Kalo te përmbajtja

9 MARS 2022
EKUADOR

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në dialektet imbabura dhe çimborazo të gjuhës kiçua

Prezantohen Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në dialektet imbabura dhe çimborazo të gjuhës kiçua

Të shtunën më 5 mars 2022, vëlla Alan Kosta, anëtar i Komitetit të Degës së Ekuadorit, prezantoi Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në dialektet imbabura dhe çimborazo të gjuhës kiçua. Këto janë dy dialektet kryesore të gjuhës kiçua që flitet në Ekuador. Biblat u prezantuan në format dixhital dhe në format të shtypur gjatë një programi që u transmetua për lajmëtarët drejtpërsëdrejti nëpërmjet streaming.

Zyra Rajonale e Përkthimit për dialektin imbabura në vargmalet e Andeve. Ajo ndodhet në Otavalo, 90 kilometra në veri të kryeqytetit, Kuito

Shumica e atyre që flasin gjuhën kiçua, jetojnë në vargmalet e Andeve, në lartësinë nga rreth 2.700 deri në 3.700 metra mbi nivelin e detit. Pjesëtarët e këtij komuniteti janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe njihen si njerëz bujarë, punëtorë dhe mikpritës. Shumë prej tyre besojnë te një Krijues dhe kanë respekt të thellë për Biblën.

Në vitet 90, Dëshmitarët e Jehovait përkthenin botime në atë që njihej si kiçua e unifikuar, një përzierje e dialekteve të ndryshme që fliten anekënd Ekuadorit. Mirëpo, pak veta e pranuan mesazhin e Mbretërisë në territorin e gjuhës kiçua. Ishte e qartë se vëllezërit kishin nevojë për botime të përkthyera në dialektet përkatëse për t’u prekur zemrat njerëzve.

Zyra Rajonale e Përkthimit për dialektin çimborazo ndodhet në Riobambë, 208 kilometra në jug të Kuito

Skuadra e përkthimit të gjuhës kiçua mori ndihmë nga lajmëtarët që jetojnë në pjesë të ndryshme të vendit, të cilët lexuan dhe dhanë sugjerime për përkthimin. Duke folur për sfidat e përkthimit të Biblës në dialektin çimborazo për një grup kaq të larmishëm gjuhësor, një përkthyes tha: «Falë sugjerimeve të tyre arritëm të realizonim një përkthim që mund ta kuptonin të gjithë.» Një përkthyes nga skuadra e dialektit imbabura shpjegoi: «Jehovai na drejtonte gjithë kohës dhe e dalloja qartë se ai dëshiron që kushdo ta njohë dhe ta kuptojë Fjalën e tij.»

Këto dy përkthime të reja do të jenë një bekim për vëllezërit e motrat që flasin gjuhën kiçua, ndërsa i shërbejnë Perëndisë tonë, Jehovait, ‘Shpëtimtarit të njerëzve të çdo lloji’.—1 Timoteut 4:10.