Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Mirëmbajtja e Sallave të Mbretërisë

Mirëmbajtja e Sallave të Mbretërisë

1 PRILL 2024

 «Më pëlqen Salla jonë e Mbretërisë,—thotë Nikola, një motër e re në Kolumbi.—Është vendi ku mblidhem me familjen time në besim.» A ndihesh edhe ti kështu?

 Anembanë botës, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen në rreth 63.000 Salla Mbretërie. Këto godina janë shumë më tepër se sa thjesht një vend i rehatshëm për të adhuruar Jehovain. Davidi, një pionier i rregullt në Kolumbi, thotë: «Salla e Mbretërisë e bën më tërheqës mesazhin tonë. Shumë vizitorë habiten kur shohin sa e mirëmbajtur është salla.» Por kjo nuk ndodh rastësisht. Ne punojmë fort për t’i pastruar dhe për t’i mirëmbajtur ato. Si e bëjmë këtë?

Si është e organizuar mirëmbajtja e Sallave të Mbretërisë?

 Kongregacionet që përdorin një Sallë Mbretërie janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e saj. Prandaj, motrat dhe vëllezërit e pastrojnë atë rregullisht. Gjithashtu e mirëmbajnë dhe e meremetojnë që të parandalojnë dëmtimet.

 Për t’i ndihmuar kongregacionet të mirëmbajnë Sallat e Mbretërisë, Departamenti Vendës i Projektim-Ndërtimit (VPN) cakton vëllezër që të shërbejnë si instruktorë mirëmbajtjeje. Çdo instruktor kujdeset për gjashtë deri në dhjetë Salla Mbretërie. Ai i kontrollon sallat dhe i stërvit lajmëtarët që të kujdesen për to. Çdo tre vjet, kontrollon secilën godinë dhe sheh nëse ka probleme që lidhen me sigurinë ose mirëmbajtjen e saj.

Instruktorët e mirëmbajtjes na ndihmojnë të kujdesemi për Sallat e Mbretërisë

 Vëllezërit dhe motrat tona e vlerësojnë stërvitjen nga instruktorët. Indumadi, një motër në Indi, shprehet: «Morëm stërvitje të jashtëzakonshme. Ishte kënaqësi të mësonim si të mbajmë sallat tona në gjendje të mirë.» Ndërsa Evansi, një vëlla në Kenia, thotë: «Mësuam të kursenim, duke u kujdesur për problemet që kur ishin të vogla.»

Mbulimi i shpenzimeve

 Kostoja vjetore e përdorimit dhe e mirëmbajtjes së një Salle Mbretërie mund të variojë nga qindra deri në mijëra dollarë, a kjo në varësi të vendndodhjes, viteve të përdorimit dhe numrit të kongregacioneve që përdorin atë sallë. Si mbulohen këto shpenzime?

 Mirëmbajtja e Sallave të Mbretërisë mbështetet nga dhurimet tona. Aleksandri, një vëlla në Kazakistan, shpjegon: «Një pjesë e dhurimeve përdoret për të paguar internetin dhe gjëra të tjera të domosdoshme, si uji dhe elektriciteti. Ndërsa një pjesë tjetër përdoret për të blerë gjëra të tilla, si letër duarsh, doreza, produkte për pastrim e bojëra.» Paratë që mbeten, dhurohen për veprën mbarëbotërore, për të mbështetur projekte më të mëdha e më të kushtueshme mirëmbajtjeje.

Projekte mirëmbajtjeje më të mëdha

 Kur një Sallë Mbretërie ka nevojë për mirëmbajtje, por kostoja e kalon shumën që zakonisht vëllezërit shpenzojnë për atë sallë në dy ose tre muaj, pleqtë këshillohen me instruktorin e mirëmbajtjes nga VPN-ja. Nëse VPN-ja e miraton projektin, atëherë ai financohet nga dhurimet për veprën mbarëbotërore. Gjatë vitit të shërbimit 2023, u realizuan 8.793 projekte mirëmbajtjeje me një shumë totale prej 76,6 milionë dollarësh. Le të shohim dy shembuj.

 Angolë, një Sallë Mbretërie 15-vjeçare kishte goxha probleme. Sistemi elektrik duhej zëvendësuar, muret ishin plasaritur dhe fqinjët kishin raportuar rrjedhje uji në apartamentet e tyre. VPN-ja organizoi një projekt për t’i rregulluar këto probleme. Projekti kushtoi 9.285 dollarë. Fqinjët ishin mirënjohës dhe u bëri shumë përshtypje mënyra si u krye e gjithë puna.

Salla e Mbretërisë e rinovuar në Angolë

 Poloni, çatia e një Salle Mbretërie pikonte dhe moketi ishte dëmtuar aq shumë, sa nuk mund të riparohej. VPN-ja miratoi një projekt për riparimin e izolimin e çatisë dhe për zëvendësimin e moketit. Projekti kushtoi 9.757 dollarë. Si rezultat, kjo Sallë Mbretërie për shumë kohë nuk do të ketë nevojë për një rinovim tjetër të madh.

Gjatë rinovimit të Sallës së Mbretërisë në Poloni

Mirëmbajtja e Sallave të Mbretërisë i jep lavdi Jehovait

 Mirëmbajtja e sallave jo vetëm kursen dhurimet e çmuara, por edhe i jep lavdi Jehovait. Shoni, një vëlla në Tongë, thotë: «Falë punës së mirëmbajtjes, mund ta adhurojmë Jehovain në një Sallë Mbretërie të pastër, të rregullt dhe që funksionon më së miri. Kjo i jep lavdi emrit të Atit tonë në komunitet, dhe ne ndihemi krenarë kur i ftojmë njerëzit në Sallën e Mbretërisë.»

Si mund të ndihmosh?

 Që të gjithë ne mund të ndihmojmë në pastrimin dhe mirëmbajtjen e vendeve tona të adhurimit. Marino, një instruktor mirëmbajtjeje në Australi, thotë: «Të gjithë kemi privilegjin e pashoq të kujdesemi për Sallat e Mbretërisë. Kur bëjmë kështu, kursejmë fonde që mund të përdoren aty ku nevojiten më shumë.»

 Joeli, një vëlla në Indi, kënaqet kur merr pjesë në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë. Ai thotë: «Puna me vëllezërit më ndihmon të imagjinoj jetën në botën e re.» Edhe Nikola, e përmendur më sipër, komenton: «Së fundmi, ndihmova me pastrimin e dyshemesë ndërkohë që vëllezërit bënin punime në tualet, ngaqë kishte rrjedhje uji. Edhe pse nuk e rregullova unë problemin, ndihmova në parandalimin e ndonjë aksidenti.»

 Nëse dëshiron të dalësh vullnetar për të ndihmuar në mirëmbajtjen e Sallës së Mbretërisë, fol me pleqtë e kongregacionit. Për më tepër, dhurimet e tua nuk mbështetin vetëm mirëmbajtjen e Sallës tënde të Mbretërisë, por edhe të atyre përreth botës. Këto dhurime mund të bëhen në kutinë e kontributeve në sallë, ose nëpërmjet donate.dan124.com. E vlerësojmë jashtë mase bujarinë tënde.

Të gjithë ne mund të ndihmojmë në mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë

a Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.