Kalo te përmbajtja

Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për funeralet?

Ç’pikëpamje kanë Dëshmitarët e Jehovait për funeralet?

 Pikëpamjet dhe zakonet tona për funeralet bazohen në mësime biblike, si më poshtë:

  •   Është normale të pikëllohemi për një person të dashur që na ka vdekur. Dishepujt e Jezuit qanë kur u vdiqën të afërm. (Gjoni 11:33-​35, 38; Veprat 8:2; 9:​39) Pra, nuk i shohim funeralet si raste për të festuar. (Eklisiastiu 3:​1, 4; 7:​1-4) Përkundrazi, i konsiderojmë si raste për të shfaqur keqardhje.​—Romakëve 12:15.

  •   Të vdekurit janë të pavetëdijshëm. Pavarësisht nga prejardhja etnike ose kulturore, i shmangim traditat e praktikat që bazohen në bindje jobiblike se të vdekurit janë të vetëdijshëm dhe se mund të ndikojnë te të gjallët. (Eklisiastiu 9:​5, 6, 10) Këtu futen zakone, si përgjimi i të vdekurve, festimet ekstravagante në funerale dhe në përvjetorë vdekjeje, flijimet për të vdekurit, ritet e vejërisë dhe komunikimi me të vdekurit e kërkesat drejtuar atyre për ndonjë gjë. Nuk përfshihemi në asnjë nga këto tradita e praktika, sepse i bindemi urdhrit të Biblës: «Ndahuni, . . . dhe mjaft e prekët gjënë e papastër.»​—2 Korintasve 6:​17.

  •   Ka shpresë për të vdekurit. Bibla mëson se të vdekurit do të ringjallen dhe se do të vijë koha kur nuk do të ketë më vdekje. (Veprat 24:15; Zbulesa 21:4) Kjo shpresë na ndihmon të shmangim zakone zie ekstreme, pikërisht siç ndihmoi të krishterët e hershëm.​—1 Selanikasve 4:​13.

  •   Bibla këshillon të jemi modestë. (Proverbat 11:2) Ne nuk besojmë se funeralet janë raste ‘për t’u kapardisur’ e për t’u mburrur me statusin shoqëror dhe gjendjen ekonomike. (1 Gjonit 2:​16) Nuk organizojmë funerale pompoze që kanë si qëllim kryesor të argëtohemi, nuk bëjmë arkivole a varre tepër të shtrenjta e as blejmë veshje ekstreme për të rënë në sy.

  •   Nuk përpiqemi t’u imponojmë të tjerëve bindjet tona për funeralet. Në këtë aspekt, ndjekim parimin: «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» (Romakëve 14:12) Por, nëse na jepet rasti, përpiqemi t’i shpjegojmë bindjet tona me «me frymë butësie dhe me respekt të thellë».​—1 Pjetrit 3:​15.

Si bëhet funerali i një Dëshmitari?

 Vendi: Nëse familja vendos të bëjë një ceremoni funerali, mund ta mbajë ku të dojë, si për shembull, në një Sallë Mbretërie, në një shtëpi funeralesh, në një shtëpi, në një kremator ose në varreza.

 Shërbesa: Mbahet një fjalim për të ngushëlluar të afërmit e pikëlluar ku shpjegohet çfarë thotë Bibla për vdekjen dhe për shpresën e ringjalljes. (Gjoni 11:25; Romakëve 5:​12; 2 Pjetrit 3:​13) Gjatë programit të funeralit mund të kujtohen cilësi të mira të të ndjerit, ndoshta duke nxjerrë në pah mësime inkurajuese nga shembulli i tij i besnikërisë.—2 Samuelit 1:​17-​27.

 Mund të këndohet një këngë e bazuar në Bibël. (Kolosianëve 3:​16) Në fund bëhet një lutje ngushëlluese.​—Filipianëve 4:​6, 7.

 Pagesa ose mbledhja e parave: Nuk kërkojmë para për shërbimet fetare, përfshirë funeralet, e as mbledhim para në mbledhjet tona.​—Mateu 10:8.

 Të pranishmit: Ata që nuk janë Dëshmitarë, janë më se të mirëpritur të vijnë në një funeral që mbahet në një Sallë Mbretërie. Ashtu si në mbledhjet tona të tjera, këto shërbesa funerali janë të hapura për publikun.

A shkojnë Dëshmitarët në funerale që drejtohen nga fe të tjera?

 Çdo Dëshmitar vendos vetë sipas ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla. (1 Timoteut 1:​19) Gjithsesi, nuk marrim pjesë në ceremoni fetare që mendojmë se nuk janë në përputhje me Biblën.​—2 Korintasve 6:​14-​17.