Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Burra—Bëjeni shtëpinë një vend të sigurt

Burra—Bëjeni shtëpinë një vend të sigurt

Ç’LLOJ sigurie duhet t’i japë burri gruas së vet? Shumë njerëz rriten me mendimin se roli kryesor i burrit është ta ndihmojë familjen të jetë e sigurt nga ana financiare. Mirëpo, disa gra që kanë plot gjëra materiale ndihen të pasigurta emocionalisht, madje të frikësuara. Për shembull, një grua spanjolle me emrin Roza thotë për burrin me të cilin u martua: «Me të tjerët sillej mirë, por në shtëpi ishte i vrazhdë.» Xhoi nga Nigeria pranon: «Kur nuk isha dakord me tim shoq, ai thoshte: ‘Unë jam burri, prandaj mos e diskuto atë që të them.’»

Si mund ta përmbushë me dashuri një burrë rolin si bashkëshort? Çfarë kërkohet nga burri që ta bëjë shtëpinë «një vend prehjeje», ose të sigurt, për gruan e tij?​—Rutha 1:9.

Ç’THOTË BIBLA PËR AUTORITETIN E BURRIT?

Ndonëse burri e gruaja kanë të njëjtën vlerë për Perëndinë, Bibla thotë se secili nga bashkëshortët ka një rol të caktuar në familje. Romakëve 7:2 tregon se gruaja e martuar futet në ‘ligjin e burrit’. Ashtu si shumë institucione caktojnë në krye dikë për të mbikëqyrur punët, Zoti e ka caktuar burrin të jetë kreu i gruas. (1 Korintasve 11:3) Burrat duhet të marrin drejtimin në familje.

Si burrë, si duhet ta ushtrosh autoritetin që të ka dhënë Perëndia? Bibla thotë: «Vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin.» (Efesianëve 5:25) Po, edhe pse Jezu Krishti nuk u martua kurrë, shembulli i tij të ndihmon të bëhesh bashkëshort i mirë. Le ta shohim si.

JEZUI: MODELI I PËRSOSUR PËR BURRAT

Jezui i freskonte të tjerët dhe ua lehtësonte ngarkesën. Ai u premtoi të gjithë atyre që ishin të shtypur dhe të rënduar nga problemet: «Ejani tek unë, . . . dhe unë do t’ju freskoj.» (Mateu 11:28, 29) Jezui ua lehtësonte shpesh vuajtjet fizike dhe i ndihmonte t’i afroheshin Zotit. Nuk habitemi që shumë veta ndiheshin të tërhequr ndaj tij, të bindur se do t’i lehtësonte.

Si ta imitojnë burrat Jezuin? Gjej mënyra për t’ia lehtësuar ngarkesën gruas. Disa gra ndihen si Roza, e cila u ankua: «Nuk isha gjë tjetër veçse shërbyesja e tim shoqi.» Në kontrast me këtë, një burrë i quajtur Kueku, thotë: «E pyes shpesh gruan si ta ndihmoj. Ngaqë e dua, gjithnjë marr iniciativën t’i jap një dorë me punët e shtëpisë.»

Jezui ishte i vëmendshëm dhe empatik. Për 12 vjet me radhë, një grua e varfër kishte vuajtur nga një problem i rëndë shëndetësor. Dëgjoi se Jezui kishte fuqi të bënte mrekulli, ndaj «thoshte: ‘Sikur vetëm rrobat t’i prek, do të shërohem.’» Kishte të drejtë. Iu afrua Jezuit, i preku thekët e rrobave dhe u shërua në çast. Megjithëse disa studiues mund të nxjerrin përfundimin se gruaja veproi me arrogancë, Jezui e kuptoi se ajo ishte e dëshpëruar. * I tha me dashamirësi: «Bijë, . . . sëmundja jote e rëndë kaloi!» Ai as e vuri në siklet dhe as e qortoi, por e kuptoi sëmundjen e saj. Kështu tregoi se ishte empatik.​—Marku 5:25-34.

Si ta imitojnë burrat Jezuin? Kur gruaja nuk ndihet mirë, kushtoji vëmendje të veçantë dhe ji i duruar. Bëj çmos t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i saj dhe t’ia kuptosh reagimet. Për shembull, Rikardoja shpjegon: «Kur vërej se gruaja është goxha e ndjeshme, përpiqem edhe më tepër të mos them gjëra që e rëndojnë.»

Jezui komunikonte me dishepujt. Jezui fliste gjerë e gjatë me miqtë e tij. Ai u tha: «Ju kam bërë të njohur gjithçka që kam dëgjuar nga Ati im.» (Gjoni 15:15) Është e vërtetë se Jezui ndonjëherë donte të rrinte vetëm që të mendonte e të lutej. Ama shpesh fliste për ndjenjat më të thella me dishepujt. Natën para se të vdiste si kriminel, iu shpreh me çiltërsi se ishte «thellësisht i hidhëruar». (Mateu 26:38) Edhe kur veprimet e miqve e zhgënjenin, Jezui nuk pushoi kurrë së foluri me ta.​—Mateu 26:40, 41.

Meditimi rreth shembullit të Jezuit mund ta ndihmojë një burrë të bëhet bashkëshort e baba më i mirë

Si ta imitojnë burrat Jezuin? Shprehja gruas çfarë mendon dhe si ndihesh. Një grua mund të ankohet se burri i saj nuk e ka problem të flasë në publik, kurse në shtëpi është i heshtur. Mirëpo shih si ndihet Ana kur burri i hap zemrën: «E ndiej se më do vërtet dhe ndihem afër tij.»

Mos e përdor heshtjen si armë ndëshkimi për gruan. Një grua thotë: «Kur im shoq mërzitej me mua, nuk më fliste për ditë me radhë. Më bënte të ndihesha fajtore dhe pa vlerë.» Megjithatë, Edvini përpiqet të imitojë shembullin e Jezuit. Ai pohon: «Kur acarohem, nuk reagoj menjëherë por gjej momentin e duhur që të sqarohemi.»

Xhoi e përmendur në fillim të artikullit, ka parë ndryshime te burri që kur ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo thotë: «Ka përmirësuar dhe po përpiqet shumë të imitojë Jezuin e të jetë burrë më i dashur.» Miliona çifte po nxjerrin dobi nga të njëjtat udhëzime biblike. A do të donit të ishit mes tyre? Mund t’i kërkoni një Dëshmitari të Jehovait të studiojë Biblën falas me ju.

^ par. 10 Sipas Ligjit të Moisiut, gjendja e kësaj gruaje e bënte të papastër nga ana fetare, prandaj këdo që prekte, e konsideronin të papastër.​—Levitiku 15:19, 25.