Kalo te përmbajtja

Çfarë është Watch Tower Bible and Tract Society?

Çfarë është Watch Tower Bible and Tract Society?

 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania është një korporatë jofitimprurëse që u formua në vitin 1884 sipas legjislacionit të Komonuelthit të Pensilvanisë, SHBA. Ajo përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait për të mbështetur veprën e tyre mbarëbotërore, e cila përfshin botimin e Biblave dhe të literaturës biblike.

 Sipas statutit të saj, qëllimet e korporatës janë «fetare, arsimuese dhe bamirëse», në veçanti «për të predikuar dhe për të mësuar ungjillin e Mbretërisë së Perëndisë, të drejtuar nga Jezu Krishti». Dikush mund të bëhet anëtar i korporatës vetëm me ftesë, dhe kjo nuk varet nga sasia e donacioneve të tij. Anëtarët dhe drejtuesit e korporatës ndihmojnë Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait.

Ente ligjore që bashkëpunojnë

 Përveç Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, Dëshmitarët e Jehovait përdorin dhjetëra ente ligjore në vende të ndryshme. Disa nga këto ente përfshijnë në emrat e tyre terma, si «Watch Tower», «Watchtower» ose një përkthim të tyre.

 Që kur u krijuan, këto ente të ndryshme ligjore na kanë ndihmuar të arrijmë shumë gjëra, siç tregohet më poshtë.

  •   Shkrimi dhe botimi. Kemi botuar rreth 220 milionë Bibla dhe rreth 40 miliardë kopje literature biblike. Botimet tona disponohen në më tepër se 900 gjuhë. Me anë të sitit jw.org, njerëzit mund ta lexojnë Biblën online falas në më shumë se 160 gjuhë dhe të marrin përgjigje për pyetje biblike, si «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?»

  •   Arsimimi. Ne kemi shumë shkolla për arsimimin biblik. Për shembull, që nga viti 1943, mbi 9.000 Dëshmitarë të Jehovait kanë nxjerrë dobi nga stërvitja intensive në Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit. Ajo u ka dhënë mundësi të shërbejnë si misionarë ose t’i japin stabilitet e ta forcojnë veprën tonë mbarëbotërore. Përveç kësaj, miliona veta, ku përfshihen edhe persona që s’janë Dëshmitarë, arsimohen çdo javë në mbledhjet që mban secili nga kongregacionet tona. Gjithashtu, u mësojmë të tjerëve shkrim e lexim dhe kemi botuar një libër mësimor në 120 gjuhë për këtë qëllim.

  •   Bamirësia. U kemi siguruar ndihma materiale atyre që janë prekur nga tragjedi të ndryshme, qoftë të shkaktuara nga njeriu, siç ishte gjenocidi i 1994-s në Ruandë, qoftë natyrore, siç ishte tërmeti i 2010-s në Haiti.

 Megjithëse është arritur shumë me anë të korporatave dhe të enteve ligjore që përdorim, vepra jonë nuk varet nga asnjëra prej tyre. Çdo i krishterë ka përgjegjësinë t’u predikojë e t’u mësojë të tjerëve lajmin e mirë, në bazë të urdhrit të Perëndisë. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Besojmë se Perëndia po e mbështet veprën tonë dhe se ai do të vazhdojë ‘ta rritë’.—1 Korintasve 3:6, 7.