Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mbash nën kontroll ankthin

Si ta mbash nën kontroll ankthin

 Ankthi i tepërt mund të të dëmtojë edhe fizikisht, edhe emocionalisht. Madje mund të të shkaktojë probleme më të mëdha sesa vetë problemi që të shkaktoi ankth në fillim.

Sugjerime për të pakësuar ankthin

  •  Mos u ekspozo shumë ndaj lajmeve negative. S’ka pse të dish çdo hollësi për një ngjarje tragjike. Nëse sheh, lexon ose dëgjon tepër lajme tragjike, do të ndihesh më i frikësuar dhe i pashpresë.

     Parim nga Bibla: «Një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.»—Proverbat 17:22.

     «Është fare e lehtë të kërkosh vazhdimisht të dish lajmet e fundit shokuese, mirëpo ky zakon vetëm të dëmton. Ankthi më pakësohet ndjeshëm kur i ndjek më pak lajmet.»—Xhoni.

     Për të menduar: A ke vërtet nevojë t’i ndjekësh gjatë gjithë kohës lajmet më të fundit?

  •  Përmbaju një programi të rregullt. Përpiqu të zgjohesh, të hash vaktet, të bësh punët e shtëpisë dhe të flesh në të njëjtin orar çdo ditë. Programi të ndihmon të ndjesh se ende po bën një jetë normale dhe të pakësosh ankthin.

     Parim nga Bibla: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses.»—Proverbat 21:5.

     «Kur filloi pandemia COVID-19, m’u prish fare programi i përditshëm dhe kaloja tepër kohë me zbavitjen. Doja ta shfrytëzoja sa më mirë kohën, ndaj bëra një program për gjërat që duhet të bëja çdo ditë.»—Xhozefi.

     Për të menduar: A ke një program që të jep ndjesinë se ke arritur diçka me vlerë në fund të çdo dite?

  •  Përqendrohu te gjërat pozitive. Po të ngecësh te «po sikur-et» dhe po të mendosh gjithmonë më të keqen, thjesht do të shtosh ankthin. Në vend të kësaj, çdo ditë mendo për dy ose tri gjëra për të cilat mund të jesh mirënjohës.

     Parim nga Bibla: «Tregohuni mirënjohës.»—Kolosianëve 3:15.

     «Leximi i Biblës më ndihmon të mos e mbush mendjen me informacione negative, por të përqendrohem tek ato pozitive. Mund të duket si gjë e thjeshtë, por funksionon!»—Liza.

     Për të menduar: A ke prirjen të përqendrohesh te gjërat negative që të ndodhin në jetë e të harrosh gjërat pozitive?

  •  Mendo për të tjerët. Në vend që të izolohesh—dhe kjo është fare e lehtë kur të mbyt ankthi—mendo si mund të ndihmosh ata që kanë nevojë.

     Parim nga Bibla: ‘Mos kërkoni vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.’—Filipianëve 2:4.

     «Kur bëj gjëra për të tjerët, ndihem e lumtur. Kur përpiqem shumë të bëj diçka që i lumturon të tjerët, ndiej se kam më pak ankth. Në fakt s’më mbetet më kohë për t’u shqetësuar për gjërat e mia.»—Maria.

     Për të menduar: Nga ata që njeh, kush mund të ketë më shumë nevojë për ndihmë dhe çfarë mund të bësh për ta ndihmuar?

  •  Kujdesu për shëndetin. Bëj ushtrime, pusho mjaftueshëm dhe ha ushqime të shëndetshme. Kur kujdesesh për shëndetin, je më pozitiv dhe ndien më pak ankth.

     Parim nga Bibla: «Fizkultura është e dobishme.»—1 Timoteut 4:8, shënimi.

     «Unë dhe im bir nuk bëjmë dot aktivitete jashtë shtëpisë si më parë, prandaj bëjmë ushtrime rregullisht në shtëpi. Kështu, jo vetëm ndihemi mirë me veten, por edhe shkojmë mirë me njëri-tjetrin.»—Katerina.

     Për të menduar: Mos ndoshta ke nevojë të hash ushqime më të shëndetshme dhe të bësh më shumë ushtrime, që të përmirësosh shëndetin?

 Kur i zbatojmë këto sugjerime praktike, mund të pakësojmë ankthin. Përveç kësaj, shumë veta kanë nxjerrë dobi duke mësuar për premtimet e besueshme të Biblës për një të ardhme më të mirë. Shih artikullin «Çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë?»