Kalo te përmbajtja

28 KORRIK 2014
UKRAINË

Indiferenca e autoriteteve nxit dhunën në Ukrainë

Indiferenca e autoriteteve nxit dhunën në Ukrainë

«Kur krimi nuk ndëshkohet, njerëzit mendojnë se nuk ka problem të bësh keq.» Kjo thënie po del e vërtetë në Ukrainë, ku një numër gjithnjë e më i madh Dëshmitarësh të Jehovait janë bërë viktima të krimeve të nxitura nga urrejtja. Dëshmitarët e Jehovait janë mirënjohës që qeveria e Ukrainës garanton lirinë e adhurimit, megjithatë ata janë të tronditur që këto krime kundër tyre po shtohen dhe që autoritetet i lejojnë kriminelët t’ia hedhin paq.

Përshkallëzimi i sulmeve

Që nga viti 2008 ka pasur 64 sulme fizike në Ukrainë kundër Dëshmitarëve të Jehovait gjatë aktiviteteve të tyre fetare ose fill pas përfundimit të tyre. Gjashtëmbëdhjetë nga këto sulme janë kryer nga priftërinj ortodoksë.

Nga viti 2008 deri më 2013 ka pasur edhe 190 raste vandalizmi ndaj Sallave të Mbretërisë dhe 13 orvatje për t’u vënë zjarrin ndërtesave. Gjatë viteve 2012 dhe 2013, këto vandalizma u dyfishuan në krahasim me katër vitet e mëparshme.

Gjithashtu, sulmet po bëhen edhe më të ashpra. Më 2012, dy Salla Mbretërie në zonën Donetsk u shkatërruan komplet nga zjarri. Në vitin 2013, dhuna e ushtruar në dy raste u shkaktoi dëmtime aq të mëdha viktimave sa iu desh të qëndronin për shumë kohë në spital.

Dëshmitarët iu drejtuan autoriteteve për mbrojtje, por nuk kanë gjetur përkrahje pasi autoritetet nuk kanë bërë hetime të menjëhershme dhe të efektshme ose nuk kanë marrë masa për t’u dhënë ndëshkimin e merituar kriminelëve.

Autoritetet rrinë duarkryq

Dëmet e shkaktuara nga zjarrvënia dhe aktet e vandalizmit në Sallën e Mbretërisë në Horlivka (zona Donetsk) më 5 qershor 2014

Vandalizëm. Policia ose nuk vepron fare, ose vepron me vonesë kur bëhet një denoncim. Shpesh autoritetet nuk pranojnë të nisin procedurën ose e zvarritin. Edhe nëse nis procedura, prokurorët nuk i dënojnë ose gjykata u jep një dënim simbolik. Nga viti 2008 deri në 2012-n, autoritetet nuk ngritën asnjë akuzë në 111 raste vandalizmi.

Sulme fizike. Shpesh policia nuk heton siç duhet ose nuk përpiqet t’i identifikojë kriminelët. Nëse nis procedura, autoritetet rrallëherë ngrenë akuzë ose i dënojnë shkelësit e ligjit. Edhe kur kjo ndodh, dënimet e dhëna nuk përputhen me krimin sepse sulmet nuk janë klasifikuar si krime nga urrejtja.

Ky rast i pandëshkuar u jep zemër kriminelëve të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë

Rrahin Oleksandr Tretiak

Oleksandr Tretiak

Një sulm tepër i ashpër ndodhi më 26 nëntor 2013 kundër Oleksandr Tretiak, një Dëshmitar 41-vjeçar, teksa kthehej në shtëpi pas një veprimtarie fetare. Tre burra e rrahën barbarisht z. Tretiak për më shumë se 20 minuta. Ai i identifikoi sulmuesit si Ruslan Ivanov; Anatoliy Dovhan, nënkolonel policie në pension, dhe i biri Evheniy Ihlinskiy, polic rrugor. Z. Tretiak arriti t’u ikte nga duart dhe u çua me të shpejtë në spital me dëmtime të rënda, si thyerje të hundës, prerje e mavijosje të shumta dhe frakturë në kafkë.

Pavarësisht nga gjendja e tij, hetuesit e cilësuan këtë krim si dëmtim «i lehtë» fizik i shkaktuar nga tre persona «të paidentifikuar». Z. Tretiak e mbajtën vetëm dy javë në spital sepse, po të qëndronte më tepër, autoritetet nuk do të mund ta klasifikonin dot sulmin si «të lehtë». Por nga dëmtimet e rënda u desh të rikthehej në spital që të nesërmen. Gjithsej, ai qëndroi atje 23 ditë.

Kohët e fundit, u ngrit padi kundër Ruslan Ivanov, njëri prej sulmuesve, por vetëm pasi ai ishte arratisur. Z. Tretiak druhet se mos ata që e sulmuan, e vënë përsëri në shënjestër. Ai thotë: «E di se më rrahën ngaqë i urrejnë Dëshmitarët e Jehovait dhe jam i sigurt se donin të më vritnin.»

A do të veprojnë autoritetet?

Prej vitesh, më se 150.000 Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë kanë gëzuar lirinë fetare dhe përkrahjen e autoriteteve në raste të vështira. Dëshmitarët shpresojnë që autoritetet në Ukrainë t’i hetojnë si duhet krimet dhe t’i ndjekin penalisht kriminelët që t’u jepet fund këtyre abuzimeve.