Kalo te përmbajtja

Fermat Watchtower—Pesë dekada korrjeje

Fermat Watchtower—Pesë dekada korrjeje

Rreth 145 kilometra në veri të Nju-Jorkut, pranë qytezës Uollkill, ndodhen disa ferma që kanë luajtur rol të rëndësishëm në veprën mbarëbotërore të arsimimit biblik të Dëshmitarëve të Jehovait. E para nga Fermat Watchtower, siç quhen tani, u ble 50 vjet më parë, më 2 janar 1963.

David Walker, Dëshmitar i Jehovait i cili ka shërbyer që në fillim në Uollkill, tregon pse u ble ferma e parë: «Personeli i selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork, po shtohej dhe duhej siguruar ushqim me kosto të arsyeshme. Ferma që përdornim më parë, në veri të Nju-Jorkut, ishte gjashtë deri tetë orë larg Bruklinit, kurse Uollkill vetëm dy orë larg. Ja përse ishte vendi ideal për të plotësuar nevojat tona.» Dëshmitarët e Jehovait e kanë përdorur këtë fermë për të kultivuar fruta e perime, për të rritur pula, derra e viça dhe për të marrë prodhime prej tyre. Me kohë, u shtuan edhe ferma të tjera.

Brenda një dekade rritja mbarëbotërore e Dëshmitarëve të Jehovait solli ndryshime të jashtëzakonshme në Uollkill. Përveç korrjes së prodhimeve të mirëfillta bujqësore, atje nisi të prodhohej edhe literaturë që do të ndihmonte veprën figurative të korrjes për të cilën foli Jezui. (Mateu 9:37; Luka 10:2; Gjoni 4:35, 36) Shikoni disa nga punët që janë bërë në Uollkill.

Shtypja: Nga mesi i shekullit të 20-të, shtypshkronja në Bruklin, Nju-Jork, prodhonte pjesën më të madhe të literaturës biblike. Por, teksa nevoja për literaturë rritej, shtypshkronja në Bruklin nuk i plotësonte dot më kërkesat. Prandaj më 1973, Dëshmitarët e Jehovait përfunduan ndërtimin e një shtypshkronje tjetër në Uollkill. Që nga ajo kohë, ndërtesat ku janë shtypur botimet tona janë zgjeruar disa herë radhazi, herën e fundit në vitin 2004.

Teknologjia kompjuterike: Më 1979, një skuadër Dëshmitarësh të Jehovait në Uollkill nisën të krijonin një sistem të kompjuterizuar që tani njihet si Sistemi Elektronik Shumëgjuhësh për Botim (MEPS). Ky mjet ka mundësuar botimin e literaturës biblike në më shumë se 600 gjuhë.

Arsimimi: Më 1988, Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit u zhvendos nga Bruklini në Uollkill. Kursi filloi më 17 tetor të atij viti. Shkolla u zhvillua atje derisa u transferua në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Patterson, Nju-Jork, në prill të 1995-s.

Siç ka ndodhur me fermat e tjera, gjatë pesë dekadave të kaluara, teknikat dhe funksionet e Fermave Watchtower kanë ndryshuar. Ende bëhen shumë përpjekje për të siguruar prodhime ushqimore cilësore për Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në Bethelin e SHBA-së në Nju-Jork.

Kohët e fundit, Dëshmitarët e Jehovait po ndërtojnë godina të reja zyrash e banesash, si edhe ndërtesa të tjera ndihmëse në Uollkill. Gjithashtu po restaurojnë ndërtesat ekzistuese. Gjithë kjo punë do të ndihmojë që Fermat Watchtower të vazhdojnë të plotësojnë nevojat frymore të gjithnjë e më shumë njerëzve që po hyjnë në radhët e Dëshmitarëve të Jehovait në këtë pjesë të botës.

David Walker, i cituar më parë, thotë: «Gjatë këtyre 50 vjetëve, kam pasur kënaqësinë të shoh se si ato pak ndërtesa në Uollkill janë shtuar dhe kanë mbështetur përpjekjet tona mbarëbotërore për t’u mësuar njerëzve mesazhin e Biblës.»