Kalo te përmbajtja

Salla e Mbretërisë në Tortolë para dhe pas meremetimit. Ajo u riparua e para nga pesë Sallat e Mbretërisë të dëmtuara nga uragani Maria në Ishujt Virxhin të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara

19 JANAR 2018
LAJME NDËRKOMBËTARE

Dëshmitarët përshpejtojnë dhënien e ndihmës pas uraganeve

Dëshmitarët përshpejtojnë dhënien e ndihmës pas uraganeve

NJU-JORK—Puna për dhënien e ndihmës po ecën me ritme të shpejta pas uraganeve Irma dhe Maria, të cilat në shtator të 2017-s shkatërruan pjesë të Karaibeve dhe territore përreth tyre. Informacioni vijues nga zyrat e degëve të Barbadosit, Kubës, Republikës Domenikane, Francës dhe të Shteteve të Bashkuara tregon më shumë detaje të punës që po bëjnë vëllezërit për të ndihmuar.

Territoret e degës së Barbadosit—Anguilë, Antigua dhe Barbudë, Dominikë dhe Shën-Marten (zona holandeze)

Tri Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK), një prej të cilave u krijua në bashkëpunim me degën e Francës, organizuan së bashku grupe me vëllezër e motra vendës që t’u plotësonin nevojat më emergjente lajmëtarëve të prekur nga uraganet. Puna e rindërtimit që është planifikuar të kryhet në territoret e degës së Barbadosit do të kushtojë rreth 2,4 milionë dollarë amerikanë dhe do të përfshijë meremetimin e 8 Sallave të Mbretërisë dhe të 122 shtëpive të vëllezërve. Kurse 19 shtëpi duhet të rindërtohen nga e para.

Salla e Mbretërisë e dëmtuar keq nga uragani Maria në Grand Bay, Dominikë

Territori i degës së Kubës

Dega ka raportuar se lajmëtarët e prekur nga uragani Irma po marrin gjithë ndihmën e nevojshme. Këtu përfshihen edhe vizitat baritore nga përfaqësues të zyrës së degës.

Territori i degës së Republikës Domenikane

Tri KNRK-të kanë koordinuar punën që 57 lajmëtarët e prekur të marrin ndihmën e nevojshme. Vëllezërit e motrat vendës kanë dhuruar ushqime, ujë, veshje dhe gjëra të tjera të domosdoshme. Nga fundi i tetorit të gjitha shtëpitë e dëmtuara ishin pastruar e meremetuar, kryesisht nga vullnetarët vendës.

Territoret e degës së Francës—Guadelupë dhe Shën-Martin

Dega ka ngritur një KNRK në ishullin e Shën-Martinit dhe një qendër rajonale ndihme në ishullin e Guadelupës për të koordinuar punën e rindërtimit, e cila është përllogaritur të kushtojë afro 1,4 milionë dollarë. Puna përfshin riparimin e 12 Sallave të Mbretërisë në Guadelupë dhe të 2 Sallave të Mbretërisë e të 24 shtëpive të vëllezërve në Shën-Martin. Për këtë do të punojnë 22 vullnetarë ndërtimi nga Franca, Guadelupa dhe Martinika.

Prona e dëmtuar e një lajmëtari në Shën-Martin, pas uraganit Maria

Territoret e degës së Shteteve të Bashkuara—Ishujt Virxhin të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara, Florida, Xhorxhia, Porto-Riko, Ishujt Turks e Kajkos

Në territorin e kësaj dege janë prekur nga katastrofa mbi 13.000 lajmëtarë. Aktualisht katër KNRK po ndihmojnë vëllezërit dhe motrat dhe kanë përfunduar fazën e parë të punës. Gjatë kësaj faze u meremetuan më tepër se 95 për qind e pronave të dëmtuara të vëllezërve dhe u shpërndanë ndihma humanitare, si ushqim dhe ujë. Kurse në Porto-Riko dhe në Ishujt Virxhin të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara po vazhdon ende faza e parë e punës.

Një skuadër pastron një nga shtëpitë e më tepër se 3.200 lajmëtarëve të prekur nga uraganet në Porto-Riko

Për të riparuar Sallat e Mbretërisë dhe shtëpitë e vëllezërve do të punojnë 690 vullnetarë, 450 në ishuj dhe 240 në Florida e në Xhorxhia. Është llogaritur që puna e rindërtimit të kushtojë mbi 30 milionë dollarë. Në këtë projekt do të përfshihen:

  • Ishujt Virxhin të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara – 5 Salla Mbretërie, 190 shtëpi

  • Florida – 40 Salla Mbretërie, 1.174 shtëpi

  • Porto-Riko – 106 Salla Mbretërie, 2 Salla Asamblesh, 1.216 shtëpi

  • Turks e Kajkos – 2 Salla Mbretërie, 56 shtëpi

Lutemi që Jehovai t’u forcojë duart të gjithë atyre që po ndihmojnë. Jemi të sigurt se ndihma praktike bashkë me inkurajimin nga Bibla do t’i ndihmojnë vëllezërit të rimëkëmben nga kjo katastrofë dhe të vazhdojnë t’i shërbejnë të bashkuar Perëndisë tonë të madh, Jehovait.​—Nehemia 2:18.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Barbados: Xhon Medfordi, +1-246-438-0655

Republika Domenikane: Hozue Felizi, +1-809-595-4007

Francë: Gai Kanonici, +33-2-32-25-55-55