Kalo te përmbajtja

Kërkojnë punë, por jo pagë

Kërkojnë punë, por jo pagë

Gjatë 28 viteve të fundit, mbi 11.000 Dëshmitarë të Jehovait kanë lënë rehatinë dhe vendin e tyre për të ndërtuar godina në 120 vende. Me gëzim, të gjithë kanë dhuruar vullnetarisht e pa kursim energjitë dhe aftësitë e tyre.

Mjaft vullnetarë e kanë paguar personalisht rrugën për te vendi i ndërtimit. Disa shfrytëzuan pushimet që të punonin. Të tjerë kërkuan leje nga puna, duke humbur kështu goxha të ardhura.

Këta nuk ishin të detyruar të bënin sakrifica të tilla, por u ofruan vullnetarisht për të çuar përpara predikimin global të lajmit të mirë për Mbretërinë. (Mateu 24:14) Ata kanë ndërtuar zyra, godina banimi e ndërtesa për shtypjen e Biblës dhe të literaturës biblike. Gjithashtu, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndërtuar Salla Asamblesh me më shumë se 10.000 vende dhe Salla Mbretërie me deri në 300 vende.

Ky aktivitet është në vazhdim e sipër. Sapo punëtorët mbërrijnë në vendin e projektit, zyra e degës e vendit u plotëson nevojën për strehim, ushqim, lavanderi dhe për gjëra të tjera të përditshme. Edhe Dëshmitarë vendës provojnë gëzimin që vjen nga ky bashkëpunim.

Për të organizuar e koordinuar këtë përpjekje të madhe, në vitin 1985 u krijua një program ndërkombëtar. Që të marrin pjesë në këtë program, vullnetarët duhet të jenë Dëshmitarë të Jehovait nga mosha 19 deri në 55 vjeç dhe të zotë të paktën në një fushë të ndërtimit. Zakonisht një caktim i tillë zgjat nga dy javë deri në tre muaj, ndonëse ndonjëherë mund të vazhdojë për një vit a më gjatë.

Gratë e punëtorëve të ndërtimit janë stërvitur për punë të tilla, si: përforcimi i çelikut me tel, vënia e tjegullave, suvatimi e lyerja. Të tjera ndihmojnë në përgatitjen e vakteve ose pastrojnë banesat e punëtorëve.

Kur vullnetarët kthehen në shtëpitë e tyre, disa shkruajnë letra falënderimi që patën mundësi të punonin. Një çift shkroi: «Duam t’ju falënderojmë shumë për privilegjin që kishim të punonim në degën e Budapestit. Sa të dashur e mirënjohës ishin Dëshmitarët në Bullgari! Ishte e vështirë t’u thoshim lamtumirë pas një muaji së bashku. Gjithmonë është e vështirë të ndahesh. Shpresojmë të kthehemi sërish në pranverë. Sa herë shkojmë në një caktim, na duket si muaji më i bukur i jetës.»