Kalo te përmbajtja

16 NËNTOR 2022
UKRAINË

PËRDITËSIM NR. 13 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Rinis shërbimi shtëpi më shtëpi

PËRDITËSIM NR. 13 | Dashuria triumfon në mes të krizës në Ukrainë

Në gusht 2022, u njoftua se do të rifillonte shërbimi nga shtëpia në shtëpi në disa zona të Ukrainës që konsideroheshin të sigurta. Vëllezërit e motrat mezi pritnin të merrnin pjesë. Ata kanë takuar plot njerëz që dëshirojnë të dëgjojnë mesazhin e Biblës. Një person që pranoi të studionte Biblën, u shpreh: «Pas tmerreve dhe vuajtjeve që kemi parë në këtë luftë, është me se e qartë se vetëm Perëndia mund të zgjidhë problemet e njerëzimit.» Ja disa përvoja nga shërbimi.

Ruslanin, nga kongregacioni i Lanjivcjit, e kishte kapur ankthi për rifillim e shërbimit shtëpi më shtëpi. Prandaj, bashkë me të shoqen iu lutën Jehovait që t’u jepte guxim e t’i drejtonte te njerëzit që kishin interes për shpresën për një të ardhme më të mirë. Çifti u mrekullua që në 2 orët e para të predikimit folën me 8 veta dhe të gjithë këta pranuan të studionin Biblën.

Olha, nga kongregacioni i Kremenicit, kishte dalë në shërbim, kur një burrë vrapoi për tek ajo dhe te shoqja e saj dhe i pyeti nëse po flitnin për Fjalën e Perëndisë. Pastaj u shpjegoi:«Unë pi duhan dhe kam probleme me alkoolin. Jam i vetëdijshëm se së shpejti do të vijë koha e gjykimit të Perëndisë. Atë ditë nuk dua të jem personi që jam tani.» Janë marrë masa që vëllezërit në atë zonë të studiojnë Biblën me të.

Ndërsa po predikonte në një fshat me grupin e shërbimit, Vasili, nga kongregacioni i Lviv-Rjasne-Skjidnit, njohu shtëpinë e një gruaje së cilës i kishte folur vite më parë. Ai kujtonte se gruaja i kishte larguar gjithë zemërim Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë vendosi që t’i trokiste në derë e t’i ofronte një studim. Sa u habit kur ajo doli te dera dhe tha se dëshironte të kuptonte Shkrimet e Shenjta. Gruaja pranoi të studionte Biblën dhe u morën masa që të ndiqej interesi.

Serhiji, nga kongregacioni i Jilincit, u pagëzua më 2021 dhe s’kishte marrë pjesë kurrë në predikimin shtëpi më shtëpi. Ndihej ca në ankth, ndaj mori kohë që të përgatitej mirë. Serhiji tha: «I pashë sa e sa herë videot me idetë për biseda. Pas kësaj kisha nevojë vetëm për guxim.» Jemi të lumtur që ankthit të Serhijit ia zuri vendin gëzimi i pamasë, ndërsa pati mundësi t’u fliste të tjerëve për lajmin e mirë.

Edhe Nikol, nga kongregacioni i Rozdilit, doli lajmëtare në gusht 2022. Ajo tregon: «Isha shumë në tension e madje kisha frikë të predikoja shtëpi më shtëpi. Ama, pasi dola, përjetova kënaqësinë që vjen kur i flet dikujt sy më sy për Jehovain.»

Dy motra ndërsa predikojnë shtëpi më shtëpi

Deri më 11 nëntor 2022 kemi këtë raport nga Ukraina, siç mund ta shihni më poshtë. Këto statistika janë bazuar te raportet e verifikuara nga vëllezërit vendës. Megjithatë, ngaqë është e vështirë të mbajmë komunikim me të gjitha rajonet e vendit, shifrat reale mund të jenë më të larta.

Situata e vëllezërve dhe e motrave

  • 46 lajmëtarë kanë vdekur

  • 97 lajmëtarë janë plagosur

  • 12.569 lajmëtarë janë shpërngulur

  • 590 shtëpi janë shkatërruar

  • 645 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha

  • 1.722 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla

  • 6 Salla Mbretërie janë shkatërruar

  • 19 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të mëdha

  • 63 Salla Mbretërie kanë pësuar dëme të vogla

Ndihma në rast katastrofash

  • 27 Komitete të Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po ndihmojnë në Ukrainë

  • KNRK-të kanë ndihmuar 53.948 persona të gjejnë strehim në zona më të sigurta

  • 25.983 lajmëtarë janë larguar drejt shteteve të tjera ku po i ndihmojnë bashkëbesimtarët atje