Kalo te përmbajtja

Ndihmohen të rinjtë në shkollë t’i bëjnë ballë bullizmit

Ndihmohen të rinjtë në shkollë t’i bëjnë ballë bullizmit

Kohët e fundit, Hugo dhjetëvjeçar mori çmimin «Diana» nga një organizatë bamirëse britanike për ndihmën që u kishte dhënë nxënësve në shkollën e tij për t’i bërë ballë bullizmit.

Hugo tha: «Për këtë çmim i detyrohem videos me skicime Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. U bëra një përfaqësues i mirë kundër bullizmit vetëm falë gjërave që mësova nga kjo video në jw.org.»

«Çdo ditë, në gjithë botën, shumë fëmijë e të rinj bëhen shënjestër e bullizmit. . . . Megjithatë, mund të bësh diçka.» (Pjesë e shkëputur nga videoja Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta)

Në fillim, Hugo ua tregoi mësuesve videon Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. Atyre u bëri përshtypje, prandaj morën masa që siti jw.org të ishte i disponueshëm për të gjithë nxënësit. Tani, shumë nga fëmijët në shkollën e Hugos, të moshës tetë deri në dhjetë vjeç, e përdorin rregullisht sitin jw.org. Ata thonë se i ka ndihmuar t’u bëjnë ballë problemeve si bullizmi, por edhe t’u përgjigjen pyetjeve si kjo: si mund të bëj miq të vërtetë?

Strategjitë kundër bullizmit u sjellin dobi të rinjve

Në një shkollë tjetër në Britani, bullizmi ishte problem edhe për Elijan tetëvjeçar. Bashkë me familjen shqyrtoi me kujdes videon Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta. Bënë prova se ç’mund të thoshte dhe si të vepronte kur të haste këtë problem. Kjo i dha siguri që t’i bënte ballë me sukses bullizmit. Më vonë, në javën kundër bullizmit, drejtori i Elijas ia tregoi videon gjithë shkollës.

Sigurisht, bullizmi nuk është problem vetëm në Britani. Ndodh në gjithë botën, dhe kjo video me skicime po i ndihmon kudo të rinjtë.

Në Shtetet e Bashkuara, Ajvi, një dhjetëvjeçare, kishte frikë nga një shoqe klase që s’e linte rehat. Pasi pa videon Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta, ajo gjeti guximin të përballej me të. Foli edhe me mësuesin e saj, i cili e ndihmoi në këtë situatë. Shoqja e klasës i kërkoi falje dhe tani shkojnë mirë me njëra-tjetrën.

Dëshmitarët e Jehovait merakosen për mirëqenien e të rinjve. Ne do të vazhdojmë të botojmë këshilla praktike për t’i ndihmuar me problemet e tyre të përditshme, siç është bullizmi.