Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | JONATANI

Lidhën miqësi të pathyeshme

Lidhën miqësi të pathyeshme

 Beteja kishte mbaruar dhe në luginën e Elahut ra qetësia. Teksa tendat e kampit të ushtrisë fëshfërinin në flladin e pasdites, mbreti Saul mblodhi disa burra. Mes tyre ishte edhe djali i tij i madh, Jonatani, si dhe një bari i ri që tregonte gjithë gjallëri ç’kishte ndodhur. Djaloshi plot zell e entuziazëm ishte Davidi. Sauli dëgjonte gjithë sy e veshë dhe përpinte çdo fjalë të Davidit. Po Jonatani si ndihej? Në karrierën e gjatë në ushtrinë e Jehovait, Jonatani kishte korrur plot fitore. Ama fitorja e kësaj dite nuk i takonte Jonatanit, por këtij djali të ri. Ishte Davidi ai që e vrau Goliadin gjigant. A u bë xheloz Jonatani për lavdinë që po merrte Davidi?

 Reagimi i Jonatanit mund të të habitë. Bibla thotë: «Sapo mbaroi të fliste me Saulin, shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e Davidit dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet.» Jonatani i dha Davidit rrobat e luftës dhe harkun e vet: goxha dhuratë, pasi Jonatani njihej si harkëtar i zoti. Ç’është më e rëndësishmja, Jonatani dhe Davidi bënë një besëlidhje, domethënë një marrëveshje solemne që i bashkoi si miq që do ta mbështetnin njëri-tjetrin.—1 Samuelit 18:1-5.

 Kështu nisi një nga miqësitë më të mëdha që përmenden në Bibël. Miqësia ka shumë rëndësi për njerëzit me besim. Nëse i zgjedhim me mençuri miqtë e tregohemi edhe vetë miq inkurajues e besnikë, mund të mbajmë të fortë besimin në këtë kohë pa dashuri. (Proverbat 27:17) Prandaj, le të shqyrtojmë çfarë mësojmë për miqësinë nga Jonatani.

Themeli i miqësisë

 Si u bënë miq kaq shpejt? Përgjigjja ka të bëjë me themelin e miqësisë së tyre. Le të shohim si rrodhën ngjarjet. Jonatani po jetonte në një periudhë të vështirë. I ati, mbreti Saul, kishte ndryshuar me kalimin e viteve, dhe jo për mirë. Sauli, dikur burrë me besim e i përulur, ishte kthyer në mbret arrogant e rebel.—1 Samuelit 15:17-19, 26.

 Ndryshimi i Saulit duhet ta ketë trishtuar shumë Jonatanin, sepse ishte i lidhur me të atin. (1 Samuelit 20:2) Ka të ngjarë që Jonatani e vriste mendjen për pasojat që mund t’i sillte Sauli kombit të zgjedhur të Jehovait. A do ta çonte në rrugë të shtrembër kombin mosbindja e mbretit? A do ta humbiste kështu kombi miratimin e Jehovait? S’do mend që ishte periudhë e vështirë për njerëzit me besim si Jonatani.

 E gjithë kjo na ndihmon të kuptojmë çfarë e lidhi Jonatanin me të riun David. Jonatani vuri re besimin e jashtëzakonshëm të Davidit. Të mos harrojmë se Davidit, ndryshe nga ushtarët e Saulit, nuk iu drodh qerpiku nga përmasat gjigante të Goliadit. Përkundrazi doli në përfundimin se fakti që luftonte në emër të Jehovait e bënte më të fuqishëm se Goliadi dhe armët e tij.—1 Samuelit 17:45-47.

 Vite më parë edhe Jonatani kishte menduar po njëlloj. Kishte qenë i sigurt se 2 burra, ai dhe shqytari i tij, mund të sulmonin e të mundnin një garnizon të tërë. Nga i erdhi ajo siguri? Jonatani u shpreh: «Jehovain s’e pengon asgjë.» (1 Samuelit 14:6) Pra, Jonatani dhe Davidi kishin shumë të përbashkëta: besim të patundur te Jehovai dhe dashuri të thellë për të. S’mund të kishin themel më të mirë për miqësinë! Edhe pse Jonatani ishte princ i fuqishëm në të 50-at, e Davidi bari i thjeshtë, ndoshta as 20 vjeç, këto ndryshime ishin të parëndësishme për ta. a

 Besëlidhja që bënë, shërbeu si mbrojtje për miqësinë e tyre. Si vallë? Po ja, Davidi e dinte ç’kishte ndër mend Jehovai për të: të bëhej mbret i Izraelit! A ia mbajti të fshehtë Jonatanit? Vështirë! Një miqësi e ngushtë si e tyrja, forcohet nga komunikimi i hapur, jo nga sekretet dhe gënjeshtrat. Si mund të jetë ndier Jonatani kur e mori vesh këtë? Po sikur Jonatani të kishte shpresuar se një ditë do të bëhej mbret e do të ndreqte gabimet e të atit? Bibla nuk flet për betejën e brendshme që mund të ketë pasur Jonatani; flet vetëm për gjërat që kanë vërtet rëndësi: besnikëria dhe besimi i Jonatanit. Për të ishte e qartë që Davidi kishte frymën e Jehovait. (1 Samuelit 16:1, 11-13) Prandaj e mbajti betimin dhe e pa gjithnjë Davidin si mik e jo si rival. Jonatani dëshironte të bëhej vullneti i Jehovait.

Jonatani dhe Davidi kishin të përbashkët besimin e patundur te Jehovai dhe dashurinë e thellë për të

 Ajo miqësi doli se ishte një bekim i madh. Çfarë mund të mësojmë nga besimi i Jonatanit? Është mirë që të gjithë shërbëtorët e Jehovait ta kuptojnë vlerën e miqësisë. Miqtë nuk ka pse të kenë moshën a prejardhjen tonë, por, nëse kanë besim të vërtetë, mund të na sjellin shumë dobi. Jonatani dhe Davidi e forcuan dhe e inkurajuan njëri-tjetrin në plot raste. Kjo do t’i ndihmonte edhe në të ardhmen, pasi miqësia e tyre do të sprovohej akoma më shumë.

Kujt do t’i qëndronte besnik?

 Në fillim Sauli e kishte shumë për zemër Davidin dhe e vuri në krye të ushtrisë. Por s’kaloi shumë dhe ra viktimë e armikut që dështoi ta mposhte Jonatanin—xhelozisë. Davidi korri fitore të njëpasnjëshme mbi filistinët, armiqtë e Izraelit, prandaj mori shumë lëvdata e admirim. Madje disa gra në Izrael kënduan: «Sauli ka vrarë mijëra, e Davidi dhjetëra mijë.» Saulit nuk i pëlqeu ajo këngë. Në Bibël lexojmë: «Që nga ajo ditë, Sauli e shikonte me dyshim Davidin.» (1 Samuelit 18:7, 9) Kishte frikë se mos Davidi tentonte t’i rrëmbente mbretërinë. Sa e pamend ishte kjo! Është e vërtetë se Davidi e dinte që do ta pasonte Saulin, por as që i shkonte ndër mend t’ia merrte vendin mbretit të mirosur nga Jehovai ndërkohë që mbretëronte!

 Sauli kurdisi plane që Davidi të vritej në betejë, por nuk i ecën. Davidi korrte fitore dhe populli e respektonte gjithnjë e më shumë. Në tentativë të dytë, Sauli provoi të bashkonte burrat e shtëpisë së tij, të gjithë shërbëtorët dhe djalin e tij të madh, në një komplot për të vrarë Davidin. Përfytyroni sa duhet të jetë zhgënjyer Jonatani nga sjellja e të atit! (1 Samuelit 18:25-30; 19:1) Jonatani ishte bir besnik, ama ishte edhe mik besnik. Tani që këto dy besnikëri binin ndesh me njëra-tjetrën, cila do të triumfonte?

 Jonatani i tha të atit: «Të mos mëkatojë mbreti kundër shërbëtorit të tij, Davidit, sepse ai nuk ka mëkatuar kundër teje dhe ka kryer vepra shumë të mira kundrejt teje. Ai e vuri shpirtin e vet në rrezik dhe e vrau filistinin, e kështu Jehovai i solli një shpëtim të madh gjithë Izraelit. Ti e pe dhe s’e mbajte dot gëzimin. Pse vallë të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke e vrarë kot Davidin?» Në një çast të rrallë arsyetueshmërie, Sauli ia vuri veshin Jonatanit dhe u betua se nuk do t’i bënte keq Davidit. Por Sauli nuk ishte njeri i fjalës. Pas fitoreve të mëvonshme të Davidit, Saulin e tërboi kaq shumë xhelozia, sa i vërviti heshtën Davidit. (1 Samuel 19:4-6, 9, 10) Por Davidi u shmang dhe ia mbathi që të shpëtonte.

 A ke qenë ndonjëherë në dilemë se kujt t’i qëndrosh besnik? Është shumë e dhimbshme, apo jo? Në rrethana të tilla, disa mund të të këshillojnë se familja vjen e para. Por Jonatani e dinte se kjo nuk ishte gjëja e duhur. S’mund të merrte anën e të atit kur Davidi ishte shërbëtori besnik dhe i bindur ndaj Jehovait. Ai lejoi ta drejtonte besnikëria ndaj Jehovait. Ja pse e mbrojti hapur Davidin. Megjithatë, ndonëse besnikëria e Jonatanit ndaj Jehovait pati përparësi, ai u tregua besnik edhe ndaj të atit: e këshilloi hapur në vend që t’i thoshte fjalë sa për t’i bërë qejfin. Të gjithë do të nxirrnim dobi po të imitonim mënyrën si e shfaqi besnikërinë Jonatani.

Çmimi i besnikërisë

 Jonatani u përpoq edhe një herë të pajtonte Saulin me Davidin, por Sauli as që e dëgjoi. Davidi shkoi fshehurazi te Jonatani dhe i shprehu se kishte frikë për vetë jetën e tij me fjalët: «Mua s’më ndan veçse një hap nga vdekja!» Jonatani ra dakord të zbulonte ç’mendonte i ati mbi këtë çështje dhe t’i raportonte Davidit si ishte situata. Ndërkohë që Davidi do të qëndronte i fshehur, Jonatani do ta sinjalizonte duke qëlluar disa shigjeta. Jonatani i kërkoi Davidit vetëm që të mbante këtë premtim: «Ti nuk do ta heqësh kurrë dashamirësinë tënde nga shtëpia ime. Edhe kur Jehovai t’i heqë armiqtë e Davidit nga faqja e dheut, që të gjithë.» Davidi u betua se do të kujdesej gjithmonë për njerëzit e shtëpisë së Jonatanit.—1 Samuelit 20:3, 13-27.

 Jonatani i foli mirë Saulit për Davidin, por mbreti u tërbua. Jonatanin e quajti «djalë rebel», ndërsa besnikërinë që i tregonte Davidit, si turp për familjen. Pastaj u përpoq t’i ngacmonte egon Jonatanit me fjalët: «Sa të jetë gjallë mbi dhé biri i Jeseut, ti dhe mbretëria jote nuk do të jeni të patundur.» Jonatani nuk u ndikua nga ato fjalë dhe iu përgjërua të atit: «Pse të vdesë? Ç’ka bërë?» Sauli shpërtheu në dhunë! Edhe pse i moshuar, Sauli ishte ende luftëtar i fuqishëm. Ai vërviti heshtën drejt të birit. Sado i zoti, nuk arriti ta godiste. Jonatani, thellësisht i lënduar dhe i poshtëruar, iku i zemëruar.—1 Samuelit 20:24-34.

Jonatani e kaloi me sukses provën e egoizmit

 Të nesërmen në mëngjes, Jonatani shkoi në afërsi të vendit ku fshihej Davidi. Siç kishin rënë dakord, ai qëlloi me shigjetë, që t’i bënte të ditur Davidit se Sauli kishte vërtet ndër mend ta vriste. Pastaj dërgoi shërbëtorin e tij në qytet. Jonatani dhe Davidi mbetën vetëm, kështu që patën pak kohë për të folur. Të dy shpërthyen në lot dhe Jonatani i dha lamtumirën mikut të tij, që po niste një jetë të re në arrati.—1 Samuelit 20:35-42.

 Besnikëria e Jonatanit e kaloi me sukses provën e egoizmit. Me siguri Satanai, armiku i gjithë besnikëve, do të kishte dashur që Jonatani të ecte në gjurmët e Saulit dhe të vinte para gjithçkaje ambicien për pushtet ose lavdi. Të mos harrojmë që Satanait i pëlqen të ngacmojë prirjet egoiste te njerëzit. Me prindërit tanë të parë, Adamin dhe Evën, ia doli. (Zanafilla 3:1-6) Ama, me Jonatanin dështoi. Sa duhet të jetë tërbuar Satanai! Po ti, a do t’u rezistosh përpjekjeve të ngjashme të Djallit? Në kohën që jetojmë, egoizmi është përhapur si epidemi. (2 Timoteut 3:1-5) A do të nxjerrim mësime nga fryma altruiste e besnike e Jonatanit?

Si mik besnik që ishte, Jonatani e sinjalizoi Davidin që ta mbronte nga rreziku

«Shumë i këndshëm ishe për mua»

 Urrejtja që kishte për Davidin pushtoi çdo mendim të Saulit. Jonatani s’mund ta ndalonte të atin ndërkohë që vepronte gjithnjë e më shumë si i çmendur, aq sa mblodhi ushtrinë dhe e çoi anekënd vendit për të vrarë një njeri të pafajshëm. (1 Samuelit 24:1, 2, 12-15; 26:20) Po ai vetë, a u bë pjesë e kësaj? Vlen të përmendet se Shkrimet nuk thonë asgjëkundi që Jonatani të ketë shkuar në ndonjë nga këto fushata të pakuptimta. Besnikëria e Jonatanit ndaj Jehovait, ndaj Davidit dhe ndaj betimit për miqësi, e përjashton këtë mundësi.

 Ndjenjat që kishte për mikun e tij nuk ndryshuan kurrë. Ca kohë më vonë, gjeti një mënyrë për ta takuar sërish Davidin. Kjo ndodhi në Horesh, që do të thotë «vend pyjor». Horeshi ishte zonë e thellë malore që ndoshta ndodhej disa km në juglindje të Hebronit. Pse vuri veten në rrezik Jonatani për të takuar këtë të arratisur? Bibla tregon se donte «ta forconte në emër të Perëndisë». (1 Samuelit 23:16) Si i dha zemër Davidit?

 Jonatani i tha: «Mos ki frikë.» Pastaj e siguroi me fjalët: «Dora e Saulit, atit tim, nuk do të të gjejë.» Ku i bazonte ato fjalë që jepnin siguri? Te besimi i thellë se qëllimi i Jehovait do të plotësohej. Ai vazhdoi: «Ti do të jesh mbret i Izraelit.» Ky ishte premtimi që Jehovai, me anë të Samuelit, i kishte bërë Davidit vite më parë, dhe tani Jonatani i kujtoi se fjala e Jehovait del gjithnjë e vërtetë. Po për të ardhmen e vet ç’mendonte Jonatani? Ai tha: «Unë do të jem i dyti pas teje.» Ç’përulësi e pashoqe! Do të ishte më se i kënaqur të shërbente nën drejtimin e atij burri 30 vjet më të ri si krahu i tij i djathtë. Jonatani përfundoi me fjalët: «Edhe im atë, Sauli, e di që është kështu.» (1 Samuelit 23:17, 18) Thellë-thellë Sauli e dinte që e kishte të humbur betejën kundër njeriut që Jehovai e kishte zgjedhur të bëhej mbret.

Jonatani e inkurajoi Davidin kur ishte në hall

 Në vitet pasuese, me siguri Davidi e ka kujtuar shpesh e me mall atë takim. Ishte takimi i tyre i fundit. Mjerisht, shpresa e Jonatanit për të qenë i dyti pas Davidit, nuk u bë kurrë realitet.

 Jonatani doli bashkë me të atin në betejë kundër filistinëve, armiqve të betuar të Izraelit. Mund të luftonte përkrah të atit me ndërgjegje të pastër, pasi gjithnjë i dha përparësi shërbimit ndaj Jehovait, pavarësisht nga gabimet e të atit. Luftoi me trimëri e me besnikëri si gjithmonë, megjithatë Izraeli e humbi betejën. Kaq i lig ishte bërë Sauli sa praktikoi edhe spiritizmin, mëkat që ligji i Perëndisë e dënonte me vdekje, prandaj Jehovai nuk e bekoi më. Tre djem të Saulit, përfshirë Jonatanin, i vranë në betejë, kurse Saulin e plagosën dhe pastaj i dha fund jetës.—1 Samuelit 28:6-14; 31:2-6.

Jonatani tha: «Ti do të jesh mbret i Izraelit, kurse unë do të jem i dyti pas teje.»—1 Samuelit 23:17

 Davidi u pikëllua pa masë. Ky njeri me zemër të madhe mbajti zi edhe për Saulin që i kishte shkaktuar një mijë e një të zeza. Davidi kompozoi një këngë të përvajshme për Saulin dhe Jonatanin. Mbase, fjalët më prekëse janë ato që i kushtoi Jonatanit, që e kishte pikë referimi dhe mik të dashur: «I brengosur jam për ty, o vëllai im, Jonatan; shumë i këndshëm ishe për mua. Dashuria jote ishte për mua më e mrekullueshme se dashuria e grave.»—2 Samuelit 1:26.

 Davidi nuk e harroi kurrë premtimin që i kishte bërë Jonatanit. Vite më vonë kërkoi dhe u kujdes për djalin e gjymtuar të Jonatanit, Mefiboshetin. (2 Samuelit 9:1-13) Duket qartë që Davidi kishte mësuar goxha nga besnikëria, integriteti dhe gatishmëria e Jonatanit për t’i qëndruar besnik një miku edhe kur kjo kushtonte shumë. A do të nxjerrim mësime edhe ne nga këto cilësi të Jonatanit? A mund të zëmë miq që janë si Jonatani? A mund të tregohemi edhe vetë miq të tillë? Nëse i ndihmojmë miqtë të krijojnë e të forcojnë besimin te Jehovai, nëse e vëmë mbi gjithçka besnikërinë ndaj Perëndisë dhe nëse mbetemi besnikë në vend që të kërkojmë interesin tonë, do të jemi miq si Jonatani dhe do të imitojmë besimin e tij.

a Shkrimet e përmendin për herë të parë Jonatanin në fillim të mbretërimit të Saulit. Në atë kohë Jonatani ishte komandant ushtrie, prandaj duhet të ketë qenë të paktën 20 vjeç. (Numrat 1:3; 1 Samuelit 13:2) Sauli mbretëroi 40 vjet. Kur Sauli vdiq, Jonatani ishte rreth 60 vjeç, ndërsa Davidi 30. (1 Samuelit 31:2; 2 Samuelit 5:4) Pra, me sa duket, Jonatani ishte rreth 30 vjet më i madh se Davidi.