemi përmendur në fillim të artikullit, Jehovai i afron njerëzit drejt tij.

Cilët janë sot ata që shkojnë shtëpi më shtëpi dhe në vende publike për të folur rreth mesazhit të Biblës për Perëndinë?

Shqyrto si e mori nismën Perëndia për t’iu afruar njerëzve të sinqertë. Në shekullin e parë të e.s., Perëndia dërgoi Filipin, një dishepull të krishterë, të takonte një zyrtar etiopas dhe të diskutonte me të një profeci biblike që po lexonte zyrtari. (Veprat 8:26-39) Më vonë, Perëndia e udhëzoi apostullin Pjetër të shkonte në shtëpinë e një oficeri romak me emrin Kornel, i cili ishte lutur dhe ishte përpjekur të adhuronte Perëndinë. (Veprat 10:1-48) Gjithashtu, Perëndia e drejtoi apostullin Pavël dhe shokët e tij për te një lumë jashtë qytetit të Filipisë. Atje takuan Lidian, «një grua me frikë Perëndie», dhe «Jehovai ia hapi plotësisht zemrën, që t’i pranonte gjërat që po thoshte Pavli».—Veprat 16:9-15.

Në secilin rast, Jehovai u sigurua që ata të cilët e kërkonin, të kishin një mundësi për ta njohur. Cilët janë sot ata që shkojnë shtëpi më shtëpi dhe në vende publike për të folur rreth mesazhit të Biblës për Perëndinë? Shumë veta do të përgjigjeshin: «Dëshmitarët e Jehovait.» Pyet veten: «Mos vallë Perëndia po i përdor ata për t’u afruar me mua?» Të nxitim t’i lutesh Perëndisë që të të ndihmojë të reagosh pozitivisht ndaj përpjekjeve që bën ai për të t’u afruar. *

^ par. 8 Për më shumë informacion, shih videon Pse ta studiosh Biblën, në www.dan124.com/sq.