Kalo te përmbajtja

25 GUSHT 2023
MALAVI

Prezantohet botimi i rishikuar i Përkthimit Bota e Re në gjuhën çiçeua

Prezantohet botimi i rishikuar i Përkthimit Bota e Re në gjuhën çiçeua

Më 18 gusht 2023, vëllai Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës, prezantoi botimin e rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çiçeua. Bibla u prezantua ditën e parë të Kongresit Rajonal 2023 «Prisni me durim!», që u mbajt në Sallën e Asambleve në Lilongvë, Malavi. Të pranishmit morën një kopje të shtypur të botimit. Përveç kësaj, iu dha mundësia ta shkarkonin Biblën në formatin elektronik duke lidhur pajisjen e tyre me JW Box.

Fjalimi i prezantimit u transmetua drejtpërsëdrejti nëpërmjet kanalit satelitor JW në dy stadiume në rajonet qendrore dhe jugore të Malavisë, në disa vende asamblesh në zona rurale dhe në shumë Salla Mbretërie anekënd shtetit. Veç kësaj, programi u transmetua drejtpërsëdrejti edhe në disa Salla Mbretërie të përzgjedhura, në territoret ku flitet gjuha çiçeua në Mozambik. Fjalimin e prezantimit e dëgjuan gjithsej 77.112 veta që ishin mbledhur në dy stadiumet dhe në vendet e asambleve në zona rurale, e mijëra të tjerë që u lidhën me programin nga Sallat e Mbretërisë.

Çiçeua është gjuha kombëtare e Malavisë dhe flitet nga më se 10 milionë njerëz atje. Ajo flitet edhe në disa pjesë të Mozambikut, Afrikës së Jugut, Zambies dhe Zimbabves. Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çiçeua dolën në vitin 2006, kurse botimi i plotë i Përkthimit Bota e Re doli në vitin 2010. Tani vëllezërit e motrat janë shumë të lumtur që kanë botimin e plotë të rishikuar të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën çiçeua.

Një lajmëtar u shpreh: «Shumë çiçeuafolës që takojmë në shërbim, kanë përkthime të Biblës që përdorin një gjuhë mjaft të vjetër. Kur u kërkojmë njerëzve të lexojnë një varg nga Bibla e tyre, shpesh nuk e kapin kuptimin e atij vargu. Në krahasim me to, botimi i rishikuar i Përkthimit Bota e Re kuptohet shumë qartë. Mezi pres ta përdor në shërbim!»

S’kemi dyshim se botimi i rishikuar i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re do t’i ndihmojë vëllezërit dhe të interesuarit që flasin gjuhën çiçeua ‘të gjejnë ëndje në ligjin e Jehovait’.—Psalmi 1:2.