Kalo te përmbajtja

ERITRE

Burgosen për shkak të besimit—Eritre

Burgosen për shkak të besimit—Eritre

Prej shumë vitesh, qeveria në Eritre arreston dhe burgos Dëshmitarë të Jehovait, përfshirë gra e të moshuar, pa proces gjyqësor ose pa akuza formale, për shkak të aktiviteteve të tyre fetare ose për arsye të tjera që nuk janë bërë të ditura. Ngaqë nuk votuan në referendumin e pavarësisë të vitit 1993 dhe refuzonin të kryenin shërbimin ushtarak për shkak të ndërgjegjes, presidenti Afuerki u hoqi nënshtetësinë me anë të një dekreti presidencial të datës 25 tetor 1994. Para se rekrutimi të bëhej i detyrueshëm, Eritreja kishte siguruar shërbim alternativ tërësisht civil. Shumë Dëshmitarë kanë kryer këtë formë shërbimi pavarësisht nga ndryshimi i administratës së qeverisë. Madje, autoritetet jepnin sistematikisht «Certifikata për përfundimin e shërbimit ndaj shtetit» dhe shpesh i lavdëronin ata që merrnin pjesë. Por, që me daljen e dekretit presidencial, forcat e sigurisë në Eritre i kanë burgosur, torturuar dhe përndjekur Dëshmitarët e Jehovait në përpjekje për t’i detyruar të mohojnë besimin e tyre.

Aktualisht në burg janë 36 Dëshmitarë të Jehovait (26 vëllezër dhe 10 motra). Më 4 dhjetor 2020, autoritetet në Eritre liruan nga burgu 28 Dëshmitarë të Jehovait (26 vëllezër dhe 2 motra) që kanë kaluar nga 5 deri në 26 vjet në burg për shkak të besimit. Më 29 janar 2021 liruan një Dëshmitar që kishte qenë i burgosur për 12 vjet. Më 1 shkurt 2021 liruan edhe 3 Dëshmitarë (1 vëlla dhe 2 motra). Ata kishin qenë në burg nga 4 deri në 9 vjet

Dëshmitarët që vdiqën në burg në kushte të ashpra

Në Eritre, 4 Dëshmitarë kanë vdekur ndërsa ishin në burg dhe 3 Dëshmitarë të moshuar kanë vdekur pas lirimit nga burgu për shkak të kushteve tejet të vështira gjatë burgimit.

Dy Dëshmitarë vdiqën në 2018, pasi i transferuan në burgun «Mai-Serua». Habtemikael Tesfamariami vdiq më 3 janar, në moshën 76-vjeçare, ndërsa Habtemikael Mekoneni vdiq më 6 mars, në moshën 77-vjeçare. Autoritetet e Eritresë i burgosën që të dy në vitin 2008, pa ngritur asnjë akuzë kundër tyre.

Më 2011 dhe 2012, dy Dëshmitarë vdiqën për shkak të trajtimit çnjerëzor në kampin e burgimit Meitir. Misgina Gebretinsae, një i burgosur 62-vjeçar, vdiq në korrik të 2011-s për shkak të nxehtësisë ekstreme ndërsa ishte në një zonë dënimi që njihej si «nëntoka». Ndërsa një i burgosur 68-vjeçar, Johanes Haile, vdiq më 16 gusht 2012, pas gati 4 vjetësh burg në këtë kamp në kushte të ngjashme. Tre Dëshmitarë të moshuar, Kasai Mekoneni, Goitom Gebrekristosi dhe Tsehaje Tesfariami kanë vdekur pas lirimit nga burgu, për shkak të kushteve tepër të vështira që duruan në kampin e Meitirit.

Shpërfillen rekomandimet e organeve më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut

Eritreja nuk bie dakord me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Organe më të larta të të drejtave të njeriut e kanë dënuar këtë shkelje dhe vazhdojnë të nxitin Eritrenë të ndreqë situatën.

Në vitin 2014 Këshilli për të Drejtat e Njeriut (KDN) shprehu vlerësim për raportin e situatës në Eritre nga Raportuesi Special. Raporti i nxiste autoritetet të respektonin të drejtën e refuzimit për shkak të ndërgjegjes «në përputhje me normat ndërkombëtare» dhe «të garantonin shëndetin fizik të të gjithë burgosurve; të siguronin trajtim mjekësor për ata që kishin nevojë . . . dhe të përmirësonin kushtet për të dënuarit në përputhje me standardet ndërkombëtare». Në një rezolutë të 2015-s KDN-ja i bëri thirrje qeverisë së Eritresë «të njohë të drejtën e refuzimit të ushtrisë për shkak të ndërgjegjes».

Më 2016 Komisioni Hetimor për të Drejtat e Njeriut në Eritre pohoi se autoritetet kanë kryer «krim kundër njerëzimit», sepse Dëshmitarët e Jehovait dhe të tjerë «janë përndjekur për arsye fetare dhe etnike».

Në 2017-n Komiteti Afrikan i Ekspertëve për të Drejtat dhe për Mirëqenien e Fëmijës (KAEDMF) shprehu shqetësimin se, edhe pse ekziston mbrojtja ligjore, «fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait» nuk e gëzojnë këtë të drejtë, ndaj trajtohen padrejtësisht. KAEDMF-ja i rekomandoi Eritresë «të implementojë të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë së fëmijës, pa kurrfarë diskriminimi».

Në vitin 2018 Komisioni Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popujve i sugjeroi Eritresë «të marra masa urgjente për shkeljen e lirive themelore të të gjithë të dënuarve, ku përfshihen . . . edhe Dëshmitarët e Jehovait». Gjithashtu kërkoi të hetoheshin rastet e raportuara për Dëshmitarët që kanë vdekur në burg. Komisioni theksoi se Eritreja duhet të garantojë «mbrojtjen e të drejtave të nënshtetasve» për Dëshmitarët e Jehovait.

Në maj të vitit 2019, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (CCPR) urdhëroi Eritrenë të garantonte të drejtën e lirisë së besimit dhe të fesë dhe «të lironte të gjithë ata që janë arrestuar ose dënuar ngaqë po ushtronin të drejtën e lirisë së fesë, përfshirë këtu Dëshmitarët e Jehovait». Gjithashtu, CCPR-ja kërkoi që Eritreja «të njihte ligjërisht refuzimin e shërbimit ushtarak për shkak të ndërgjegjes dhe të siguronte një formë shërbimi alternativ civil për ata që nuk pranojnë të kryejnë ushtrinë për këtë arsye».

Në një raport të datës 12 maj 2021, Raportuesi special i OKB-së i bëri thirrje qeverisë së Eritresë «të lironte menjëherë dhe pa kushte të gjithë ata që ishin në burg pa akuza ose pa një vendim gjykate për shkak të besimit e bindjeve, ndër ta edhe 20 Dëshmitarët e Jehovait» si edhe «të rishikonte vendimin e heqjes së nënshtetësisë së Dëshmitarëve të Jehovait për shkak të fesë së tyre, të respektonte rekomandimet e Komisionit Afrikan për të Drejtat e Njeriut dhe të Popullit që Dëshmitarëve të Jehovait të mos u mohohej e drejta e nënshtetësisë dhe të hetonte rastet e vdekjeve së Dëshmitarëve të Jehovait në burg».

Dënohen me burgim pa afat

Shumica e Dëshmitarëve janë burgosur për një kohë të pacaktuar. Mund të dalin nga burgu vetëm nëse janë në prag të vdekjes. Përderisa ligjet që janë në fuqi nuk u ofrojnë asnjë procedurë ose zgjidhje ligjore, de facto i kanë dënuar me burg për tërë jetën.

Tabelë kronologjike

  1. 18 mars 2024

    Janë të burgosur gjithsej 36 Dëshmitarë.

  2. 1 shkurt 2021

    Lirojnë nga burgu 3 Dëshmitarë.

  3. 29 janar 2021

    Lirojnë nga burgu 1 Dëshmitar.

  4. 4 dhjetor 2020

    Lirohen nga burgu 28 Dëshmitarë.

  5. 6 mars 2018

    Humbi jetën 77-vjeçari Habtemikael Mekoneni, pas transferimit në burgun «Mai-Serua».

  6. 3 janar 2018

    Humbi jetën 76-vjeçari Habtemikael Tesfamariami, pas transferimit në burgun «Mai-Serua».

  7. Korrik 2017

    Të gjithë Dëshmitarët e burgosur në kampin «Meitir» i transferuan në burgun «Mai-Serua», jashtë Asmarës.

  8. 25 korrik 2014

    Shumica e atyre që u arrestuan më 14 prill janë liruar, por 20 prej atyre që u arrestuan më 27 prill janë ende të burgosur.

  9. 27 prill 2014

    Policia arrestoi 31 Dëshmitarë gjatë një mbledhjeje ku studionin Biblën.

  10. 14 prill 2014

    U arrestuan më shumë se 90 Dëshmitarë gjatë Përkujtimit të përvitshëm të vdekjes së Krishtit.

  11. 16 gusht 2012

    Vdiq gjatë burgimit në kushte ekstreme Johanes Haile, 68 vjeç.

  12. Korrik 2011

    Vdiq gjatë burgimit në kushte ekstreme Misgina Gebretinsae, 62 vjeç.

  13. 28 qershor 2009

    Autoritetet mësynë në shtëpinë e një Dëshmitari ndërsa mbahej një mbledhje fetare dhe arrestuan 23 të pranishmit, që ishin nga 2 deri 80 vjeç.

  14. 28 prill 2009

    Autoritetet transferuan në kampin e burgimit «Meitir» që të gjithë Dëshmitarët e Jehovait (përveç njërit) që mbaheshin të burgosur në komisariatet e policisë.

  15. 8 korrik 2008

    Autoritetet filluan bastisjet e shtëpive dhe të vendeve të punës për të arrestuar 24 Dëshmitarë, pjesa më e madhe e të cilëve siguronin bukën e gojës për familjen.

  16. Maj 2002

    Qeveria ndaloi të gjitha grupet fetare që nuk bëjnë pjesë në katër fetë e miratuara nga qeveria.

  17. 25 tetor 1994

    Doli dekreti presidencial që u hoqi Dëshmitarëve të Jehovait nënshtetësinë dhe të drejtat themelore civile.

  18. 17 shtator 1994

    U burgosën Paulos Ijasu, Isak Mogosi dhe Negede Teklemarjami pa akuza zyrtare ose proces gjyqësor.

  19. Vitet 40

    U krijuan komunitetet e para të Dëshmitarëve të Jehovait në Eritre.