Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si të tregosh vlerësim?

Si të tregosh vlerësim?

VËSHTIRËSIA

Shprehjet e vlerësimit janë thelbësore për një martesë të suksesshme. Megjithatë, shumë burra e gra nuk i shohin më cilësitë e mira të bashkëshortit, e jo më t’ia shprehin vlerësimin për to. Në librin Tradhti emocionale (anglisht) një këshilltar vërejti se mjaft çifte që shkojnë tek ai, «shqetësohen më shumë për atë që nuk ndodh [në martesën e tyre] sesa për atë që ndodh. Vijnë në zyrën time që të më tregojnë çfarë duhet të ndryshojë në martesën e tyre, jo çfarë nuk duhet të ndryshojë. Çdo çift bën të njëjtin gabim: nuk e shprehin dashurinë me anë të vlerësimit».

Si mund ta shmangni këtë grackë ti dhe bashkëshorti?

Ç’DUHET TË DISH

Shprehjet e vlerësimit mund të zvogëlojnë stresin në martesë. Kur burri dhe gruaja bëjnë përpjekje që të dallojnë e të pranojnë cilësitë e mira të njëri-tjetrit, marrëdhënia e tyre zakonisht përmirësohet. Kur bashkëshortët ndiejnë vlerësimin e njëri-tjetrit, edhe marrëdhëniet më të tensionuara mund të lehtësohen.

Për bashkëshortet. Libri që përmendëm më parë, Tradhti emocionale, thotë: «Shumë gra priren të mbyllin sytë para presionit të jashtëzakonshëm që kanë burrat për të siguruar gjërat e nevojshme për familjet.» Në disa kultura, ky lloj presioni ndihet edhe kur të dy bashkëshortët punojnë.

Për bashkëshortët. Burrat shpesh i nënvlerësojnë përpjekjet e bashkëshorteve për të mbështetur familjen, pavarësisht nëse janë në punë, rritin fëmijët ose janë shtëpiake. Fiona, * e martuar prej gati tre vjetësh, shprehet: «Të gjithë bëjmë gabime dhe, kur gaboj, ndihem keq. Ndaj, kur im shoq më thotë se e kam bërë mirë diçka—për shembull, ndonjë punë shtëpie—e kuptoj se më do akoma, pavarësisht nga të metat e mia. Gjithashtu e ndiej se më mbështet dhe jam më e lumtur.»

Por, kur bashkëshortja nuk ndihet e vlerësuar, mund të kërcënohet uniteti në martesë. Një grua me emrin Valeria, pohon: «Kur burri nuk të vlerëson, është e lehtë të tërhiqesh ndaj dikujt që të bën të ndihesh vërtet e vlerësuar.»

Ç’MUND TË BËSH

Ji vëzhgues. Gjatë javës së ardhshme dallo cilësi të mira që shfaq bashkëshorti. Shih edhe çfarë bën ai ose ajo, që çdo gjë të shkojë sa më mirë në shtëpi—gjëra që deri tani mbase i ke marrë si të zakonshme. Në fund të javës bëj një listë (1) të cilësive që vlerëson te bashkëshorti dhe (2) të gjërave që ai ose ajo ka bërë për të mirën e familjes.Parimi biblik: Filipianëve 4:8.

Pse është e nevojshme të jesh vëzhgues? Një grua me emrin Erika, thotë: «Pas ca vitesh martesë, fillon të mos e vlerësosh më bashkëshortin. Nuk i dallon më të mirat që bën dhe priresh të përqendrohesh më shumë tek ajo që nuk bën.»

Pyet veten: «A e marr si të mirëqenë punën e palodhur të bashkëshortit?» Për shembull, nëse yt shoq ndreq gjëra në shtëpi, a ngurron ta falënderosh ngaqë mendon se e ka për detyrë t’i bëjë këto punë? Nëse je bashkëshort, a mendon se përpjekjet që bën gruaja për të rritur fëmijët nuk meritojnë të lavdërohen sepse thjesht po bën atë që pritet prej saj? Syno të dallosh e të jesh mirënjohës për çdo përpjekje, e madhe a e vogël qoftë, që bën ajo për të mirën e familjes.Parimi biblik: Romakëve 12:10.

Mos ia kurse lavdërimet. Bibla nuk thotë vetëm se duhet të jemi mirënjohës, por edhe ‘të tregohemi mirënjohës’. (Kolosianëve 3:15) Ndaj përpiqu ta bësh zakon ta falënderosh bashkëshortin. Një burrë me emrin Xhejms, shprehet: «Kur ime shoqe tregon vlerësim për gjërat që bëj, nxitem të punoj më fort që të jem bashkëshort më i mirë dhe të përpiqem më shumë për martesën.»Parimi biblik: Kolosianëve 4:6.

Bashkëshortët që shprehin vlerësim për njëri-tjetrin, forcojnë lidhjen mes tyre. Një burrë që quhet Majkëll, pohon: «Besoj se shumë martesa mund të shpëtohen nëse secili përqendrohet tek ajo që pëlqen te tjetri. Kur lindin probleme, ka më pak gjasa t’i japin fund martesës, sepse kujtojnë gjithnjë sa të bekuar janë.»

^ par. 9 Disa emra janë ndryshuar.