Kalo te përmbajtja

Për shkak të asnjanësisë, vëllezërit në Greqi i kanë internuar ose burgosur. Prapëseprapë, kur kishin mundësi, vazhdonin aktivitetet teokratike, si Përkujtimi i vdekjes së Krishtit

22 DHJETOR 2022
GREQI

Njëqind vjet që mësojnë të mos luftojnë

Njëqind vjet që mësojnë të mos luftojnë

Nikos dhe Eleni Abatzisi

Viti 2022 shënon 2 përvjetorë të rëndësishëm për Dëshmitarët e Jehovait në Greqi: 100 vjet që kur u dokumentuan rastet e para të atyre që nuk kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes dhe 25 vjet që kur nisi shërbimi alternativ civil.

Në vitet 1900, Greqia ziente nga konfliktet ushtarake. Për shkak të këtyre situatave, vëllezërit tanë duhej të përballeshin herë pas here me çështjen e asnjanësisë. Vëllezërit Nikos Abatzisi dhe Nikolaos Rebebosi ishin 2 Dëshmitarët e parë të Jehovait (atëherë quheshin Studentët e Biblës) në Greqi që nuk pranuan të merrnin pjesë në luftë për shkak të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla.

Vëlla Abatzisi nuk pranoi të merrte pjesë në luftën greko-turke të viteve 1919-1922. Ai tregonte për atë periudhë: «Më çuan në kazermat ushtarake [në Azinë e Vogël] . . . Atje mora guximin dhe nisa t’u predikoja [ushtarëve] dhe t’u thosha se lufta binte ndesh me Ungjillin, i cili na nxit t’i duam armiqtë.» Sapo mbaroi lufta, vëlla Abatzisi vazhdoi të predikonte mesazhin e Biblës në shumë pjesë të Greqisë.

Nikolaos Rebebosi dhe bashkëshortja

Nikolaos Rebebosi ishte ushtar në luftën greko-turke. Mirëpo, pikëpamja e tij për luftën ndryshoi pasi lexoi Shkrimet dhe një fletushkë që mori nga Studentët e Biblës. Në fund u tha eprorëve se nuk do të luftonte më, edhe pse e dinte se skuadra e pushkatimit mund ta ekzekutonte. Pa iu dridhur qerpiku, Nikolaosi tha se ai ‘mund të humbiste një fije floku vetëm po ta lejonte Perëndia’. Pas luftës kërkoi Studentët e Biblës dhe u pagëzua më 1925.

Abatzisi dhe Rebebosi ishin thjesht të parët nga vëllezërit e shumtë grekë që ruajtën asnjanësinë, pavarësisht nga presioni i fortë për të marrë armët. Gjatë Luftës II Botërore dhe gjatë Luftës Civile në Greqi, në vitet 1946-1949, vëllezërit tanë ishin të vendosur të mos luftonin, as krah ushtrisë, as krah forcave guerile—prandaj disa i ekzekutuan. Gjithsesi, vëllezërit tanë nuk u dorëzuan para përndjekjes, por vazhduan të predikonin mesazhin paqësor të Biblës dhe numri i Dëshmitarëve në Greqi u rrit nga 178 në vitin 1940 në 2.808 në vitin 1949.

Dëshmitarë të zellshëm duke predikuar lajmin e mirë në Greqi sot

Burgosjet vazhduan për vëllezërit që nuk pranonin të kryenin ushtrinë për shkak të ndërgjegjes. Në total, 3.788 vëllezër kanë bërë burg për shkak të asnjanësisë. Më në fund, në vitin 1997, Greqia miratoi një ligj që lejon shërbimin alternativ civil. Aktualisht, në Greqi, kanë pranuar shërbimin alternativ civil rreth 100 vëllezër.

Gjatë vitit të shërbimit 2022, Greqia pati një maksimum prej 27.995 lajmëtarësh dhe 420 u pagëzuan.

Gjatë 100 viteve të fundit, ka qenë më se e qartë se Jehovai i ka mbështetur dhe po i mbështet vazhdimisht vëllezërit në Greqi teksa janë të vendosur të mos mësojnë më të luftojnë.—Isaia 2:4.