Kalo te përmbajtja

21 TETOR 2022
MBRETËRIA E BASHKUAR

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën punjabe (shahmukhi)

Prezantohet libri i Mateut në gjuhën punjabe (shahmukhi)

Më 9 tetor 2022, vëllai Pol Norton, anëtar i Komitetit të Degës në Britani, prezantoi botimin Bibla—Lajmi i mirë sipas Mateut në gjuhën punjabe (shahmukhi) gjatë një programi që u transmetua drejtpërdrejt. Programin e ndoqën mbi 1.300 veta, ndër ta edhe lajmëtarë që u lidhën me anë të internetit nga Sallat e Mbretërisë në mbarë territorin e degës së Britanisë. Ky libër i Biblës u vu menjëherë në dispozicion në formatin elektronik, audio dhe të shtypur.

Gjuhën punjabe e flasin miliona njerëz në Indi dhe në Pakistan, si edhe një popullsi e madhe në vende të tjera. Në tetor 2020 doli i plotë botimi Shkrimet e ShenjtaPërkthimi Bota e Re në gjuhën punjabe të shkruar në alfabetin gurmukhi. Megjithatë botimi i sapoprezantuar do të përdoret nga ata që e lexojnë gjuhën punjabe në alfabetin shamukhi, të cilët në përgjithësi nuk e dinë alfabetin gurmukhi ose nuk e kuptojnë plotësisht fjalorin e kësaj gjuhe. Deri tani lexuesit e gjuhës punjabe (shahmukhi) kishin në dispozicion vetëm Bibla në gjuhë të tjera, si për shembull në gjuhën urdu.

Përgjatë viteve janë botuar disa libra të Biblës në punjabe (shahmukhi). Por ky botim, libri i Mateut, është përkthyer në atë lloj stili që të jetë i lehtë për t’u lexuar e për t’u kuptuar. Ç’është më e rëndësishmja, ky përkthim përmban emrin e Jehovait.

Një përkthyes që punoi për projektin, tha: «Njerëzit mund ta kenë dëgjuar emrin e Jehovait në këngët kishtare. Ama, shpesh nuk arrijnë ta konsiderojnë si mik Perëndinë, ngaqë përkthyesit e kanë hequr emrin e Tij nga shumica e vargjeve të Biblës. Por tani kanë mundësi ta lexojnë këtë emër te libri i Mateut pasi ai është rivendosur aty ku i takon me të drejtë.»

Jemi të sigurt se ky botim do t’i ndihmojë vëllezërit e motrat të lidhin një miqësi më të ngushtë me Jehovain dhe të lëvdojnë emrin e tij.—Mateu 6:9.